Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një çështje vullneti

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 11 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një çështje vullneti

Nëse doni të kuptoni thjeshtë dhe shpejt se çfarë peshe ka për fatet e një vendi, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe harmonik të një shoqërie, angazhimi real i të zgjedhurve të saj dhe përgjegjshmëria e serioziteti i tyre, hidhini një sy kësaj që po ndodh këto orë në Shqipëri.

Aty ku prej fundit të qershorit, kur u afishua fituesi dhe humbësi i zgjedhjeve, mbretëron një situatë absurdi dhe kaosi total. Qeverisja po merr çdo ditë e më tepër trajta që shkojnë drejt qesharakes, me mbledhje qeverie që s’janë më mbledhje dhe me deklarata që në vend të podiumeve të institucioneve,  bëhen përmes rrjeteve sociale. Vendi po përjeton fazën terminale të sagës zgjedhore, e duhet thënë se tashmë ajo ka tashmë formën e mungesës thuajse të plotë të vullnetit për të qeverisur. Mjaftojnë dy shembuj, ndërtimet pa leje dhe situata në hyrje të Lazaratit, për të ilustruar këtë tërheqje të shtetit nga detyrat e tij themelore.

Ka marrë përmasën e një komedie tentativa e përsëritur e policisë shqiptare, për të ndaluar punëtorët (kryesisht gra), që nisen çdo mëngjes nga rrethinat e Gjirokastrës, për t’u marrë me rreth 900 ton bimët narkotike që rriten nëpër parcelat e Lazaratit. Një vit pas aksionit të fundit të ngjashëm, ku viktimat qenë sërish punëtorët me mëditje, e jo bosët e trafikut të stërmadh të drogës, policia mbushi rrugën kombëtare në hyrje të Lazaratit, sapo nga pala italiane u publikuan shifra të frikshme për trafikun e drogës që merrte udhë nga parcelat e këtij fshati. Lazarati është sot, më shumë se kurrë, altari i impotencës së shtetit. aq më tepër tani, kur vetë shteti po bën gati valixhet.

Në anën tjetër, i njëjti vullnet për të mos qeverisur, shpaloset në mënyrë flagrante në një tjetër fenomen negativ, i cili është po aq i vjetër sa edhe tranzicioni shqiptar: ndërtimet pa leje. Edhe në këtë rast, ashtu si në shfaqjen butaforike me policë e forca të ndërhyrjes së shpejtë në këmbët e Lazaratit, qeverisja e të gjitha nivele bën gjithë ditën gjoja. Fushata elektorale i dha një hov të paparë ndërtimeve pa leje, nga qendra e Tiranës, e deri në plazhin më të humbur të Jugut. Mediat janë lodhur duke sjellë shembuj pafund nga batërdia që po konsumohet kudo ku ka një copë tokë për të ndërtuar. Por jo vetëm aty. Kryeqyteti u “rrit” brenda pak javësh me disa kate shtesë aty-këtu nëpër të gjitha lagjet. Nuk pati asnjë mënyrë për ta vënë në lëvizje policinë bashkiake të Tiranës para datës 23 qershor, ndërsa pas kësaj dite, aksionet e saj për një prishje shtese, ngjajnë me një teatër të shngjyrosur, që nuk tremb më askënd. Shtetit i kanë rënë tashmë dhëmbët. Autoriteti i tij është përtokë, pasi i tillë është vullneti i tij për të përmbushur detyrën dhe për të zbatuar ligjet.

Berisha bën mirë që reklamon të drejtën për të drejtuar qeverinë deri në ditën kur këtë ja lejon Kushtetuta. Le ta bëjë këtë nga përmes mbledhjeve të fundit në formë spektakli të qeverisë, ku tashmë marrin pjesë më shumë zëvendësministra sesa titullarë. Ose le ta bëjë edhe përmes Facebook-ut, apo edhe nga plazhi në Dhërmi, por ama ta bëjë! Sepse ndryshe kanë të drejtë ata që thonë se kjo kohë e zgjatur rotacioni, po përdoret vetëm për të mbaruar ndonjë punë, apo edhe për të gjetur ndonjë strehë të re për partinë në opozitë. Ashtu si po ndodh këto orë, kur qeveria dhe ushtria ndodhen në një përplasje të paprecedent, jo për ceshtjen e pushtetit, sic ndodh rëndom në vende të tjera, por për një godinë ushtarake që qeveria (nënkupto partia demokratike), kërkon ta marrë në prag të ikjes.

Të gjithë po shohim sesi kjo qeveri po shoqëron me sy rrëshqitjen e shtetit drejt humnerës, pa asnjë dëshirë për të bërë diçka. Është një spektakël i shurdhër papërgjegjshmërie, ku askush nga ata që për tetë vjet mbajtën në dorë frenat e pushtetit, nuk jep përgjigje. Ministrat janë larguar në drejtim të paditur, kurse institucionet kryesore të qeverisë, prej javësh dalin në faqet e para të mediave, vetëm për ndonjë tender a shitje “last minute”, të asaj që ka mbetur nga prona shtetërore. Ndërkohë, zyrtarët e të gjitha niveleve nuk kanë preokupim tjetër, veç të atij të mbijetesës në vendin e punës, pas shtatorit.

Në mes të sezonit turistik, pjesë të mëdha të plazhit të Durrësit kanë mbetur pa ujë dhe drita në mënyrë të përsëritur. Ujësjellësat e Durrësit e Kavajës padisin njëri-tjetrin, ndërsa që faturën e paguajnë pushuesit dhe mijëra bizneset e kësaj pjese të bregdetit. E njëjta pamje depresive shtrihet në çdo cep, megjithëse ky është sezoni i ngrohtë, me plazh, turistë, fruta e perime të lira dhe ditë plot diell. Në të kundërt, kjo e sotmja është kthyer në një kohë pa kohë, në një zinxhir ditësh të nxehta që i ngjajnë të gjitha njëra-tjetrës, të mbushura me vrasje grash e me aksidente rrugore, njëri më makabër se tjetri. Shqipëria përjeton epokën paradoksale të dy qeverive “me kohë të pjesshme”. Domethënë të asnjë qeverie “me kohë të plotë”! Kemi një qeveri që po ikën e që s’do të punojë, kemi dhe një qeveri tjetër që ka veshur kostumin e ka vënë kollaren, por që s’hyn dot në zyrë sepse ajo ende nuk është bosh. Është pra, një çeshtje vullneti. Një “materie” që këtë verë të nxehtë të kalimit të stafetës së qeverisjes, mungon dukshëm në skenën tonë politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama