Gëzuar Rripin e Ri!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 6 vite më parë

Edmond Tupja
Gëzuar Rripin e Ri!

Po e nis duke i kërkuar ndjesë lexuesit tim përherë të vëmendshëm dhe veçanërisht kujtesëfreskët: Po, këtë titull – Gëzuar Rripin e Ri – e kam përdorur tashmë një herë, dikur para më se dhjetë vitesh, pikërisht në këtë rubrikë të së dielës, të pikërisht kësaj gazete.

E kam përdorur bash në vigjilje të festave të fundvitit, në një moment kur priteshin ngritje çmimesh jo të rastësishme, por si pasojë keqqeverisjeje. E kam përdorur në vend të urimit “Gëzuar Vitin e Ri!” , që, me shumë gjasë, për jo pak shqiptarë, sidomos për ata që nuk kanë punë, pra, as mjete financiare për një jetë të denjë njerëzore, tingëllon deri diku qesëndisës. Idenë për ta rimarrë temën e shtrëngimit të rripit ma dha analisti

Artan Hoxha me shkrimin e tij të para dy javëve, me titullin “Thanas, shtrëngo rripin!”, ku zbërthente pa doreza, qartë dhe bindshëm dukurinë e shtrenjtimit të jetesës në Shqipërinë e sotme, prandaj e falënderoj atë edhe për kënaqësinë që ndjeva tek lexoja shkrimin e tij, edhe për frymëzimin që më dha njëkohësisht. Më duhet të pranoj se sot, ashtu si shumica e shqiptarëve, edhe ti, lexuesi im serioz e besnik, edhe unë, mund të quhemi pa ngurrim Thanasë; madje, kam përshtypjen se me këtë emër do të mësohemi aq shumë këto tri-katër vitet e ardhshme sa, gati-gati, me saktësi sahati, do të ndiejmë nostalgji për ato edhe kur nuk do të jetë më e nevojshme të shtrëngojmë rripin vrimëzgjeruar apo, më saktë, vrimëzgafulluar nga shtrëngim-lirimet.

Nga ana tjetër, duke u quajtur Thanasë (emër që vjen nga Athanas, pra, në shqipe, “i pavdekshëm”), bën vaki, ndonëse në mënyrë të vakët, të bëhemi edhe ne, deri diku dhe përkohësisht të paktën, të pavdekshëm, për çka duhet t’u jemi mirënjohës atyre që na detyrojnë sot pikërisht të shtrëngojmë rripin, sidomos në prag të festave të këtij fundviti. Prandaj, më vjen të ulërij nga gazi e marazi “Gëzuar Rripin e Ri!” dhe jo “Gëzuar Vitin e Ri!”, sepse kësaj radhe Rripi i Ri është socialist, kurse ai i vjetri ishte kapitalist. (Besoj se lexuesi im i paanshëm më kupton drejt dhe se, kurrsesi, nuk mendon se unë po shkruaj si e ëma e Thanasit në majë të thanës e të Qafëthanës).

Në dritën e shkrimit të Artan Hoxhës, pashë fare qartë sesi e zeza e kulluar e qymyrit antracit mund të paraqitet, nga qeveria sigurisht, si e bardha e dëborës alpine në tërë virgjërinë e saj, pra, shtrëngimi i rripit si lirim i tij, sepse rripi në fjalë na qenka i magjishëm: mjafton ta shtrëngosh qoftë një vrimë të vetme dhe mrekullia ndodh aty për aty para syve të tu: sapuni kthehet në djathë, salca në mjaltë, ajri në kartë (Ilustrim i këtij transformimi të fundit: ajri i ndotur i Tiranës do të shndërrohet në kartë të parfumuar, e kam fjalën për kartë higjienike, sigurisht, të cilën do ta kemi me bollëk ngaqë duke shtrënguar rripin, detyrimisht do të shtrëngojmë edhe …ythën). Edhe një herë, pra, “Gëzuar Rripin e Ri!” Në këtë kuadër fatlum për shumicën e shqiptarëve, i vetmi problem do të jetë numri i vrimave të rripit tonë kombëtar: nuk ka për të vonuar dita kur, duke e shtrënguar rripin gradualisht, do të vijë ai moment i pashmangshëm kur secili e secila prej nesh do të mbërrijë te vrima e fundit! Atëherë, me gaz e hare, do të shkojmë te këpucari që të na hapë vrima të tjera te rripi, në mënyrë që të vazhdojmë rrugën tonë të ndritur drejt shtrëngimit fitimtar të rripit tonë kombëtar.

Por – gjithmonë ka një “por” që vjen sa për të na prishur punë –, në një çast të dhënë nuk do të ketë më vend te rripi ynë për të hapur vrimë tjetër, sepse nuk do të na lërë tokëza e tij. I lutem lexuesit tim të duruar të mos mërzitet në këtë pikë: çdo problem që lind e ka një zgjidhje, madje, siç lënë të kuptojë qeveria dhe kreu i saj, nuk ka probleme, ka vetëm zgjidhje. Kështu, ose qeveria do të bëjë një shtesë buxheti për import rripash, ose, më mirë akoma, do të mbështesë zhvillimin e hovshëm të industrisë së rripave: çdo shtetas shqiptar do të pajiset me rripa rezervë – kundrejt pagese, sigurisht – për të vazhduar praktikën e shtrëngimit të rripit ndër vite.

Sidoqoftë, qeverisë do t’i duhet të frenojë çdo veprimtari ekonomike që bie ndesh me zhvillimin e hovshëm të industrisë së rripave, pra, do t’i duhet të ndalojë prodhimin artizanal (në rënie) të ushkurëve, si edhe importin e tregtimin e tirandave ose, më shqip, të krahosheve. Edhe një herë, pra, “Gëzuar Rripin e Ri!” dhe kurrë mos na u këputtë, siç thotë populli ynë, rripi i pallës!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama