Gjeneralet e ushtrise se vdekur

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 7 vite më parë

Skënder Minxhozi
Gjeneralet e ushtrise se vdekur

Pesë vjet më parë, në vitin 2008, Parlamenti grek priste të fuste në axhendën e tij të punimeve një votim rutinë. Fjala qe për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit që Shqipëria kishte nënshkruar me Bashkimin Europian, e që kërkonte miratimin formal të të gjitha parlamenteve të vendeve anëtare. Por që kjo procedurë krejt e thjeshtë dhe mekanike të kalonte nëpër Parlamentin e fqinjit tonë jugor, Tiranës i “kërkohej” një nder i vogël. Një ndër shumë favoret që Athina i ka kërkuar asaj në dy dekadat e fundit. Një mision diplomatik në Tiranë i zv.ministrit të Jashtëm grek, Kasimis, në prill të atij viti, zbulonte në atë moment, se nëse pala shqiptare nuk jepte miratimin e saj për ndërtimin e katër memorialëve ushtarakë grekë në Jug të Shqipërisë, qeveria greke do ta kishte të vështirë ta kalonte MSA-në tonë në Parlamentin helen.

Ky episod gjendet fare lehtë në analet e marrëdhënieve të trazuara shqiptaro-greke të dhjetëvjeçarit të fundit. Nuk është akti më flagrant i presionit grek mbi autoritetet shqiptare dhe me shumë gjasë, as i fundit. Ajo marrëveshje e asaj kohe, tashmë ka prodhuar dy memorialë ushtarakë në Bularat dhe Këlcyrë. Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti pala greke ka paraqitur një kërkesë shumë më të gjerë dhe komplekse: burime diplomatike thonë se Greqia kërkon të drejtën për të kërkuar për eshtra ushtarësh grekë në 129 vendgërmime të reja, në tokën shqiptare. Për gjashtë prej tyre duket se kanë nisur tashmë kontaktet konkrete.

Siç shihet, ky është një operacion masiv zhvarrimesh në shkallë të gjerë, para të cilit skenat mjeshtërore të Kadaresë te “Gjenerali”, do të dukeshin si një shaka e rëndomtë. Greqia po investohet seriozisht në avancimin e një të vërtete historike krejt të ndryshme, nga ajo që njohim, rreth pranisë greke, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, në Jug të Shqipërisë. Një skenar që hapur dhe me forcë synon të zyrtarizojë idenë se grekët kanë derdhur gjak për këtë tokë, e se për këtë arsye kërkojnë të gjitha “të drejtat” që ky “status” sjell me vete. Është kjo një përpjekje jo fort e kamufluar për të formalizuar de facto tezën e Vorioepirit, të cilën vetë Athina zyrtare ua ka faturuar historikisht qarqeve nacionaliste të brendshme, e jo linjës së saj zyrtare.

Deklaratat më të fundit të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë greke, nga Këlcyra, me rastin e ditës së “Jo”-së (festa kombëtare e Greqisë), pasqyrojnë një vullnet ende të fortë dhe insistues të qeverisë greke, për të vijuar me linjën e gërmimit dhe zhvarrimeve. Kjo ndodh, megjithëse vetë zoti Sulas e zyrtarë të tjerë të lartë grekë, e dinë fort mirë se në Ballkan, nëse do të hapësh telashe dhe të nxitësh mëri pafund, mjafton të gërmosh diku të shkuarën që qëndron e mbuluar me dhe, në çdo cep të gadishullit.

Rregullisht qeveritë greke e kanë ftuar Tiranën të shohë nga e ardhmja (për shembull kur përmenden çamët ose ligji i luftës), por po aq rregullisht pala greke jeton në të shkuarën, e ushqen politikën e saj zyrtare me bëmat e saj dhe frymëzohet nga reflekse që normalisht duhen konsideruar si të tejkaluara e demode, sa herë që kjo i intereson. Mbetet të shihet nëse në kontekstin aktual, pala greke do t’i vendosë kusht palës shqiptare, vijimin e projektit të gërmimeve, në këmbim të mosbllokimit të procesit tonë integrues në Bashkimin Europian.

Në këta muaj, paralelisht me ecurinë e marrëdhënieve problematike mes Shqipërisë dhe Greqisë, po konsumohet një akt i vërtetë dashurie diplomatike, mes vendit tonë dhe Turqisë. Vizitat e shpeshta të Ramës para zgjedhjeve në Ankara, takimet e ngrohta me Erdoganin, që më pas janë pasuar nga misione të larta diplomatike turke në zonën tonë, e sidomos nga vizita e Kryeministrit turk në Prizren – këto janë shenjat e qarta të një ere të ngrohtë në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe turqve në këto kohë. Megjithatë, kjo është një marrëdhënie dypalëshe, e cila po lidhet shpesh në mënyrë mekanike, e jo të natyrshme, me gjysmëkrizën permanente ku vegjetojnë prej vitesh marrëdhëniet shqiptaro-greke. Sepse në fakt, Tirana duket se po ndërton një marrëdhënie preferenciale me Turqinë, duke pasur parasysh piketa gjeopolitike dhe interesa ekonomike, që nuk përputhen as me varrezat e Luftës së Parë apo të Dytë Botërore, e as me probleme tokësore apo detare që ka vendi ynë me fqinjin jugor. Kësisoj, qeveria shqiptare nuk ka pse të tërhiqet shumë pas lojës së pasqyrave, ku përpiqen zakonisht ta spostojnë debatin shqiptaro-grek mediat dhe të pasionuarit e teorive të komplotit. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës meritojnë të rregullohen brenda një kuadri të caktuar problemesh dypalëshe, që janë shumë më të vjetra sesa miqësia e Ramës me Erdoganin e që nuk janë shkaktuar aspak nga kjo e fundit. Mjafton të dëgjosh kërkesën e fundit të zotit Sulas, për ta kuptuar këtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama