Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Votimi i Metës dhe LSI

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Votimi i Metës dhe LSI

Votimi për kryetarin e ri të Parlamentit, Meta ishte ngjarje e rëndësishme e këtyre ditëve të para të themelimit të institucioneve të reja që do qeverisin vendin. Mënyra si u zhvillua, rezultati që prodhoi, reagimet shfajësuese apo mbështetëse për këtë rezultat janë parathënëse të disa zhvillimeve të sotme dhe të nesërme.


Nga përbërja e komisionit që administroi votimin u kuptua se zoti Meta ishte investuar shumë në një rezultat që do të shënonte sukses cilësor dhe eventualisht njohjen apo dijeninë e atyre që kanë votuar pro tij, me gjithë fshehtësinë e votës. Me një fjalë, zoti Meta është investuar që të kapërcente shumicën e thjeshtë politike që sot po pagëzohet juridikisht. Dy anëtarë të Kryesisë së LSI-së, Braho dhe Rama, në këtë komision, ishin indirekt tregues të rëndësisë që Meta i jepte numrit të votave pro që do të arrinte dhe për të cilin me siguri ka punuar jo thjesht mbi baza individuale.


Në përfundim, rezultati i votimit të fshehtë tregoi që e majta, pra Partia Socialiste në veçanti, ka votuar pa asnjë firo pro Metës dhe rezultuan 8 vota të tjera pro nga ana e asaj që quhet opozita zyrtare sot. Është krejt e qartë që me një votim të fshehtë Meta mund të kishte marrë ndonjë votë kundër dhe brenda PS-së, por me shumë gjasë, Rama i ka detyruar të vetët të votojnë pa asnjë mëdyshje pro Metës, duke i treguar luajalitet aleatit të vet. Pa hyrë në zbulimin e votuesve pro Metës brenda opozitës, është krejt e qartë që as PR-ja, as PDIU-ja, as Shehi dhe as Ndoka, si parti nuk kishin asnjë interes të votonin pro tij. LSI-ja brenda së majtës është partia kryesore që e kushtëzon PS-në me mospërfshirjen brenda koalicionit qeverisës të partive dhe individëve të tjerë nga opozita, diçka që i defavorizon ato në raport me gëzimin e pushtetit. Pra, me shumë gjasë, pjesa më e madhe e votave pro Metës vijnë nga ana e PD-së. Edhe sikur të mos jetë kështu, dalja me deklarime politike të votës kundër nga ana e PR-së dhe PDIU-së e thekson këtë fakt. Nëse këto dy parti e kanë bërë të qartë se kanë votuar kundër, pse PD-ja nuk e bëri të qartë zyrtarisht pozicionin e vet, apo pse nuk përbetohet se ka votuar kundër?


Parë në këtë mënyrë, disa vota pro Metës tregojnë minimalisht mungesën e parë të disiplinës brenda opozitës së re në shfaqjen e tyre pagëzuese politike. Por mungesa e ndonjë reagimi të vendosur para, gjatë dhe pas votimit nga ana e PD-së kundër kandidaturës së Metës tregon se këto firo nuk janë të rastësishme, por të vetëdijshme. Nuk janë tregues thjesht dhe vetëm i ndikimit individual që Meta ka brenda opozitës së sotme. Ato janë tregues i një deficiti të madh moral që kjo opozitë, më saktësisht PD-ja, po vazhdon të tregojë kundrejt LSI-së së drejtuar nga Meta. Pasi ka qeverisur me LSI-në për 4 vjet, PD-ja vazhdon të shpresojë sipas fabulës së vjetër se dikur diçka mund të bjerë përdhé dhe LSI-ja mund të shkëputet prej PS-së duke e rrëzuar shumicën qeverisëse. Nuk ka kurrgjë të dënueshme politikisht në këtë qasje, e cila mban në këmbë në fije të perit shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por ama moralisht ka diçka që nuk funksionon. Kjo frikë, kjo lëpirje e PD-së ndaj LSI-së, është duke prodhuar në ligjërimin politik të PD-së, përfshi atë të kryetarit të saj historik, arsyetime banale mbi shkaqet e humbjes historike të këtyre zgjedhjeve. Nga njëra anë thonë se ne humbëm për shkak se populli u gënjye nga premtimet antiglobaliste të Piktorit, nga ana tjetër thonë se PS-ja nuk pati rritje në raport me zgjedhjet e 2009-s (?!). Po si humbi atëherë PD-ja? Me frymën e shenjtë? Pse nuk përmendet LSI-ja në gjithë këtë ligjërim, as për mirë, as për keq?


Rasti i parë i testimit të qasjes politike të PD-së ndaj LSI-së rezultoi ai që rezultoi: servilizëm, ushqim iluzionesh se nesër kjo parti e udhëhequr nga Meta mund të kalojë sërish me PD-në. Me shumë gjasë, PD-ja, duke marrë parasysh sistemin aktual zgjedhor, ka arritur në përfundimin se nuk mund të vijë kurrë në pushtet pa LSI-në. Nëse PS-ja nuk ia arriti në gjithë ballafaqimet zgjedhore pas 2008-s, pse do t’ia arrinte PD-ja ndërsa PS-ja ka qenë gjithnjë partia më e madhe e vendit? Është ky momenti kyç që përcakton sjelljen e PD-së ndaj LSI-së, sot dhe nesër. Është kjo qasje praktikisht e dy partive që e blindon LSI-në në qendër të politikës shqiptare, si një fuqi përcaktuese.


Është krejt e qartë ndërkaq se duke llogaritur këtë, Ilir Meta u përpoq që ta shndërronte këtë votëbesim parlamentar për figurën e tij në një sukses politik për imazhin e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Dhe ia arriti në sprovën e parë. Duket ndërkaq shumë e vështirë të dështojë në sprovat e tjera. Dhe mesazhi i votimit të tij në Parlament ndërkohë vlen për të gjithë, majtas dhe djathtas.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama