Nje 'Jo' Hipokrite

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 6 vite më parë

Skënder Minxhozi
Nje 'Jo' Hipokrite

Dje ka ndodhur një gjë mjaft e shëmtuar. Është parë publikisht sesi, paralelisht me një institucion europian që lobon pro marrjes së statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria, një vend anëtar i këtij organizmi, Holanda, në të kundërt, po kërkon solidaritet negativ tek anëtarët e tjerë, për votën kundër statusit. Një situatë, e cila përtej kriterit strikt të ndarjes së punëve brenda shtëpisë europiane, nxjerr në pah dozën e madhe të hipokrizisë që e ka veshur rregullisht procesin e afrimit drejt BE-së, të vendeve aspirante. Janë pesë shtetet anëtare që deri tani shprehen se nuk e kanë vendosur votën e tyre në Këshillin e Ministrave. Bashkë me Holandën, Danimarka, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, shprehen skeptike për ta kaluar kandidaturën shqiptare.

Ndërkohë, pas komisionit, edhe Parlamenti Europian e shprehu zyrtarisht dje, qëndrimin e tij përkrahës për vendin tonë. Megjithatë, nga tryeza e këshillit, mesa duket mund të dalë një tjetër “Jo” për Shqipërinë. Deklaratat e shpeshta të komisionerit Fyle në favor të palës shqiptare, komentet pozitive të rezolutës së deputetëve europianë, deri edhe fjalët e mira që shpenzoi pardje ministri i Jashtëm holandez për plotësimin e kushteve të vitit të shkuar dhe punën e qeverisë së re, mund të mos jenë të mjaftueshme që të arrijmë edhe kësaj radhe objektivin.

Vjet na thanë se nuk ishim gati. Rrëmuja e Fierit, kodet e pavotuara, zgjedhjet në horizont. Këtë vit, përkundrazi, doli se i kemi plotësuar kushtet, por gjithsesi “ejani vitin tjetër”. Nuk kanë mjaftuar as zgjedhjet normale, as rotacioni paqësor i pushtetit, as klima e ndryshuar parlamentare apo tritoli mbi ndërtimet pa leje dhe dosjet penale për zyrtarët e lartë që janë nisur drejt prokurorisë. Shqipëria vijon të vuajë inercinë e një reputacioni të vjetër, prej demokracie të korruptuar dhe prej shteti ku krimi dhe droga bëjnë ligjin. Pa asnjë dyshim, një imazh vetëm pjesërisht i saktë dhe me shumë paragjykime e koncepte të parafabrikuara brenda.

Viti kalendarik 2013, për të cilin po vlerësohemi këtë radhë në Bruksel, kishte një “provim” qendror për klasën tonë politike: atë të 23 qershorit. Nami i zgjedhjeve të dhunshme shqiptare, ku votat vidhen, kutitë hapen rrugës, komisionerët blihen masivisht dhe ku askush nuk pranon rezultatin final, mund të triumfojë paradoksalisht edhe këtë herë mbi realitetin, i cili ishte krejt tjetër. Përtej ankesave normale të humbësve, zgjedhjet shënuan një histori suksesi. Për meritë të të gjitha palëve. Shqipëria e kaloi më së miri testin elektoral, ashtu siç kaloi po me dinjitet, edhe testin tjetër delikat që vinte më pas: atë të kalimit pa dhunë të pushtetit. I dyti rotacion paqësor në tetë vjet: jo pak për një vend që kërkon dëshpërimisht të normalizohet.

E megjithatë, në Bruksel mesa duket i bëjnë ndryshe llogaritë. Lodhja nga zgjerimi, frika nga flukset migratore, kriminaliteti dhe trafiqet, së bashku me krizën që shoqëron vetë projektin europian, janë faktorë që nuk e ndihmojnë aspak rrugën e një vendi si Shqipëria drejt anëtarësimit në BE.

Europa e bashkuar është një ëndërr e hershme e shqiptarëve. Aq sa ajo vijon të jetë projekti më i votuar masivisht nga shqiptarët, në çdo anketë publike. Por kjo dëshirë popullore njëzetvjeçare vijon të marrë indiferencë dhe mesazhe negative nga vetë BE-ja. Një përgjigje e pamerituar, në kohën kur vende të tjera të këtij rajoni, të cilat shkaktuan drama e gjakderdhje biblike në të shkuarën e afërt, vijojnë të avancojnë të pashqetësuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo sjellje me disa standarde të kujton atë shprehjen e një ministri të Jashtëm të një vendi të madh të BE-së, i cili disa vjet më parë, teksa fliste për zgjerimin e Unionit, thoshte plot cinizëm se nuk ka një standard për afrimin drejt BE-së, por aq //////////////sa standarde, sa ç’janë vendet që aplikojnë. Pra, e kotë të mësoni përmendësh kritere dhe kushte, pasi në tabelën magjike të Brukselit gjithçka është e lëvizshme dhe relative. E mbi të gjitha e shkruar me shkumës, jo me bojë. Këto standarde janë sot kaq subjektive, saqë diku-diku i japin vend dhe hapësirë edhe tezave të tilla spekulative, si ato të ekskludimit nga procesi i afrimit, i popujve me popullsi jo të krishtera.

Një përgjigje negative për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, do të ishte një fund i pamerituar i asaj çfarë ka sjellë ky vit për vendin tonë. Edhe ata që bëhen gati të votojnë me gishtin poshtë, e pranojnë se i kemi plotësuar kushtet. E në mungesë të një justifikimi tjetër për mospranimin e tyre, thonë se duan më shumë prova që progresi është i qëndrueshëm. E kjo e fut vetë procesin në një rrugë kryekëput subjektive dhe të pamatshme. Është pikërisht ky rreziku më i madh që po prodhon për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-ja, ky mohim i përsëritur i një statusi që në vetvete nuk përbën asgjë më shumë sesa një fletëhyrje në provimin e madh. Atë të anëtarësimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama