Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk keni te drejte, zoti Withers!

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Nuk keni te drejte, zoti Withers!

Po më vjen keq të them që në fillim, se keni rënë në një nga ato grackat, ku këtu ka kohë që noton jo vetëm një përfaqësues i medias, i OJF-ve, por dhe i vetë shtresës të së korruptuarve, që mund të jenë përfaqësues të qeverisë apo hallkave të saj.

Shqipëria e njeh mirë këtë lloj lufte antikorrupsion dhe jo në kohën që jetojmë. Po të shihen me pak vëmendje pjesë të fjalimeve të ish-komunistëve të vjetër, mund të merren modele të shkëlqyera fjalimesh që do t‘i kishin zili dhe përfaqësuesit më të ndritur të OJF-ve, kudo ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre. Fjalimet e dikurshme të Enver Hoxhës kundër korrupsionit, me siguri që janë modele nga më të përsosurit dhe ndoshta në këtë pikë ai nuk do të arrihet për një kohë të gjatë. Ata që e sundojnë Shqipërinë e pas viteve ‘90, e dinë mirë këtë dhe i gjejnë më mirë se të tjerët, të huaj a analistë se si mbahen fjalimet antikorrupsion. Nuk do ndonjë marifet të madh për të parë se të gjitha kalimet e pushtetit nga ‘90-a e këtej janë bërë fiks me parulla kundër korrupsionit. Më thjesht janë zhvilluar me parullën: kapini hajdutët!

Në vitin ‘92, një anglez na foli për arin e vjedhur, e ne ndërruam sistem e qeveri bashkë. Në ‘96-n, një anglez tjetër i quajtur Gambell, foli për një qeveri gangsterësh, dhe ne prapë e ndërruam qeverinë. Në vitin 2001, përsëri u hodhëm në luftë me parullën: t‘u vëmë ruspën të korruptuarve. Më 2005-n, përsëri e ndërruam qeverinë me parullën: të fshijmë korrupsionin. Aq e fortë është kjo lloj shakaje, sa dhe brenda të njëjtit kamp politik ajo mbetet e njëjtë. Në vitin 2001, zoti Nano u nis prapë nga malet për të rrëzuar qeverinë e tij, me parullën e famshme të "katarsisit".

Nuk është ndonjë sekret i madh që përsëri qeveria e tanishme do të bjerë po me të njëjtën parullë etj. Dikur në vitin 2005, ia kam thënë në një ambient të hapur Kryeministrit të tanishëm që po rrekej të vinte në pushtet, këto që po shkruaj më sipër. Origjina e një beteje të tillë vjen nga Lindja e lashtë para 2000 vjetësh. Atje zbrisnin nga malet për të qëruar hesapet me hajdutët, me të njëjtat parulla si dhe sot. Këpusnin tre a katër koka, sundonin ca kohë, derisa të vinte një luzmë tjetër me të njëjtat parulla. Kështu, loja përsëritej nga e para, njëlloj si te ne sot, ku nuk ka prerje kokash, po gjëra të ngjashme. Filozofët e shpjegojnë thjesht këtë përsëritje banale ngjarjesh; ajo quhet mungesë e pronës private. Kjo bën që të tërë të vijnë vërdallë duke thënë: kapeni hajdutin! Dhe pasi vijnë në pushtet zënë e bëjnë të njëjtin marifet si të parët. Pra, zënë e vjedhin atë që ka mbetur nga pasuria e përbashkët. Këtë në favor të vetes apo të të huajve që i zënë miq rrugës së qeverisjes.

Në mënyrë të përgjithshme unë nuk mund të jem dakord me Ju. Një vend si Shqipëria nuk është shembull i korrupsionit. Një vend mund të quhet i korruptuar ku shkalla e informalitetit është në përqindje të vogla, që venë pak më shumë se shifra dhjetore, po jo kur kjo shkallë informaliteti është 50 apo 60 për qind. Në këtë rast nuk është vendi i korruptuar, por flitet për dështim total qeverisjeje apo politikash të tilla. Apo po të doni; për mënyra qeverisjeje që kalojnë në vetëqeverisje apo ndryshe përshtatje për ///////////mbijetim e së gjithë shoqërisë. Populli i urtë shqiptar ka zgjedhur rrugën e dytë dhe ka arsye të thella për këtë gjë. Përfytyroni, i dashur Ambasador, nëse në Amerikën e sotme papritur Presidenti Bush të thotë se këtej e tutje të ardhurat mesatare do të jenë 150 dollarë për frymë në muaj, e çmimet do të jenë po ato e ndoshta do të rriten, ç‘do të bënte populli amerikan? Në rastin më të mirë do të arratisej nga sytë këmbët siç bëjnë shqiptarët e gjorë pesëmbëdhjetë vjet rresht. Apo ndoshta t‘i vinin flakën vendit të tyre, gjë që dhe ne e kemi bërë nja dy-tri herë këto 20 vjetët e fundit. Po çfarë të bëjmë Zoti Ambasador? Ndoshta gaboj apo e kam bërë dhe dogmë në të gjitha shkrimet e mia tërë këto vjet. Ky vend është pa strategji zhvillimi dhe kjo klasë e mjerë politike e dy krahëve nuk e kalon dot Lindjen e lashtë, veçse në një ndërrim të vogël fjalori që çon në ndryshime forme, po jo përmbajtje.

Unë mendoj se ndërtimi i vendit, ashtu si dhe ndërtimi i çdo teorie shkencore të tipit fondamental, ka një analogji që mund të pohohet ndoshta në këtë mënyrë. Në teoritë e mëdha në krye vihet një princip natyror, i cili zbulohet nga mendjet e ndritura apo pasqyron një periudhë të gjatë kërkimi, apo reflektimi. Krahas principit vendoset një aparat matematik që reflekton në pikëpamje kuantitative domethënien e tij. Kur kjo skemë shkon në analogji në ndërtimin e vendit ajo përkthehet ndoshta kështu. Në rolin e principit natyror kemi dy shtylla. Së pari, modernizohen resurset natyrore që kanë lënë e zhvilluar të parët e tu. Së dyti, shikohet pozicioni gjeografik i vendit në lidhje me të tjerët. Vetëm tani mund të ndërtojmë aparatin matematik. Që do të thotë se të gjitha ligjet që shkojnë në Kuvend e qeveri janë në funksion të shtyllave të mësipërme. Nuk është ndonjë zbulim i madh të pohosh se vendi ynë ka qenë tranzit dhe, së dyti, një vend blegtoral e bujqësor. Që nga koha kur ra Perandoria Romake, nën pushtimin turk, ne u kthyem në një vend jotranzit, por periferik. Çka na la pa këtë shtyllë zhvillimi. Në kohën e komunizmit ishim dhe vend periferik dhe i izoluar.

Të mbetur pa këtë shtyllë në kohën e regjimit të Zogu Shqipëri zhvilloi shtyllën e dytë të tij. Atë të të qenit vend blegtoral e bujqësor. Andaj Shqipëria e kësaj kohe kishte një blegtori të klasit të parë e të barabartë me Zvicrën, që dhe sot është në vendet e para. Në kohën e Hoxhës ne i thyem dy shtyllat e zhvillimit. Izoluam vendin, duke i hequr mundësinë e të qenit vend tranzit. Pastaj çuam fshatarin të blinte qumësht në qytet, duke thyer kështu dhe shtyllën e dytë të zhvillimit. Një vend që thyen këto shtylla, pavarësisht lodhjes së pafundme të qytetarëve të tij, mund të rrojë vetëm me miell hua nga jashtë. Kështu na ndodhi dhe ne. Pasi mbaruan ndihmat e rusëve dhe kinezëve mbetëm në sistem triskëtimi. Çka na çoi në parullat e Hoxhës dhe të tjerëve. Pra, na mbetej të kapnim hajdutët dhe armiqtë. Në këtë pikë jemi dhe pas njëzetë vjetëve tranzicion.

Në vend të kinezëve a rusëve, ushqehemi me miell nga vëllezërit tanë refugjatë a ndihmat e të huajve. Ne nuk jemi prapë vend tranzit. Nuk kemi bërë as rrugë, as portë në funksion të kësaj shtylle. Nuk mund të jemi as vend blegtoral e bujqësor, se kemi prishur veç të tjerave, edhe marrëdhëniet e pronësisë. Kështu pa këto shtylla zhvillmi kemi vetëm një rrugë: të kërkojmë e të zhvillojmë një propagandë që nuk na çon gjëkundi. Ajo ushqen vetëm një klasë parazitësh politikë, që mbajnë fjalime këtu a në sallat e Evropës, apo OJF që vijnë sot e tërë ditën vërdallë, duke humbur vazhdimisht kredibilitetin e tyre. Unë e shoh ndoshta gabim, por dhe me trishtim zoti Ambasador, se jemi drejt fundit tonë, pavarësisht parullave. Shikoni deficitin tregtar tonin që po na çon drejt ferrit, analizoni marrëdhëniet e bankave dhe do të kuptoni se ato janë më keq se qeverisja në politikat e tyre të zhvillimit. Me mijëra kredi e kapitale derdhen prej tyre për të shtuar kafene e karburante në emër të kolateraleve që kanë të kredituarit.

Shikoni mediat tona të mjera, që në shumicën e tyre marrin reklama vetëm nga shoqëritë telefonike për çmime katastrofike, që u pozojnë klientëve dhe do të konstatoni lehtë se nuk është punë korrupsioni, por thyerja e rregullave elementare që karakterizojnë zhvillimin harmonik të çdo vendi. Shikoni si tallet çdo qeveri e jona me politikat bujqësore e marrëdhëniet me pronën, e do ta konstatoni me lehtësi se kjo që po ndodh me ne nuk është punë korrupsioni, por vetëpërshtatje e qeverive dhe popullit që nuk gjen dot rrugë zhvillimi. Në ato dy shtyllat e zhvillimit mund të shtonim dhe një të tretë, ndoshta me efekt të përkohshëm: Një brez i ri që nuk shkon dot në shkolla profesionale, por në shkolla që adaptojnë vetëm filozofë e juristë në shumicën e kohës. Duke na hequr mundësinë të ndihmojmë veten në radhë të parë apo të bëhemi të dobishëm për të tjerët. Ndoshta gaboj Zotëri, por besoj se jemi përpara një krize, e cila vetëm në formë mund të jetë më e lehtë se ajo e vitit ‘97, por shumë më e rëndë në përmbajtje. Dhe nga e cila nuk na shpëton dot asnjë gjë, nëse nuk kthehemi në rrugën e çdo kombi që kërkon strategjitë kombëtare nëpërmjet njerëzve të vet të ndritur apo refleksionit real të eksperiencave të hidhura! Vetë besoj se jemi në grahmat e fundit! Gjithsesi, mbetet falënderimi për fjalën Tuaj të shkëlqyer, e cila siç thotë Balzaku i madh, njerëzve tanë do t‘i bëjë të ndërrojnë sjelljen, por jo mendimin për të vazhduar si më parë!

 

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama