Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shkodër-Lezha s’e shpëton dot të djathtën nga përmbytja

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 11 vite më parë

Skënder Minxhozi
Shkodër-Lezha s’e shpëton dot të djathtën nga përmbytja

Në të hyrë të saj, u duk si një verë e ndryshme elektorale.

Shumëkush u mrekullua nga lehtësia me të cilën u afishua fituesi dhe humbësi i garës. Berisha uroi Ramën për fitoren, kurse ky i fundit e falënderoi kryeministrin “për të mirat që ka bërë”. Dukej një klimë idilike e një vendi dhe epoke tjetër, por nuk qe e thënë të zgjasë. Në 48 orët e fundit, gjithçka është kthyer në “normalitet”. Me grupet e djersitura të numërimit në KQZ, me debatet e ashpra plot kërcënime e pranga, por edhe me notin donkishotesk të Sali Berishës në Dhërmi, i cili edhe këtë vit qe disa minuta më i gjatë se në vitin paraardhës. Ky miks arrogance dhe mungese serioziteti, na kujtoi edhe një herë se cili vazhdon të jetë, qoftë edhe formalisht, në pushtet. Kjo është në fakt diçka e mirë, për ata që besonin se Berisha i mbaroi fishekët në vezmen e tij.

Vendimi për të rinumëruar edhe një herë rreth 200 mijë votat e qarqeve Lezhë e Shkodër, të mbyllura në 765 kuti votimi, erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Nisma e njërit prej anëtarëve të KQZ, e jo ndonjë kërkesë e ndonjë subjekti politik, mjaftoi për të kthyer përmbys bashkë me kutitë e mësipërme, edhe idenë se këto zgjedhje mund të mbylleshin pa andrallat e përjetshme që lidhen me transparencën dhe ndershmërinë e rezultatit.

Për ata që e kanë memorien e shkurtër ose që nuk arrijnë të shquajnë qartë atë që ka ndodhur në të shkuarën me zgjedhjet shqiptare, po risjellim vetëm një pasazh të shkurtër nga një intervistë e Berishës e katër vjetëve më parë, për Televizionin Shqiptar. Në mes të pretendimeve të opozitës për probleme në procesin e numërimit të votave, pasi ironizon me Ramën, që “ka frikë prej 20 mijë komisionerëve të tij”, Berisha thotë se “këto zgjedhje kanë qenë të bekuara, sepse janë zgjedhjet e para të cilat u certifikuan në unanimitet nga mbi 20 mijë komisionerë të opozitës shqiptare. Të cilët në punën e tyre të përgjegjshme ligjore, nuk konstatuan asnjë shkelje ligjore dhe nuk vendosën as vërejtjen më të vogël, për procesin e numërimit dhe administrimit”.

Nuk ka paragraf më të përdorshëm edhe sot, pas katër vjetësh, por kundër autorit të tij, e jo më kundër opozitës së asaj kohe. Sot po ndodh fiks ajo që Berisha stigmatizonte e tallte katër vjet më parë. Pra, po shpërfillet “puna e përgjegjshme ligjore” e ushtrisë së komisionerëve të djathtë, të cilët nuk reklamuan dhe nuk ankimuan atë për të cilën sot Shkodra dhe Lezha po shkojnë në rinumërim. Katër vjet më parë, megjithëse dy anëtarë të KQZ kërkuan rivlerësimin e votave në disa kuti votimi, shumica e KQZ e kontrolluar nga qeveria e ktheu me urgjencë mbrapsht këtë mundësi. Por sot, katër vjet më pas, ky precedent hidhet në kosh dhe vendoset rinumërimi tërësor i 200 mijë votave, edhe pse asnjë parti politike nuk e kërkoi këtë gjë. E kjo ndodh megjithëse për Kukësin ishte refuzuar e njëjta procedurë, kur u kërkua pak ditë më parë nga LSI.

Siç shihet, edhe një herë në këto tetë vjetët e fundit, kemi një KQZ “ristaniane”, nëse mund të përdoret ky term, i cili i referohet personit që e kthente tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve herë në barrikadë, kur nuk duheshin hapur kutitë që kërkonte opozita, e herë në shesh numërimi, kur duheshin gjetur me urgjencë votat për të shpallur fitues Lulzim Bashën. Standardi i dyfishtë, metamorfoza e pështirë e të paktën tre anëtarëve të KQZ, që në kohëra të ndryshme kanë thënë gjëra krejtësisht të ndryshme për të njëjtën temë, është një kriter bazë i punës së këtij institucioni tashmë të diskretituar qysh në themel.

Ky abuzim i skajshëm procedural ka pas një prapavijë të qartë politike. Notari i Dhërmiut mesa duket ka vendosur t’i gjejë një justifikim përfundimtar humbjes së tij të thellë dhe dërrmuese. E si zakonisht, interesi politik mbizotëron në këto raste mbi interesin publik. Sepse është e pakuptueshme sesi mund të shkelen me këmbë të gjitha ligjet, sesi mund të “lëpihet” ajo që është “pështyrë” dikur, duke bërë pikërisht atë për të cilën një herë e një kohë Berisha tallej me Edi Ramën.

Në këtë luftë me mullinjtë e erës, PD duket se ka arritur të paktën një fitore të parë simbolike. Lulzim Basha ka me çfarë t’i mbushë fjalimet e tij prej kandidati “presidencial”. Jo keq, për një njeri që rëndom flet pa thënë asgjë. Tani, pas rinumërimit të kutive të Shkodrës e Lezhës, pritet që edhe të tjerët bashkë me Bashën, të kenë çfarë t’i shesin zgjedhësve të tyre, si justifikim për humbjen ekzemplare të 23 qershorit. Por a mjafton vetëm kjo, për të shpëtuar varkën gjysme të mbytur të zotit Berisha? A e shpëton dot Shkodra dhe Lezha nga përmbytja (ish)mazhorancën aktuale?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama