Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse ngjarja e Përmetit është një ngjarje kombëtare?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Pse ngjarja e Përmetit është një ngjarje kombëtare?

Ngjarja e Përmetit është, pa diskutim, nga ngjarjet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar për nga implikimet që bart dhe precedentët që mund të vendosë në ecurinë e mëtejshme të këtij tranzicioni, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të jashtëm. Pse e themi këtë? Dhe cilët janë disa prej këtyre precedentëve? Në një shikim të ngushtë, në Përmet kemi veprimin e vendosur, megjithëse të vonuar, të institucionit të Përmbarimit, që është një funksion publik por me administrim privat, në zbatim të një vendimi gjyqësor të të gjitha shkallëve, përfshi dhe Gjykatën Kushtetuese.  Kemi vendosjen e drejtësisë në vend, kur një institucioni kulturor, në varësi të pushtetit lokal, po i kthehet prona në tërësinë e saj, ndërsa mëtonjësit pretendojnë se kjo pronë u takon atyre, pasi kanë zotëruar dikur 14% të truallit të dikurshëm. E gjitha luhet në Përmet, një qytet me traditë të madhe kulturore, bashkëjetese fetare, me histori që lidhet me fqinjin jugor (Lufta Italo-Greke mbolli shumë varre ushtarësh që sot janë grupuar në varrezën e Këlcyrës).

 

Kisha ortodokse ka pretenduar territorin ku është ngritur Pallati i Kulturës pa dhënë prova të besueshme në gjykatë apo dhe sot para opinionit publik, dhe ky ngjan versioni i vërtetë. Edhe sprova e sotme video (e vonuar e kryepeshkopit) për të provuar drejtësinë e pretendimit të kishës, nuk është mbushamendase. Me përfytyrimin mbi gjykatat e sotme duhet menduar se vendimi i tyre ka qenë i drejtë.

 

Më lehtësisht në disa nivele, ato do vendosnin në favor të kishës (për më shumë ndikimi grek në Jug të vendit ka qenë shumë i madh në periudhën e vizave dhe është akoma mjaft i madh) sesa në favor të një institucioni të dobët dhe pa mbështetje qendrore, si Bashkia e Përmetit. Ngjan e pabesueshme dhe hipoteza e interesave ndërtimore në një zonë si Përmeti, ku nuk ka presion të madh për të ndërtuar, për shkak të mungesës së kërkesës për banesa në një zonë aq të varfër dhe të largët nga Tirana dhe zonat e mëdha urbane ku ka stok të madh apartamentesh të pashitura. As hipoteza e bilardove dhe kumarit që don të rifusë në luftë Greqinë me Shqipërinë.
Pikëpyetjet më të mëdha për atë çka ndodh janë pse Greqia vendosi të reagojë kaq shpërpjesëtueshëm ndaj veprimit të Përmbarimit, në të cilin me shumë gjasë nuk ka asnjë frymëzim të partive të mëdha, respektivisht shumicës së vjetër dhe asaj të re? Në sipërfaqe duken se janë disa arsye që lidhen me kontekstin kohor dhe hapësinor kur ndodhi kjo ngjarje. Rikthimi i pronës te Pallati i Kulturës do të ishte ndëshkim ligjor i linjës uzurpatore të Kishës Ortodokse Autoqefale të udhëhequr nga peshkopi grek Janullatos, i cili megjithëse paraqitet si akademik, ka vënë dorë, mban apo sulmon me forcë nëpërmjet të besuarve të tij një institucion kulturor.

 

Nuk është në frymën e Ungjillit reagimi i dhunshëm i njerëzve të Kishës, megjithëse si përgjigje ndaj dhunës së policisë private, që mund të ishte më e përmbajtur, më e kujdesshme. Pra, ky rikthim i ligjshëm i pronës është një goditje e madhe për imazhin e kryepeshkopit. Ai shënon një dobësim të fuqisë së tij në rrafsh vendor, brenda Kishës, apo në një zonë si Përmeti. Greqia s’mund ta pranojë këtë ndryshim, këtë cenim të imazhit apo forcës së “njeriut të saj”, në krye të Kishës Ortodokse të shqiptarëve. Ndërkohë, kemi diçka tjetër shumë të rëndësishme: Greqia ka synuar historikisht të ruajë paternalizmin e vet mbi Kishën Ortodokse shqiptare dhe Janullatos as që është kujdesur të na qetësojë se është jashtë këtyre synimeve. Kryepeshkopi është përfshirë publikisht në çdo ndërmarrje të Greqisë në Jug të vendit, në shkolla të reja greke, në hapje varrezash dhe tani në Përmet. Nëse kryepeshkopi do kishte ndjeshmërinë e duhur për vendet e shenjta të ortodoksisë shqiptare, do duhet ta kishte dhe për kisha të tjera të vjetra me karakteristika autentike shqiptare. Përkundrazi, kryepeshkopi është përfshirë dhe në zhvarrimet e Kosinës, ku prifti sharlatan i Përmetit ka qenë aktor kryesor si dhe sot në krye të të paguarve nga jashtë qytetit të urtë që dhunuan rojet e policisë private. Greqia po reagon brenda kësaj qasjeje paternaliste, megjithëse në Përmet nuk ka minoritet grek dhe për sytë e botës reagimi i saj është tërësisht i pamotivuar. S’kemi asnjë qëndrim europian për atë që ndodhi në Përmet, me gjithë përpjekjet e Greqisë për ta nxjerrë problemin jashtë Përmetit dhe Ballkanit.

 

Që Greqia nuk ka legjitimitet në këtë ndërhyrje, u duk dhe kur ajo shtoi si motive dhunimin e dy shtetasve grekë në ngjarjet e Përmetit apo një guriçkë në oborrin e Konsullatës së Gjirokastrës. Mund të ketë dhe një shpjegim tjetër në reagimin e shpërpjesëtuar dhe të pamotivuar grek në lidhje me rastin e Përmetit që po përkthehet masivisht në bllokimet në kufi, diçka që ngjan tërësisht ballkanike. Greqia është nervoze ndaj afrimit të maxhorancës së re me Turqinë, dhe nëpërmjet futjes së rastit të Përmetit në problematikën dypalëshe apo të BE-së, synon të afirmojë pozitën imponuese ndaj shtetit shqiptar si në këta 20 vjetët e fundit. Ndoshta Greqia synon ta kompleksojë maxhorancën e re në kuadër të riaktivizimit prej saj të ndonjë problemi historik sipas skemës: që ti të mos kesh gojë të hapësh për diçka, po filloj unë i pari të kërkoj!
 Precedentët që


krijohen në Përmet


Siç e thamë në fillim të shkrimit, në Përmet, veçanërisht nëse do të pranohet rikthimi i dhunshëm i kishës në Pallatin e Kulturës, do vendoseshin disa precedentë të rrezikshëm për shtetin shqiptar. Për marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet e shtetit me komunitetet fetare, për ato midis vetë komuniteteve fetare, ato të qytetarëve me shtetin etj.
Precedenti i parë do të ishte zyrtarizimi përfundimtar i të drejtës së Greqisë për të pasur rolin paternalist ndaj Kishës Ortodokse shqiptare, që në letra është autoqefale. Pra, nëse ky rol pranohet në Përmet, ai do të pranohet kudo dhe për çdo rast.


Precedenti i dytë lidhet me shkeljen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që prapë ka brenda Greqinë. Nëse Shqipëria e shkel këtë vendim për kishën e Përmetit, atëherë do duhet ta shkelë në tërësinë e vet edhe për kufijtë detarë, për të cilët priten negociata të reja.


Precedenti i tretë është ai që lidhet me marrëdhëniet e komuniteteve fetare me shtetin. Praktikisht me sjelljet dhe deklaratat e padenja të kryepeshkopit, njerëzve të tij në Përmet, të të ashtuquajturve besimtarë, udhëheqja e komunitetit ortodoks shqiptar rezulton më problematikja, më arrogantja në marrëdhëniet me shtetin shqiptar. Nuk kemi parë kryesues të komuniteteve të tjera të bëjnë deklarata si ato të Janullatosit, megjithëse për shembull Komuniteti Mysliman është pronari më i madh i pakompensuar në territorin shqiptar. Asnjeri prej tyre nuk ka akuzuar pjesëtarë të feve të tjera për veprime të caktuara të autoriteteve shtetërore, siç bëri kryepeshkopi, që megjithatë, iu desh të mobilizonte “besimtarë” nga Gjirokastra dhe Greqia për të ripushtuar Pallatin e Kulturës. Nëse shteti shqiptar do t’ua njihte të drejtën ortodoksëve për të uzurpuar paligjshmërisht një pronë që nuk i takon, atëherë komunitetet e tjera, në veçanti ai mysliman, që ka pasuri të mëdha, kanë plotësisht të drejtë për të uzurpuar pronat që regjimi komunist u ka marrë padrejtësisht dhe që asnjë qeveri e tranzicionit nuk ua ka rikthyer. Komunitetet e tjera do ndiheshin të frustruara dhe në raport me vetë komunitetin ortodoks në lidhje me këtë çështje, dhe s’do kishte asnjë çudi që të kishim dukuri të ngjashme dhe në rrethe të tjera. Madje kryepeshkopin sikur e mëson shejtani në fryrjen e zjarrit mes komuniteteve, ndërsa në një material videoje dje bënte një farë paravolie, ndërsa i referohej Kuranit…


Ky precedent i uzurpimit do legjitimohej dhe për qytetarët e tjerë të zakonshëm në shkelje të vendimeve të gjykatave apo jashtë tyre.


Për të gjithë këto arsye, por dhe për të tjera, në Përmet është në lojë sot dinjiteti i shtetit shqiptar përballë Greqisë, por dhe forca dhe autoriteti i tij në shkallë vendore. Maxhoranca e re, e cila me të drejtë nuk po reagon duke mos e përfshirë rastin e Përmetit në problematikën dypalëshe, siç edhe është qëllim i Greqisë, duhet ta kuptojë se prej këtij qyteti të vogël mund të kemi një pikë kthese pozitive në marrëdhëniet me fqinjin. Prej Përmetit duhet të dilet përfundimisht nga historia e koncesioneve të mëdha që qeveritë e mëparshme i kanë bërë Greqisë, e cila s’ngopet kurrë dhe gjithmonë mund të bëjë shantazh nëse nuk i tregohet vendosmëri. Nuk duhet retorikë antigreke, por vendosmëri në zbatimin e ligjit dhe tregim pa fjalë i kufirit të veprimit të Greqisë në marrëdhëniet dypalëshe. Duhet reciprocitet, siç veproi shefi i Policisë Kufitare të Gjirokastrës, dhe atëherë kemi tjetër pamje.


Rasti i Përmetit, pasi të respektohet ligji, duhet zgjidhur me konsensus. Kisha mund ta rimarrë Pallatin ekzistues të Kulturës vetëm pasi të ndërtojë një pallat të ri kulture. Ndërkohë ka ardhur koha e zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënieve të shtetit me komunitetet fetare. Duhet miratuar një ligj për fetë sipas një modeli perëndimor, në përputhje me frymën e Kushtetutës. Ky ligj duhet të jetë jashtë ndikimit të Greqisë, e cila është përpjekur sistematikisht të ndërhyjë në tekstin e tij, duke sjellë si pasojë mungesën e një baze ligjore. Mbi këtë bazë dhe të Kushtetutës duhen miratuar marrëveshje të vërteta të detajuara me bashkësitë fetare në përputhje me praktikat më të mira të Shqipërisë në kohën e mbretërisë, apo të vendeve të tjera. Komuniteteve fetare i duhen rikthyer dhe kompensuar të gjitha pasuritë, por ama ato duhet t’u nënshtrohen detyrimeve për të shkëputur lidhjet informale me shtetet e tjera, siç po ndodh sot kur një polic kufitar grek merr shpagim për kishën e Përmetit ndaj një gazetari apo turisti shqiptar që don të pushojë me çmime të lira në Greqinë ende në darën e krizës ekonomike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama