Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Parlamenti si kalcomerkato

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Parlamenti si kalcomerkato

Një nga vetitë thelbësore të njerëzisë, sidomos të të rinjve, është aftësia për t’u çuditur, për t’u habitur, për t’u bërë kuriozë… Pas këtyre cilësive vjen zakonisht kërkimi i së vërtetës, qoftë kjo e njohur, apo e panjohur. Dhe kështu vihen në veprim mekanizma që e shtyjnë përpara progresin e një individi, të një shoqërie, të një kombi. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu disa ditë më parë me një pjesë të mirë tonën, kur deputeti Gjovalin Kadeli, deri asokohe i PD-së dhe i zgjedhur me votat e saj dhe të aleatëve, e kaloi si në heshtje gardhin dhe u hodh në grupin e LSI-së. Vetëm pakkush u çudit.

Nuk është hera e parë dhe me sa duket as e fundit, që kalime të tilla forcojnë një grup parlamentar e dobësojnë një tjetër. Ndaj edhe ne që nuk u çuditëm, mbase nuk e kemi pasur edhe aq fort keq. Deputeti në fjalë e justifikoi këtë kalim, jo edhe aq të vogël, pak a shumë me shpjegimin se nuk kishte qenë dakord me Berishën dhe me disa qëndrime politike të tij, se edhe pse do të qëndronte në grupin e mazhorancës, ai, prapëseprapë nuk ishte një ithtar i Ramës e gjëra të tilla. Me një fjalë doli sikur deputeti në një muaj të vetëm ishte bërë befas një ithtar politik, ideologjik, besnik i Ilir Metës. Shpjegimi që tha zor se ka bindur njeri, por, nga ana tjetër, askush nuk priste një shpjegim të logjikshëm në lidhje me këtë punë.

Sikurse e thamë që në fillim, kjo moda e kapërcimit të gardhit tashmë është bërë një punë krejt e zakonshme. Problemi qëndron se a duhet të jetë vërtet kështu? A është normale që një njeri që ka ardhur në karrigen e deputetit me votat e zgjedhësve të një partie befas i lë votuesit e vet në baltë dhe hidhet në krahun tjetër? Sikurse do ta shohim ca më poshtë nëse kini durim e lexoni, në favor të këtyre akrobacive politike ka argumente pro dhe kundër. Përballja mes këtyre dy argumenteve do të na çojë në një tjetër pyetje, edhe më të rëndësishme: A kemi ne një Parlament që respekton “vullnetin e sovranit”? Apo kjo edhe për shumë kohë do të mbetet një ëndërr e lexuar ndër libra të vjetër?

Me thënë të drejtën ne, shqiptarët, mbase nuk kemi traditë të gjatë parlamentare, në kuptimin e parlamentarizmit që zbatohet sot, por paraardhësit tanë këtë fjalë – që vjen nga frëngjishtja parlementer= diskutoj, debatoj, për të gjetur marrëveshje për një problem të caktuar – duhet ta kenë dëgjuar që ndër kohë të vjetra. Një ndër parlamentet që konsiderohen historikisht si më të vjetrat është edhe ai që mblodhi Rozher II, mbreti norman i Sicilisë. Kjo ndodhi andej nga fundi i shekullit XII. Normanët, nëse ju kujtohet, kanë qenë të njohurit tanë të vjetër. Ky parlament, që njihet edhe si “curiae generalis”, ushtronte pushtetin e tij deri në tokat përballë bregdetit tonë.

Më vonë, për shekuj e shekuj me radhë, pushteti dhe njerëzia ishin të ndarë si me thikë. Ndër qytete deri në dekadën e parë të shekullit të XX vepronte sheriati dhe urdhëresat e sulltanit, ndër male, kanunet. Këta, në fakt, e kishin në thelbin e tyre një embrion të parlamentarizimit, sigurisht shumë primitiv, por pesha e Kuvendit të burrave ishte një ligj i fortë, dhe mbase më i fortë s sa këto që dalin sot e kësaj dite. Pikërisht në respekt të atyre burrave dhe të asaj tradite, parlamenti ynë cilësohet si Kuvend.

Nga 1921, kur u mblodh Kuvendi i parë dhe deri në pushtimin e vendit nga Italia në 1939, u hodhën themelet e brishta të një jete parlamentare. Asokohe në Kushtetutën e 1922 shkruhet tekstualisht: “…Çdo mis (deputet) i Parlamentit është i detyruar të bëjë dy be: njërën përpara se të shqyrtohen fuqitë e cilësisë së tij, dhe tjetrën përpara se të nisë zyrën e tij si deputet. Beja e parë është kjo: Betohem në emër të Perëndisë e mbi nderin tim se kam për të kryer detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjanësi të plotë. Beja e dytë do të bëhet me këto fjalë: Betohem në emër të Perëndisë e mbi nderin tim se kam për të ruajtur besnikërisht mëvetësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, se kam për t’i ndenjur besnik Atdheut e për t’i dalë zot statutit e ligjeve të shtetit. Dhe se kam për të kryer detyrën time me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithshme, pa u penguar aspak prej interesash të veçanta, a krahinore”.

Por 18 vjet mbase ishte kohë shumë e shkurtër. Disa thonë se edhe koha e kaluar që nga Parlamenti i parë pluralist e deri më tash, plot 22 vjet, është e shkurtër. Mbase. Por jo gjithnjë na e kanë fajin koha e shkurtër, rrethanat, krizat botërore, armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm e kështu me radhë. Duhet të rrimë e ta vrasim ca mendjen edhe nëse kemi gabuar ne vetë.

Teoricienët e politikës sot shohin dy mënyra të të bërit parlamentarizëm. Më i pari është ai që vendos përballë njëra-tjetrës dy orientimet më të mëdha politike, të majtën dhe të djathtën, ose të paktën, ata që konsiderohen të tillë, që ndeshen fort ndër komisione, në foltore, në debate të tjera publike, me qëllim që të fitojnë zgjedhjet dhe kështu të vënë në jetë programet e tyre. Zakonisht këta kanë një numër figurash të njohura, besnikëria e të cilëve ndaj kauzës, ndaj fjalës që kanë thënë më parë, ndaj zgjedhësve tradicionalë, konsiderohet si proverbiale. Kjo është një mënyrë disi kalorësiake e të bërit politikë, tradicionale, që bën kompromise, por vetëm madhore, më e ndershme, dhe pikërisht prandaj edhe më e rrezikuar. Sepse qeveritë që dalin nga kjo mënyrë shumë shpesh janë të brishta dhe nuk e përballojnë dot votëbesimin në Parlament. Shumë vende, edhe nga më të zhvilluarat në Europë, kanë vuajtur pasojat e kësaj politike. Megjithatë ithtarët e saj, kanë sharmin që t’u afrohen ideve dhe vlerave mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e njerëzve të thjeshtë, të tilla si fjala e dhënë, besnikëria, mirënjohja dhe sidomos, besimi.

Ka edhe një mënyrë tjetër të bëri parlamentarizëm, sidomos i përhapur në këto kohët e fundit. Kjo mënyrë quhet “parlamentarizmi i racionalizuar”. Për ithtarët e saj pragmatistë deri në palcë, vlerat morale që zbatojnë njerëzit e thjeshtë nuk kanë, ose kanë fare pak vlerë në politikë. Qëllimi i tyre i vetëm është që të krijojnë sisteme ligjore në mënyrë që jetëgjatësia e qeverisë, që ata përfaqësojnë ose që do të përfaqësojnë në të ardhmen, të jetë sa më e gjatë. Dy janë mekanizmat që vihen në lëvizje në këtë rast: ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimi i ligjit elektoral. Ligji ynë i fundit elektoral, pikërisht ai që i justifikon edhe të tilla akrobaci parlamentare, është produkt i kësaj mënyre të vepruari. Dy të mëdhenjtë e politikës sonë kanë rënë dakord me këtë dhe pikërisht prandaj herë bëhet njëri viktimë e tjetri përfituesi fatlum. Ligji elektoral në fuqi thotë: rrofshin partitë dhe jo populli, ushtarë dhe dezertorë në vend të mendjeve të hapura dhe interesa meskine në vend të vullnetit të popullit të shpallura me votë. E gjitha kjo në emër të stabilitetit politik që fsheh pas tij pazare politike, të cilat tashmë i quajmë si normale.

Për mendimin tonë modest dhe fare pa përvojë parlamentare, Kuvendi ynë i sotëm vuan nga një plagë e madhe. Me anë të ligjeve dhe rregulloreve ai ka justifikuar një padrejtësi të madhe. Kalimi i deputetëve nga njëri grup parlamentar në tjetrin është jo vetëm i dëmshëm, por edhe i padrejtë. Në radhë të parë ai krijon një ide jo fort të mbarë për partitë vetë, që duket sheshit se çfarë njerëzish kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar. Kjo plagë e rrëzon atë imazhin prej kampioni të ndershmërisë, apo të drejtësisë, atë të përdëllimtarit idealist, që vetë politika e ka aq për qejf. Ai e dëmton idenë e kompromisit duke e zëvendësuar atë me shumën e votave në seancë dhe duke i hequr kështu diskutimit mbi ligjet bazën e vërtetë. Diskutimet propagandistike sipas të cilave deputeti është i zgjedhur i popullit dhe ai ka të drejtë të veprojë si të dojë, në rastin tonë janë vetëm broçkulla pa shije. Do të ishte kështu nëse deputeti do të ishte vërtet i zgjedhuri i popullit, por të gjithë e dimë se deputetët janë të zgjedhurit e partive, a më mirë, me thënë, të kryetarëve.

Në pikëpamje morale, justifikimi, madje edhe ligjërimi, i disa antivlerave, si qëndrimi me dy faqe, mungesa e këmbënguljes, zgjedhja e rrugës më të lehtë, mosmirënjohja, loja në prapaskena, dhe sidomos mungesa e besimit krijon shembuj të këqij për një shoqëri që ka aq shumë nevojë për vlera të shëndosha morale. Do Zoti populli i thjeshtë nuk i merr si normale këto veprime. Do Zoti të jetë e vërtetë ajo që thonë parlamentaristët racionalistë se politika dhe jeta normale kanë dy metra të ndryshëm të vlerësimit të gjërave, përndryshe jo vetëm Parlamenti, por edhe jeta jonë e përditshme do të jetë një pazar i madh e i zhurmshëm deri në shurdhim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama