Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Domino!

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Domino!

Guri i Zi është një fshat jo shumë larg Shkodrës, në anë të asfaltit të vjetër që lidh qytetin me Mjedën dhe më pas me Vaun e Dejës. Ca më lart më afër maleve ndodhet Jubani, një tjetër fshat me histori të lashtë dhe me një mijë e një kujtime. Pak kilometra më në veri të tij është Rrenci, dikur i njohur për njërën prej uzinave më të rëndësishme të industrisë mekanike shqiptare, asaj që riparonte makineritë e rënda të hidrocentraleve. Bash e në qendër të fshatit, pranë kishës dhe shkollës ndodhet një shkëmb i madh, krejt i zi, krejt i shkëputur në mes të fushës që zbret ngadalë në brigjet e Drinit. Prej këtij shkëmbi të çuditshëm, fare të dallueshëm nga malet gëlqerorë që janë ende larg, dhe për të cilin thuhet se është një meteor i rënë në këto anë me qindra mijëra vjet më parë, ka marrë emrin vetë fshati. Këtu çohet një jetë e qetë, me një ritëm të pandryshuar prej qindra vjetësh. Fshatarët kultivojnë arat që kanë rreth e rrotull shtëpive, shtojnë dele e dhi, shesin prodhimet në pazaret e Shkodrës dhe kaq. Njerëzia e këtyre anëve është njohur jetë e mot si paqësore, si arsimdashëse dhe punëtore. Banorët kanë gjithashtu namin, të paktën rreth e rrotull Shkodrës, si besimtarë të thekur.

Sikur të mërkurën pasdite, njëri nga Rrenci të mos kishte vrarë një nga Guri i Zi, mbase shumëkush ende nuk do ta dinte se ku binte ky fshat i paqtë, i rrethuar nga shegët dhe mbase nuk e di akoma, porse ama, shumëkujt duhet t’i ketë bërë përshtypje kjo vrasje absurde. Në mos për marrëzinë e saj, të paktën për kuriozitet. Shkaku i vrasjes nuk ishte as më pak e as më shumë se sa një zënkë në… domino. Në këto anë nuk është se vrasja është një vizitore e papritur. Ajo vjen për nder, për tradhti bashkëshortore, për gjakmarrje, për ofendime të rënda, për punë pronash, nganjëherë edhe për plaçkitje, po kurrë nuk ishte dëgjuar që dy burra të urreheshin befas kaq shumë sa që të vriteshin për “dopio gjashtën”.

Tash që po bëhemi gati të “hyjmë” në Europë – sikurse na është bërë zakon ta quajmë një proces të tërë reformash e ndryshimesh a thua se po zhvendosemi realisht e gjeografikisht në drejtim të Veriperëndimit – gjithnjë e më shumë analistë, komentatorë, diplomatë hijerëndë, zonja që buzëqeshin me dashamirësi, të gjithë të huaj na kanë kujtuar se nuk mjafton që ne të bëjmë reforma në letër, të ngremë kartonët në Parlament, dhe me kaq u bëmë njësoj qytetarë të barabartë me ata që kanë për kryeqytet Brukselin. Të gjithë këta që përmendëm kanë theksuar se më parë duhet të përmirësojmë cilësinë e jetës së secilit qytetar shqiptar. Fjalë me vend! Porse, edhe nisur nga vrasja e dominosë, duhet ta nisim me sa duket së prapthi: duhet të përmirësojmë cilësinë e vdekjes. Të paktën kjo të ketë një arsye të besueshme, një mallkim nga Zoti, një fat të paracaktuar, një jetë të marrë në emër të dikujt a të diçkaje, por kurrsesi e asesi më nga “dopio gjashta”.

Ngjarja e Gurit të Zi mund të shpjegohet fare mirë me një marrëzi të çastit të dikujt. Qëllon që njerëzit edhe çmenden në mënyrë fatale. Por kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë. Pas saj fshihet një realitet tjetër, madje një Shqipëri tjetër.

Të gjitha qeveritë, edhe kjo që ka vetëm 40 ditë jetë, janë marrë në mënyrë pompoze dhe ekzibicioniste me prishjen e ndërtimeve pa leje. Gabimisht, prishjet spektakolare e nganjëherë edhe legalizimi i ndërtimeve pa leje, janë konsideruar si “rregullim territori”. Për fat të keq të Shqipërisë e të shqiptarëve, duke qenë se ndërtimet pa leje në zonat periferike formale ka qenë një problem shumë i prekshëm social, por edhe politik (a nuk vijnë që prej andej me qindra mijë vota?) me “rregullim territori” është kuptuar gjithnjë problematika që rrethon qytetet e mëdha, kryesisht Tiranën dhe Durrësin, pastaj zonat turistike dhe kaq. Duket sikur tani kemi dy Shqipëri, njëra që është në fushë rreth qyteteve të mëdha dhe në anë të detit, dhe një tjetër që është e harruar, e zbehtë, e pashpresë, njësoj sikur të mos jetë.

Liria e zhvendosjes ka qenë një nga ëndrrat tona më të mëdha të munguara. Në këtë kuptim, zhvendosja e popullsive rurale në drejtim të qyteteve në fillimet e saj ishte një e drejtë e ligjshme, e justifikuar shpirtërisht dhe deri diku edhe ekonomikisht. Porse tani në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të ri ka ardhur koha që të mendohet seriozisht, nga qeveritë në radhë të parë, por jo vetëm, që problemi i mprehtë social të vijë drejt zbutjes nëse ende nuk i kemi në dorë instrumentet për zgjidhjen e saktë të tij. Ne kemi vërtet qytete të mëdha. Lindja e periferive në kohë ndryshimesh të mëdha ekonomike dhe politike nuk është aspak një problem shqiptar. Bota i ka njohur ato me kohë, vetëm se ka dy lloje “eksperimentesh”. I pari është ai favellave, i barrakoneve gëluese të qyteteve të mëdha në Amerikën Latine, i dyti është ai i Mynihut, Milanos, i Torinos, qytete ku industria përpinte çdo ditë krahë të lirë pune. Një nga shanset tona më të mëdha, është se duke qenë me të paktën 50 vjet me vonesë në krahasim me popuj të tjerë, e kemi përvojën gati, mjafton që ta lexojmë. Në këtë kuptim ne duhet të vendosim se çfarë periferish duam të kemi, duam të kemi barrakone të pashpresa, apo lagje qytetare që lindin sipas planeve të mirëpërcaktuara të mbështetura nga politika të caktuara sociale dhe ekonomike? Duam të kemi fshatarë të qytetarizuar, apo të kundërtën?

Jetojmë në demokraci. Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta e lëvizjes dhe e zhvendosjes së lirë. Të paktën këtë e kemi arritur. Kështu që në bazë të këtij parimi duhet të presim ende fshatarë ëndërronjës që ndërtojnë shtëpi në anë të lumit, kanale që mbushen, prona që zihen mbi bazën e forcës dhe jo të tapive, shtëpitë pa leje do të shtohen aq shumë sa që do të na duhet që në vend të makinave private të përdorim ekskavatorë të fuqishëm. E vetmja zgjidhje, qoftë edhe afatlargët është rikthimi i shpresës në zonat nga këta njerëz vijnë. Jo vetëm, porse përse jo, pak nga pak të nisë lëvizja e popullatës në krah të kundërt. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë dy Shqipëri, njëra që shikon nga Europa, në fushën e ngrohtë dhe afër detit, dhe një tjetër me të cilën nuk merret njeri. Forcimi i shkollave, shëndetësisë, nxitja e biznesit, nxitja e të punësuarve në këto zona, rikthimi i jetës kulturore, investimet e shtuara, forcimi i autonomisë lokale, favorizimi i zanateve tradicionale dhe i prodhimit vendas… nëse ndodhin këto, të paktën nëse merren në konsideratë, do të jetë më mirë për të gjithë: qytetet që nuk mund të mbajnë më me bukë turma kaq të mëdha njerëzish, do të marrin frymë lehtësisht, të rinjtë, sot të pashpresë nuk kanë përse e shohin si të bukur jetën e vakët në Bregun e Lumit, ndonëse edhe atje i thonë Tiranë, enët e gjakut të krejt vendit do të gjallërohen dhe Shqipëria do të marrë frymë lirisht. Vetëm atëherë ndërtimi pa leje do ta humbasë kuptimin e tij, askush nuk do të ketë më nevojë të prishë me shumë zell e dëshirë, askujt nuk do t’i shkojë më mendja të ndërtojë në anë të lumit të frikshëm.

E gjithë kjo punë, mbase e thagmë edhe ca më lart, nuk është vetëm punë e qeverisë, apo e qeverive. Ajo është kryesisht punë e tyre, porse që të nisim të rizbulojmë e të shërojmë “Shqipërinë tjetër” do të na duhet një plan i madh kombëtar me të cilin të jenë dakord të gjithë, majtas a djathtas, në qendër, në krahë, apo ku të jenë. Për ta hartuar atë duhen marrë në konsideratë mendimet dhe studimet e sociologëve, antropologëve, ekonomistëve, urbanistëve, juristëve, politologëve, fjala e të cilëve në këta 20 vjet është dëgjuar fare pak. Nëse vazhdojmë vetëm me zgjidhje emergjencash të çastit, nga ato që bien më shumë në sy, nuk është se kemi bërë keq, por ama nuk i kemi shërbyer mirë së ardhmes dhe kur kjo ndodh qëllon që edhe të të vrasin apo të vrasësh për dopio gjashtën. Gjithsesi, jashtë këtyre gjërave të rënda, të paktën i duhet rekomanduar “Shqipërisë tjetër” që të mos luajë domino edhe për ca ditë. Sikurse e pamë është me rrezik dhe të madh fort madje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama