Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pikëpyetjet e dhunës

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Pikëpyetjet e dhunës

Në kohët tona, të bumit elektronik, të formimit të shijeve nga të tjerët, të të qenët pjesëtar i një turme të madhe laramane shumëmiliardëshe, ndodh rëndom që edhe emocionet, përjetimet, madje edhe ato më të dhimbshmet të formulohen nga të tjerët. Është njësoj sikur dikush të të thotë se kur të dhemb këmba e se kur jo. Para së gjithash, nga mediat e kudondodhura. Ka ndodhur kështu edhe me fjalën dhunë, me sa duket. Dhuna është një fenomen njerëzor, që herë është përdorur nga njeriu për të sunduar mbi të tjerët, herë thjesht për të zbrazur thesin me adrenalinë të infektuar me injorancë, që mban secili në kurriz, herë të tjera instinkte, që nuk dihen se prej kah vijnë, e herë të tjera edhe për të shmangur vetë dhunën. Ky rasti i fundit është ai i shteteve demokratike, ku ne tashmë aspirojmë prej shumë vjetësh të bëjmë pjesë.

Në rastin tonë, ose më mirë me thënë në rastin e realitetit tonë të krijuar apo të nxitur nga mediat, gjithnjë e më shumë fjala dhunë po njësohet me burrat që rrahin gratë, pra e thënë më shkoqur me atë që quhet “dhuna në familje”. Që një mashkull që ngre dorën mbi një femër, cilado qoftë ajo, është një qenie e ulët, kjo nuk ka qoftë edhe fijen më të vogël të dyshimit, që aksioni i përgjithshëm gjithëshoqëror kundër këtij fenomeni, deri disa vjet më parë të pranuar si një gjë normale, është një nga gjërat më të mira që ne kemi bërë, që forcimi i ligjeve kundër këtij fenomeni është një gjë absolutisht e domosdoshme, që shoqëria duhet të përdorë të gjitha bateritë që ka në dispozicion kundër burracakëve të dëshpëruar, edhe kjo është një gjë fort e mirë. Vetëm se në këtë betejë kemi lënë të vetmuar disa grupe sociale. Më e para nga të gjitha kemi lënë vetëm ato, nëna, bashkëshorte, motra, të cilat jo gjithnjë kanë mundësinë të ankohen, kemi harruar që dhunë nuk do të thotë vetëm dajak, por edhe braktisje, ofendim, mospranim i detyrimeve të përbashkëta, kemi lënë vetëm policët, hetuesit prokurorët, gjykatësit, të cilëve u duhet të merren direkt me këtë aksion të përgjithshëm, kemi lënë vetëm shumë e shumë aktivistë e aktiviste dhe shoqata OJQ.

Ndodh kështu sepse dhuna në familje nuk mund të merret asesi e shkëputur nga kulti i dhunës që ushqehet kudo në çdo hap e në çdo prag. Ne, me të drejtë a pa të drejtë, kjo ha shumë diskutim, aspirojmë të jemi pjesëtarë të familjes së madhe europiane. Porse ne harrojmë që Europa është ngritur mbi forcën e arsyes dhe jo të të fortit. Tani le t’i hedhim një sy lagjeve ku jetojmë, periferive tona, fshatrave, komunave. Cilët janë personat më të efektshëm, apo më të vlerësuar si të suksesshëm? Sigurisht të fortët e lagjeve, fshatrave, komunave e kështu me radhë. Janë ata që ngrefosen të pashqetësuar mbi makinat e tyre me xhama të errët. Janë pikërisht ata, që edhe kur nuk mbajnë kallashnikov, rrisin me krenari këlyshë Rothweiler a Dobermann, si një nostalgji e dashurisë për armën vrastare, janë ata që nuk pyesin as për policin e thjeshtë dhe as për ndokënd tjetër edhe më të pushtetshëm.

Tani, shtrohet pyetja: Në një vend ku, kulti i heronjve, trimave të pathyeshëm, forcës fizike e kështu me radhë, është kultivuar për motive historike në fillim, më pas ideologjike dhe më pas për paefektshmëri të shoqërisë dhe të shtetit, është shndërruar për shumëkënd në një mënyrë jetese, në një vlerë gati-gati estetike, në një kod të sjelluri, a ka mundësi që të funksionojë e gjithë kjo betejë e jona kundër dhunës në familje?

E thamë një herë dhe e përsërisim prapë, dhuna në familje është një nga gjërat më të shëmtuara që mund të sajojë një mendje e sëmurë njerëzore, sikurse edhe aksioni kundër saj është një nga gjërat më të mira, që shoqëria shqiptare ka ndërmarrë në këto 20 vjet. Por a mjafton vetëm kaq? Si mund ta largojmë idenë që i forti është shembulli për t’u ndjekur, është më i suksesshmi, më i mbari, madje edhe më i pashmi? Kjo pyetje kërkon një debat të gjerë specialistësh të sociologjisë, ekonomisë, pedagogjisë, mediave, sigurisht që po. Ndaj në pak rreshta gazete përgjigjja është një e vetme: Secili të bëjë detyrën e tij në fushën që ka marrë përsipër për ta çrrënjosur njëherë e mirë këtë kult primitiv, që na e mbyll horizontin, na e errëson ditën dhe na e frikëson natën. Më e para nga të gjitha është të bërit e detyrës sonë si qytetarë. Skena të tilla si në 1997-n e marrosur, kur babai ushtarak e mësonte të bijën 5-vjeçare se si qëllohet me pistoletë drejt e në shenjë nuk ka përse të përsëriten më. Në vend që t’i blejmë pistoleta lodër fëmijëve më mirë t’i blejmë “Aventurat e Tom Sojerit”, apo ndonjë libër tjetër. Duke i mësuar kështu, që t’i respektojnë të tjerët dhe jo që t’i shkelin me këmbë vetëm për hir të muskujve apo të vetullave të kërcyera kërcënueshëm, do të mund që, pak nga pak, me durim të krijojmë rreth vetes një vend ku të gjithë do të zënë vendin e tyre. Nëse këtë punë e lëmë vetëm në dorë të ligjit, apo të OJQ-ve, atëherë fjala “dhunë” do të jetë vetëm sinonim i idiotit të bërë tapë që rreh gruan dhe do të harrojmë se dhuna është një grackë e madhe për të gjithë ne, është një pjesë e negativitetit njerëzor e cila mezi ç’pret që të aktivizohet.

Meqë ra fjala, pikërisht ne që bashkëjetojmë ndër lagjet tona, me burra që rrahin gratë dhe pastaj dalin krenarë në lagje, pikërisht ne që për ndonjë shok të vjetër të fëmijërisë themi me krenari “ai po që është burrë. Bëri dy vrasje po e përballoi burgun si burrë”, pikërisht ne kërkojmë në të shumtën e herëve që politika jonë të jetë e paqtë. Njësoj sikur politikanët të mos kenë lindur në këto anë, por në një planet tjetër të paqtë ku fryjnë vetëm fllade mikluese dhe ku shfaqen ylbere të shumtë plot ngjyra. Është afërmendsh, që politikanët presupozohen të jenë në krye të zhvillimit të vendit, e pra edhe në krye të fushatës antidhunë, porse atyre do t’i bëhej më e lehtë detyra nëse secili prej nesh do të gërmonte ndonjëherë, sidomos në kohë të lirë, thellë brenda ndërgjegjes së tij dhe të pyeste veten: Mos vallë e kam dreqosur këtë herë? Shumë herë mjafton vetëm kaq. E liga nis të ikë vetëm atëherë kur e ndien veten vetëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama