Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A është e përgatitur PD për të vërtetat e Patozit?!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 11 vite më parë

Skënder Minxhozi
A është e përgatitur PD për të vërtetat e Patozit?!

Kur kandidati për kryetar Sokol Olldashi pyetej, në mesin e garës me Lulzim Bashën, rreth diferencave mes tij dhe kundërshtarit, ai thoshte pak a shumë se të gjitha figurat politike të njëzet vjetëve të fundit në PD janë formatuar sipas modelit të Sali Berishës, të cilin e kanë ndjekur dhe e kanë pranuar ndër vite. Olldashi po përpiqej të jepte në ato momente mesazhin se mes tij dhe Bashës nuk kishte ndryshime thelbësore, sa i përket formatit të lidershipit me të cilin identifikoheshin. Një lëvizje taktike për t’ju afruar sadopak kandidatit tjetër, që shihej si “kloni” politik i Sali Berishës.

Në fakt, shprehja e Olldashit është pak më e gjerë, sesa qëllimi konkret për të cilin u artikulua. Ajo pasqyron një të vërtetë aksiomatike për Partinë Demokratike, që u provua edhe një herë në orët e fundit si e tillë. Fjala është për aftësinë dhe kapacitetin real që ka sot kjo forcë e madhe politike, për t’u përballur me sfidën historike të zëvendësimit të liderit themelues, e më në përgjithësi me ndryshimin e stilit të të bërit politikë, që ky zëvendësim sjell me vete. Sa e përgatitur është Partia Demokratike që të përballet me një humbje të thellë elektorale, që ta analizojë drejt atë dhe paralelisht me këtë, të ndryshojë të gjithë piramidën drejtuese dhe të hapë një etapë të re në historinë e saj politike?!

Ne e dimë sot përgjigjen e këtyre pyetjeve, 34 ditë pas zgjedhjeve dhe 30 ditë pasi Sali Berisha ka dhënë dorëheqje nga kreu i partisë. Partia Demokratike vendosi të mos përballet fare me këtë sfidë të shumëfishtë, që u ngrit para saj pas 23 qershorit 2013. Fitoi përcaktimi fatalist i Olldashit, se të gjitha figurat potencialisht alternative të Berishës, janë në fakt zgjatime të formatit dhe kulturës politike të Berishës.

Në këtë pjesë të procesit politik brenda partisë më të madhe të djathtë, dalja publike e Astrit Patozit dhe reagimet e shumta që ajo shkaktoi, vetëm sa e forcuan më shumë ndjesinë e apatisë dhe të mospërgatitjes që mbizotëron sot në Partinë Demokratike, për t’u përballur, e jo për t’u përshtatur me realitetin e ri që sollën zgjedhjet e qershorit. Në esencë Patozi, nga lartësia e postit që mbante për shumë vite në parti, tha disa të vërteta të thjeshta, që nuk ka sesi të mos jenë në sytë e të gjithë shqiptarëve që e kanë ndjekur sadopak teatrin politik të 20 vjetëve të fundit. Patozi ngriti në intervistën e tij për Ballën, problemin e madh të lirive të brendshme në PD. Një tezë e vjetër sa edhe vetë partia, për të cilën mund të pyeten në radhë që nga Ceka e deri tek Imami e të tjerët, megjithëse aktualisht bëjnë sikur i ka zënë amnezia.

Nënkryetari i PD e përcaktoi si false garën për kreun e partisë, duke u shprehur se Berisha e kishte përcaktuar qysh më parë fituesin. Një deklaratë e rëndë sa edhe vetë situata në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike. Që prej vitit 2009, kur edhe mbajti Kuvendin e radhës, kjo forcë politike nuk ka zgjedhur ende një pjesë të strukturave drejtuese, ndërkohë që forumet e larta partiake s’janë mbledhur thuajse kurrë. Ka qenë, fund e krye, një spektakël me një personazh: Sali Berishën.

Ngjitja e “asistuar” e Lulzim Bashës në poltronin që dikur ishte i Berishës, është në thelb një zgjidhje që kërkon të fashisë listën e problemeve që e zhytën PD nën peshën e një milion votave kundër. Por që në fakt nuk zgjidh asnjërin prej tyre. Të himnizosh Berishën dhe njëkohësisht të thuash se po bën analizën e humbjes, është një hipokrizi e panevojshme dhe një nonsens total.

Mjafton t’i hedhësh një sy valës së kritikave që pasuan daljen e Patozit, për të kuptuar se PD nuk është ende e gatshme të përballet me diagnozat e saj të vjetra dhe të reja. Kjo parti nuk është e përgatitur të përballet me ndryshimin real të lidershipit historik, por edhe me karvanin e defekteve që trashëgon nga e shkuara e afërt dhe e largët. PD gjeti një modalitet fals, edhe për të pasur një kryetar-dezhurn të ri, edhe për të mbajtur në timon të punëve kryetarin e vjetër. I cili do të mbajë objektivisht me vete edhe të gjithë gamën e koncepteve të tejkaluara që kultivon dhe mbron që prej ditës që ka hyrë në politikë, në kapërcyellin e ndryshimit të sistemeve në vitin 1990. Shkaku themelor i kësaj sjelljeje është i shumëfishtë. Ai nis me frikën ndaj të resë, ndaj të panjohurës që shoqëron largimin “prej vërteti” të Berishës. Më tej, një shkak tjetër duket të jetë personaliteti i vogël i listës së figurave që popullojnë forumet e larta të partisë. Një pasojë direkte e politikës së tokës së djegur në parti, që ka ndjekur Berisha ndër vite, e që i ngjan aq shumë politikës së dikurshme të kuadrit në katet e larta të regjimit komunist.

PD e sotme nuk është e përgatitur për të vërtetat e Patozit. Ajo po ngrihet në formacion luftimi kundër nënkryetarit të saj, në emër të një statu quo-je, e cila në fakt nuk i bën fare punë, në funksion të së ardhmes së afërt. Me Bashën në vitrinë dhe Berishën në timon, kjo parti i drejtohet një ere të re të zhvillimeve politike në vend, me një mentalitet krejt të vjetër. I vetmi që ndien se ka larë shpirtin në këtë ambient, është njeriu që më 22 korrik ndodhej “dy metra larg kutisë”, e që vendosi të mos hedhë asnjë votë në të.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama