PD me Bashën kryetar de jure

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 8 vite më parë

Mentor Nazarko
PD me Bashën kryetar de jure

Për shkak të një amendamenti kushtetues, i cili kaloi thuajse pa vëmendje, midis certifikimit të zgjedhjeve dhe legjitimimit të qeverisë së re po kalon një kohë bukur e gjatë. E pikërisht për shkak të kësaj kohe bukur të gjatë jemi duke përjetuar një gjendje hermafrodite të Partisë Demokratike: hëm në qeverisje, hëm në opozitë. Këto dy statuse të PD-së në të dy rolet, apo të ulur në dy karrige, prodhojnë lajme të çuditshme. Njëherë Berisha i zotohet publikisht ambasadorit të Iranit se nga Shqipëria s’do t’i vijë kurrë ndonjë rrezik për sulm, dhe më anë tjetër, si opozitë, qortohet Partia Socialiste se është tërhequr që tani nga premtimet qeverisëse! Përballë një dualizmi si ky, konsumuar në një kohë kaq të shkurtër, në pikëpamje historike ngjan kuturisje e guximshme të arrish ndonjë përfundim shterues për sjelljen apo suksesin e kësaj partie nesër.

Sot, ajo ka një kryetar që legalisht duhet të ishte kryeministër, por që s’ka asnjë mundësi praktike ta veshë këtë kostum; sot ajo nuk ka forume të zgjedhura as prej mandatit partiak që shkoi, dhe as me mandatin e ri që filloi me Bashën etj. etj. Sot, qeveria insiston se është në punë deri ditën e fundit, por në vend të luftës ndaj krimit apo zgjidhjes së problemit të romëve, merret me darovitje koncesionare të sekondës së fundit dhe me opozitë të parakohshme në media sociale. Megjithatë, rreth sjelljes së çuditshme të kësaj partie mund të bëhen disa vëzhgime që nuk janë konsoliduar mjaftueshëm sa të shpallen si përfundime shteruese. Prej këtyre vëzhgimeve mbi të përditshmen e PD-së, nëpërmjet qasjes krahasuese, qoftë në rrafsh kombëtar, qoftë në rrafsh ndërkombëtar, mund të arrijmë të përfytyrojmë deri diku se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me partinë që në 4 vitet që do vijnë do të jetë partia kryesore e opozitës.
   

Nuk ka asnjë mendje të arsyeshme që të mos e kuptojë se, nëse PD-ja do të vazhdojë të funksionojë si opozitë me stampën cilësore të Berishës, për pasojë me ndikimin e tij të madh në qëndrime dhe veprime, jeta e saj larg pushtetit do të jetë shumë e gjatë. Kjo lloj partie mbetet akoma e prapambetur në llojin e mjeteve politike që përdor. Është antieuropiane për nga ashpërsia retorike që rezervon jo vetëm ndaj rivalëve politikë, por edhe ndaj shtetasve të huaj, ekspertë, ish-kryeministra apo qytetarë të zakonshëm që janë fajtorë pse takojnë këta rivalë. Po bëhet antiamerikane, pasi si mund të quhesh nëse je rregullisht si parti kundër të gjithë ambasadorëve të aleatit tonë më të madh. Intonon herë pas here nota të disekuilibrit politik, siç ishte për shembull rasti i reagimit ndaj Ramës për gjoja provokimin me emrin e Enver Hoxhës, pse ca urbanistë të huaj dhanë disa propozime për vilën e Enverit dhe Piramidën. Do jetë larg pushtetit, sepse kjo parti për shkak të recidivizmit të vet politik që po shfaqet dhe sot dhe s’dihet se kur do ndryshojë, nuk gëzon më simpati masive popullore, siç u duk më 23 qershor apo dhe në Rrethinë. Më 23 qershor u ndëshkua aq rëndë me votë, sa humbësit e trullosur mbase nuk e kanë vetëdijen e disfatës. Mjaft të shikoni faqen e internetit të PD-së apo dhe të Berishës për ta kuptuar iluzionin dramatik që prodhon kokëmushkësia në këtë lloj politike: atje ende shikon foto uraganesh epike, të papara, të zjarrta të mitingjeve të fitores që nisin nga Klosi dhe përfundojnë në Tiranë, por që në kuti u përkthyen në rezultatin zgjedhor më të ulët edhe se ai i 1997-s. Ai lloj drejtimi politik mbase mund të sjellë me zor miliona njerëz në sheshin e një tubimi siç tregon fotoja e trishtë, e rrejshme e mitingut të Tiranës – foto e profilit të Berishës, por brenda kutive zgjedhore përkthehen në dështim
Trashëgimia e Berishës


Megjithatë, kjo s’do të thotë se është realiste të mendosh që Berisha duhet të mënjanohet nga jeta publike pa dëshirën e tij. Kjo as mund të ndodhë dhe as duhet të ndodhë. Ai përfaqëson memorien historike të partisë që i duhet aq shumë kryetarit të ri, por në asnjë mënyrë ai s’mund dhe s’duhet të jetë dikushi që vendos për gjithë qëndrimet e PD-së për arsyet e mësipërme, por dhe për ca të reja. Problemi është ama te roli i tij. Që në këta muaj, megjithëse hermafroditë të PD-së, është dukur qartë dështimi i kësaj lloj politike që ka autor Berishën në kontekstin e ri. Po sulmohen pa dallim veprimet e Ramës, që po përgatit qeverisjen e re, sipas formulës së hershme «çfarë uji i ke dhënë gomarit» dhe, megjithëse sulmohet gjithçka, duket qartë se këto sulme s’kanë asnjë lloj impakti publik. Dështimi ndihet në një moment të përbashkët të të gjitha këtyre qëndrimeve: ato nuk përfaqësojnë as iniciativë të re politike dhe as marrje nga duart e kundërshtarit të iniciativës politike. Rama ka zgjedhur të injorojë tërësisht këtë lloj opozite. Nuk ka frikë prej saj dhe, me injorimin absolut të sulmeve të PD, ngjan i bindur se ndikon më shumë elektoralisht. Në një situatë si kjo, PD-ja e drejtuar nga Berisha (Basha s’ka gisht në thuajse asgjë) shfaqet krejtësisht jashtë realitetit: si mund të quhet efektive, realiste kjo lloj politike, që injorohet sistematikisht dhe pa asnjë mëdyshje prej kundërshtarit? Aq shumë dëshpërim ka krijuar ky injorim i Ramës, sa me gjasë nën ndikimin e Berishës, Basha për t’u protagonizuar si kryetar i PD-së, reagoi me vrap ndaj dy inicialeve H.V. që Rama nxori në facebook. Mundet që ato kanë qenë fyerje për Bashën, por po sikur të mos kishin lidhje me të, çfarë kuptimi kishte reagimi përgjegjës i tij, përveçse të një autolezionizmi të pastër? Ne nuk na shqetëson fati i PD-së me këtë dualizëm në status dhe recidivizëm, por vendit i mungon dialektika politike normale. Në një situatë të tillë, sulmet e stilit të vjetër që shiten për qëndrime politike ose janë veprime taktike për të mbuluar jehonën e akteve të fundit qeverisëse (koncesione, privatizime, leje) që mbajnë erë të keqe, ose dëshmi e çrregullimeve të mëdha për shkak të humbjes të rëndë.


Me gjithë një situatë kaq të trishtë nga kampi i PD-së, ka tek- tuk ndonjë lajm të mirë. Basha, përkundër kritikëve të rreptë të tij, me gjithë nevojën për të ngjarë pasues i Berishës, ka treguar dy momente pavarësie. Së pari, në qëndrimin ndaj ambasadorit amerikan. Basha nuk u përfshi kurrë në sulmet ndaj tij, qoftë dhe indirekt. Dihet se kurajozët prej PD-së që dolën për të sharë në mënyrë burracake ambasadorin amerikan nuk ishin me iniciativë të Bashës, kështu që kreu i ri i PD-së është në rregull në planin etik dhe diplomatik, duke dëftyer një pavarësi minimale prej shefit të tij, Berishës. Ky i fundit është i njohur për përdorje vartësish si këto që s’janë as kanunore, as politike dhe as njerëzore, dhe për fat të mirë kreu de jure i opozitës së ardhshme, nuk u bë vegël e kësaj qasjeje. Është miopi të mendohet se SHBA-të, autoriteti global i të cilave mbështetet veç të tjerash dhe në ruajtjen e dinjitetit të kryediplomatit të vet në një vend të caktuar, nuk po mbajnë shënim për sjellje kaq të disekuilibriuara si sulmet ndaj ambasadorit amerikan. Kritikët e tij me urdhër të Berishës zgjodhën qëllimisht një formë brutale reagimi ndaj Arvizut dhe jo një formë demokratike, që mund të pranohej brenda dialektikës së lirisë së opinionit në një sferë demokratike. Basha nuk u bë pjesë e këtij brutaliteti, përkundrazi, e ftoi ambasadorin amerikan në takim, me gjithë hilen që mund të ketë qenë prapa ftesës për të vizituar selinë e re që cenon të drejtën e pronësisë së një shtetasi amerikan.


Basha po tregon pavarësi edhe me heshtjen e tij të gjatë në momente të caktuara, sado paradoksale të duket kjo. Nëse Basha do të reagonte për të gjitha gjërat që po flet Berisha, s’do kishte asnjë alternativë veçse të fliste si ai, në një gjatësi vale me të, me terma mundësisht më të ashpër sesa ai. Nëse ai herë pas here s’po flet ndërsa po flet Berisha, kjo do me thënë më shumë mundësi se ai s’do të nxjerrë sheshit diferencat në qëndrime me kryetarin historik, nunin, pagëzuesin e tij politik, tutorin e tij.


Në këtë periudhë të shkurtër nga këndvështrimi historik – 2 muaj janë pak megjithatë-, mjerisht po kuptojmë se Berisha do të vazhdojë të dominojë akoma gjatë jetën e partisë, që pas 11 shtatorit mbetet të jetë partia më e madhe e opozitës. Për Bashën do të jetë e vështirë të tregojë unin e tij, veçse nëpërmjet heshtjes apo bisedave të mbyllura me diplomatët dhe miqtë. Bashës i duhet kohë të krijojë fluksin e vet politik, ekonomik dhe mediatik, i cili, ndonëse i bekuar prej Berishës, do duhet ta imponojë Berishën të heshtë kur duhet. Kur Gorbaçovi mori pushtetin, ekspertët perëndimorë parashikonin se atij i duheshin deri në 5 vjet që të krijonte këtë fluks. Pa shqetësimin për fatin politik të Bashës, megjithatë shumë pikëpyetje ngrihen për diçka. Nëse vijon kështu si në këta dy muaj, a do të jetë gjithmonë PD-ja partia më e madhe së djathtës, apo frymën e saj mund ta përfaqësojë dikush tjetër, si kudo në Lindje, kur partitë e mëdha të opozitës që hynë në fillim të viteve ‘90 u shkatërruan dhe në vend të tyre lindën të reja?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama