Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fundi i mandatit të një qeverie

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Fundi i mandatit të një qeverie

Zgjedhjet kanë mbaruar, rezultati nuk është certifikuar ende, dhe në rrethana të tilla mund dhe duhet të pyesim: Çfarë fuqish ka qeveria që ka humbur zgjedhjet? Një pyetje apo çështje si kjo është bërë pjesë e debatit publik, e debatit politik mes palëve. Diskutueshmëria e fuqive të qeverisë midis zgjedhjeve dhe përfundimit të mandatit të Parlamentit po bëhet e dukshme jo thjesht prej debatit në fjalë, por dhe prej dy momenteve të tjera.


Kohë shumë e gjatë midis zgjedhjeve dhe thirrjes së Parlamentit


Njëri është me natyrë kushtetuese. Neni 67 i Kushtetutës, rishikuar në vitin 2008, praktikisht krijon një hapësirë shumë të gjatë kohore midis zgjedhjeve dhe thirrjes së Parlamentit të ri. Ai kërkon që Kuvendi të mblidhet saktësisht kur plotësohet 4-vjeçari i Parlamentit të vjetër, diçka që siç e bëri të ditur Presidenti i Republikës, implikon që Kuvendi i ri të mblidhet midis datës 7 dhe 17 shtator 2013. Është shumë e çuditshme futja e një neni të tillë kështu siç është brenda ndryshimeve të famshme kushtetuese aq shumë të kritikuara. Prirja që ndihet brenda këtij ndryshimi allashqiptar është për ta shtyrë sa të jetë e mundur thirrjen e Parlamentit të ri, ndërkohë që kjo nuk është prirja e kushtetutave perëndimore.  Dy kushtetuta të rëndësishme europiane, ajo italiane dhe ajo gjermane (përkatësisht nenet 61 dhe 39, paragrafi 3), madje dhe ajo e Kosovës (neni 66), reflektojnë prirjen që menjëherë pas zgjedhjeve, certifikimit të rezultatit, Kuvendi i ri të fillojë nga puna brenda afateve sa më të shpejta, 20 ditë, maksimumi 30.

Pra, ato e lidhin fillimin e punës me mbarimin e zgjedhjeve, dhe jo me përfundimin e mandatit të Parlamentit të vjetër, siç bën Kushtetuta e Shqipërisë. Kjo është diçka normale, sepse nuk ka asnjë kuptim që institucionet e reja të krijohen kaq vonë pas zgjedhjeve, dhe të krijohet një lloj vakumi plotfuqishmërie politike apo morale. Nuk kuptohet se kush e ka kontrabanduar një dispozitë të tillë si neni 67 në Kushtetutën e Shqipërisë, i cili ka prirjen e kundërt me atë perëndimore. Nëse është PS-ja, atëherë ky është rasti i qartë i një autogoli me veprim të vonuar. Nuk shihet asnjë arsye përveç asaj të nevojës për të pasur më shumë hapësirë për ankimimin e zgjedhjeve, por dhe ky duket arsyetim jo normal, sepse koha e ankimimeve duhet reduktuar sa më shumë të jetë e mundur. Qasja perëndimore pro fillimit të shpejtë të punës menjëherë pas zgjedhjeve u reflektua dhe në porosinë në këtë linjë të faktorit europian, përkatësisht zonjës Ashton dhe komisionerit Fyle, të cilët ndoshta nuk ishin të informuar në kohë për këtë yçkël të Kushtetutës së Shqipërisë.


Takimet e Ramës me institucionet e pavarura


Momenti i dytë që e vë në dukje këtë distancë të madhe kohore janë disa aktivitete të organizuara nga kreu i PS-së, që do të jetë dhe Kryeministri i ardhshëm, zoti Edi Rama, takime që shënojnë në fakt një lloj precedenti të nxemjes së Kryeministrit të ardhshëm. Ai ka filluar disa takime me institucionet e pavarura, duke nisur nga Presidenti i Republikës. Nuk ka asgjë të keqe në këto takime që nënkuptojnë edhe respekt për to, apo garanci për qëndrimin e tyre në detyrë, me përjashtim të atij me prokurorin e Përgjithshëm. Takimi me të implikon probleme jo thjesht protokollare, por dhe atë të mesazhit: çfarë mesazhi i jep Kryeministri i ardhshëm prokurorit të Përgjithshëm në zyrën e këtij të fundit? Prokurori i Përgjithshëm drejton akuzën, por nuk është në të njëjtën përgjegjësi për luftën ndaj kriminalitetit si Policia apo forcat e rendit. Ishte ndryshe një takim i tij me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, i cili ka informacion të pavarur nga Ekzekutivi për gjendjen e ekonomisë, informacion që i duhet shumë Kryeministrit të ardhshëm që po përgatit programin e qeverisë. Këtu mbërritëm te një pikë e rëndësishme. Në kushtet kur tranzicioni i pushteteve do të zgjasë kaq shumë dhe kjo do të përsëritet gjithnjë në kushtet e nenit 67, atëherë ndoshta duhet parashikuar me ligj diçka tjetër. Kryeministri i ardhshëm duhet të informohet prej institucioneve të sigurisë, të rendit, atyre të financave etj., njëlloj si Kryeministri në detyrë, diçka që gjendet te modeli amerikan i funksionimit të shtetit.


Problemi më i rëndësishëm që e thekson këtë kohëzgjatje relativisht të madhe, në fakt, mbetet ai i përcaktimit të saktë të fuqive të qeverisë në detyrë, dhe këtu mbërritëm te thelbi i problemit. A ka fuqi qeveria për shembull të marrë vendime të rëndësishme të drejtimit politik? Është ky problemi që po debatohet dhe që theksohet pikërisht prej kohëzgjatjes së këtij lloj vakumi pushteti apo autoriteti.


E vërteta është se Kushtetuta e Shqipërisë nuk e kufizon qeverinë në detyrë të marrë vendime të rëndësishme të kësaj natyre, por ama praktika kushtetuese e shumë vendeve perëndimore, madje dhe doktrina kushtetuese e përbotshme, ka formuluar konceptin e administrimit të zakonshëm. Është ky një koncept i marrë nga fushat e tjera të së drejtës, që nënkupton veprime administruese të një kompleksi pasuror, pa e prekur tërësinë e kësaj pasurie. Pak a shumë ky është koncepti dhe në të drejtën kushtetuese: një qeveri e dorëhequr, një qeveri pas zgjedhjeve, në periudhë tranzitore mund dhe duhet të marrë vendime administruese të zakonshme, por jo akte politike të rëndësishme. Ky problem nuk është i ri në historinë e tranzicioneve të Ekzekutivit në Shqipëri. Ende mbahet mend se si në ditën e fundit të Parlamentit më 20 maj 2005, shumica socialiste e drejtuar nga Nano miratoi ligjin për pensionin e ushtarakëve të liruar, që u njihte atyre një vlerë relativisht të lartë pensioni, diçka për të cilën ende debatohet dhe gjyqësisht në Kushtetuese. Po në atë rast ajo qeveri miratoi (por në ditët e fundit të funksionimit të Parlamentit, ama) dhe vendime për ngritje universitetesh në Berat dhe në Fier, diçka që u duk jashtëzakonisht pragmatike, por që u kapërcye moralisht nga licencat e pafundme për universitete private në Kukës, Dibër apo gjetkë, që dha qeveria “Berisha”.


Në fund të fundit, debati për llojin e vendimeve që një qeveri e rrëzuar nga vota popullore mund të marrë pas zgjedhjeve, nuk është një debat shqiptar. Ka një praktikë të konsoliduar perëndimore që një qeveri, madje dhe në 6 muajt e fundit para përfundimit të mandatit të Parlamentit, nuk merr vendime të rëndësishme që implikojnë angazhime jo të zakonshme të buxhetit, privatizime të mëdha etj. Pra s’ka nevojë të shkosh në Bangladesh për të gjetur modelin e qeverisë kujdestare që nuk e ka kërkuar askush, por mjaft të shkosh në Europë, ku doktrina kushtetuese, zakonet e mira, e detyrojnë qeverinë të merret vetëm me punë administrative pasi ka humbur zgjedhjet. Boll që faturat e borxhit të qeverisë janë rritur në muajt e fundit para zgjedhjeve, por të shtosh faturat dhe pas tyre, ngjan diçka jo normale. Vetëm kushtet e urgjencës të imponuara nga ndonjë fatkeqësi natyrore mund ta detyrojnë një qeveri ta prishë këtë praktikë, që në ndonjë kushtetutë dhe është fiksuar shprehimisht.

Po a ka kushte urgjence në vendimet për hidrocentralet apo për licencat e shfrytëzimit të lagunave, përveç interesave klientelare, që garantoheshin vetëm prej kësaj qeverie? A kishte urgjencë në vendimin për shtetësinë e shqiptarëve jashtë vendit, i vonuar që prej vitit 1998, kur u miratua ligji i shtetësisë? Albanofobët imagjinarë që reaguan vetëm në ndonjë vegim të Kryeministrit, as kishin pse të reagonin për një vendim (jo ligj) si ky, i cili s’ka kurrfarë vlere praktike sa kohë që nuk motivohet me ndonjë fluks të jashtëzakonshëm individësh me gjak shqiptar që kanë kërkuar shtetësinë tonë dhe s’paskëshin pasur akte nënligjore që ta rregullonin këtë fluks. Ndaj vendimi që ngjan me natyrë propagandistike (as si mbajtje fjale s’ngjan, sepse është vonuar 15 vjet), nuk krijon asnjë lloj shqetësimi as të albanomanëve, as të albanofobëve, përveç se një rast që Kryeministri në detyrë të rikthejë një retorikë që i mungon aq shumë dhe do t’i mungojë akoma më shumë pas fillimit nga puna të qeverisë së re.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama