Sikur ta dinim…

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 6 vite më parë

Skënder Minxhozi
Sikur ta dinim…

Tashmë është bërë zyrtare se armët kimike të Sirisë nuk do të hyjnë në tokën shqiptare. 

 

Vendimi i mundimshëm i Edi Ramës erdhi pas disa ditë protestash popullore, ku papritmas pamë të shpalosej një ndjenjë krejt e panjohur deri më sot, përgjegjshmërie qytetare dhe angazhimi civil. Shqipëria i tha “Jo” kërkesës amerikane për të sjellë këtu 1000 tonë substanca helmuese, sipas një rituali të reagimit popullor, që do ta shihnim në çdo qytet të Europës e të botës së zhvilluar. Në këtë kuptim, ajo që ka ndodhur gjatë javës që po lemë pas në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lezhë, nuk është ndonjë pamje e pazakontë për peizazhin e sotëm ekologjik global. Por është pa më të voglin dyshim, një precedent absolut, në axhendën ende të bardhë të aksionit qytetar në këtë vend. Opinioni publik në Shqipëri nuk e kishte thënë kurrë drejtpërdrejt fjalën e tij në këto dy dekada, siç e tha pak ditë më parë në këmbët e zyrës së Kryeministrit shqiptar. Në 22 vjet nuk kemi bërë ende një protestë për të qenë për të kërkuar vende pune, për të shprehur pakënaqësinë për çmimet, ndotjen, korrupsionin. Kjo e kësaj radhe ishte një risi e madhe në panoramën sociale të Shqipërisë postkomuniste.

 

Megjithatë, nuk mund të mos vërehen disa elemente të cilat, edhe pse nuk i heqin asnjë meritë reagimit popullor të shqiptarëve, janë sërish aty dhe prekin në fakt thelbin e ngjarjes që i nxori në rrugë të rinjtë e të moshuarit e këtij vendi. Nëse u hedh një sy etapave që sollën majisjen e protestave ndaj armëve kimike, do të vesh re pa ndonjë vështirësi të madhe, se historia që prishi gjumin e mijëra vetëve në gjithë vendin, vijon të mbetet edhe sot e errët, kur për të thënë është thënë zyrtarisht “Jo”-ja e shtetit shqiptar. E kjo ka padyshim rëndësi, jo për vetë protestën, por për lojën e madhe diplomatike që u luajt rreth Shqipërisë në këto ditë e që prek marrëdhëniet më delikate që shteti ynë ka me një vend të tretë: marrëdhëniet Tiranë-Uashington. E këtu nis një listë e gjatë supozimesh, në kushtet kur shumëçka rreth operacionit të armëve kimike nuk dihet ende.

 

Sikur ta dinim se sa i vërtetë dhe sa i thellë ka qenë konfidencialiteti që amerikanët i kanë kërkuar Ramës gjatë negociatave, do të kishim marrë vesh edhe dozën e fatalitetit që e shoqëroi këtë histori nga fillimi në fund, me një kryeministër që sot na thotë se e kishte të pamundur të shpjegohej me popullin e tij. Duke u kapur kështu në kurthin vicioz të një procesi ku ai vetë qe palë, por jo dëshmitar publik.

 

Sikur ta dinim sesa përputheshin planet konkrete të amerikanëve për sasitë dhe llojin e helmeve që do të sillnin këtu, me imagjinatën e shfrenuar plot sarinë e gazra që të vdisnin sa hap e mbyll sytë, e cila mori formë nëpër ekranet e televizioneve dhe podiumet e protestave, sot do të ishim më të qartë për rrezikun të cilit i kemi shpëtuar. Por ndoshta-ndoshta, edhe për përfitimet politike e ekonomike që shoqëronin të gjithë operacionin.

 

Sikur ta dinim me siguri se çfarë do të mbetej në tokën tonë nga ato mijëra tonë mbetje të rrezikshme që do të dilnin nga procesi i demontimit, do të ishim më syçelë e realistë në skepticizmin tonë.

 

Sikur të shihnim sesi, krahas eliminimit të helmeve siriane, do të pastroheshin edhe mbi 30 gjirize me mbetje kimike e industriale kudo nëpër vendin tonë, ndoshta do t’i gjenim një kuptim sado të vogël pranimit të sarinës siriane në tokën shqiptare.

 

Sikur ta dinim se cili ka qenë qëndrimi i vërtetë i pakicës parlamentare në këtë histori, pas akuzave të ambasadorit Arvizu për Lulzim Bashën, do të mund të kuptonim edhe sinqeritetin e piskamave patetike të opozitës, në protestat kundër armëve kimike.

 

Sikur ta dinim se cila ka qenë lista e kërkesave të Ramës për amerikanët dhe sesi është pritur ajo nga administrata në Uashington, nuk do ta shfrenonim sot imagjinatën tonë, duke lexuar lloj-lloj shifrash me gjashtë e shtatë zero nëpër media.

 

Sikur ta dinim se sa e ka dëmtuar eventualisht kjo që ndodhi, procesin e afrimit të vendit tonë me BE, do të kuptonim indirekt edhe rolin e peshën e lobimit amerikan (të munguar) pranë autoriteteve të Brukselit.

 

Sikur ta dinim se sa i kanë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane negociatat e fundit të dështuara, do të mund të parashikonim shumëçka për të ardhmen e imazhit dhe pozitës së vendit tonë në botë. Dhe më tej, sikur të dinim sesi shihet tani Edi Rama në Uashington, apo se sa poshtë e negativisht klasifikohen tani Berisha dhe Basha në listë-preferencën e zyrtarëve të lartë amerikanë, do të kuptonim ndoshta diçka më tepër se me çfarë “notash” dalin politikanët shqiptarë nga ky provim i radhës.

 

Sikur ta dinim se çfarë forme do t’i japë kjo që ndodhi pjesës tjetër të mandatit të së majtës në pushtet, apo edhe klimës politike në Shqipëri, do të kishim një ide më të qartë për përmasat dhe impaktin e kësaj krize që i pasionoi kaq shumë shqiptarët gjatë këtyre ditëve.

 

Mund të vazhdohej gjatë me listimin e supozimeve, anëve të errëta dhe të panjohurave të kësaj historie, ku Shqipëria e pa veten në faqen e parë të shtypit botëror për një javë të tërë. Por ja që ne nuk i dimë shumë nga detajet e saj që ka ndodhur me nismën e dështuar të sjelljes së stokut kimik sirian në Shqipëri. E ardhmja do të zbulojë, me shumë gjasë, se cilat kanë qenë negociatat konkrete, rreziqet potenciale që mbartte ky projekt, e padyshim edhe përfitimet e munguara nga kjo tërheqje e qeverisë shqiptare. Konturet e kësaj historie do të kërkojnë kohë të shfaqen të qarta në sytë e një publiku, që për momentin reagoi, me të drejtë, instiktivisht, i shtyrë nga frika ndaj së panjohurës. Ndoshta, kur të shohim që një vend i tretë (Franca apo dikush tjetër), do t’i marrin e do t’i zbërthejnë pa i hyrë gjemb në këmbë ato armë që ne i refuzuam, do të kemi një fije brejtje ndërgjegjeje. Por sërish do të jemi të qetë, pasi ne vërtet nuk e dinim ç’po ndodhte. 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama