Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Forca e TV ose Big Brother-i shqiptar

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Nazarko
Forca e TV ose Big Brother-i shqiptar

A mund të sjellin ndryshimet ekonomike, ndryshime në mendësinë shoqërore të individit shqiptar? Diçka po arrihet për mirë. Ka ecje para në Tiranë, në rrethe të tjera ku shoqëria lëviz më shpejt, siç lëvizin dhe makinat në rrugët e shtruara mirë të këtyre zonave. Por ka ama zona në të cilat ka kthim mbrapa. Veçanërisht në Veri, ku është shfaqur e fortë gjakmarrja dhe martesat e tipit të vjetër. Sigurisht në këto zona ka komunikim të dobët. Nuk ka fabrika, prodhim, rrugë të asfaltuara. Shtëpitë janë larg.Nuk ka sheshe fshati ku shoqërizohemi. Ekonomia nuk mund të sjellë gjithcka, megjithëse dihet se çka bën, e bën në mënyrën më të natyrshme.

A mund të sjellin zhvendosjet e popullsisë, brenda dhe jashtë vendit ndryshimet shoqërore? Sigurisht, mbi një milion shqiptarë kanë dalë jashtë dhe rreth një milion të tjerë kanë lëvizur drejt qyteteve. Djem e vajza fshatrash të thella jetojnë në kryeqytete të rëndësishme të botës, me statuse të ndryshëm shoqërorë. Shoqërinë nuk mund ta shohin më me sytë e baballarëve. Por të të njohurve të rinj atje ku jetojnë së fundmi.

Por a mund të sjellin heronjtë e televizioneve ndryshime më të shpejta? Ka një prodhim të madh televiziv që vjen nga jashtë, por dhe nga brenda. Askush nuk ndal dot ndikimin e këtyre heronjve që ofrojnë modele jetësorë suksesi. Me veset dhe virtytet e tyre.

Vërtet nuk ka kudo kinema, koncerte, ndeshje futbolli, por ama ka televizion. Uniformohen shijet, përsosen apo keqësohen ato. Ndryshojnë bashkë me të rinjtë dhe prindërit. Disa vese kombëtare zhduken, lindin të rinj, disa mbeten të paprekur. Disa vese universale zgjerojnë hartën e shpërndarjes duke përfshirë dhe bashkëkombasit. Kjo është forca e globalizmit dhe këto janë shakatë e tij në një tokë të etur për ndryshim!

Loja më e re, Big Brother

Por le të merremi me njerën nga lojërat e globalizmit televiziv, Big Brother-in.

Pa hyrë në analizë të programit në rrafsh global, mund të thuhet se në Shqipëri ai përfaqëson eksperimentin shoqëror më të rëndësishëm, kryer ndonjëherë me vetëdije si eksperiment. Brenda tij mund të ketë përmasa të tjera, komercialitet, etj, por dimensioni eksperimental është i nënkuptuar. Anipse jo i përkryer në të gjithë elementët përbërës.

Nëpërmjet tij, ne shohim të projektuar shoqërinë në një shtëpi. Mund të thuhet se të përzgjedhurit nuk përfaqësojnë një kampion shoqëror, tipik i një sondazhi. Por njëlloj përzgjedhje është bërë. Për më shumë emisioni i së shtunës afron në këtë eksperiment dhe moshat e mëdha, prindërit e të mbyllurve dhe ti mund të kuptosh shumë. Mund të kuptosh veset e shoqërisë, hipokrizinë e pakushtëzuar nga çmimi i vendosur si premio për fituesin; aftësitë e dobëta shoqërizuese të individëve të veçantë. Raportin me higjienën individuale dhe të grupit. Lehtësinë me të cilën krijohen lidhjet dashurore- pa asnjë qortim për lehtësinë-, dmth sa pak investim duhet për të krijuar lidhjen e rradhës. Mund të kuptosh sa të ndryshëm dhe sa të njëjtë janë shqiptarët, dmth sa komb janë ata për shkak të veseve apo virtyteve të njëjta të tyre. Sa një kosovar, mund të merret vesh me një të Shqipërisë; si ndryshon një e re që ka jetuar jashtë nga një e padalë apo fatpadalë dhe sa komplekse thyhen prej jetës së saj të çlirët jashtë vendit.

Ne shikojmë sesi prindërit e fëmijëve, diku të tërhequr nga objektivi financiar, diku në mënyrë të pakalkuluar- prindërit nuk janë të tillë- justifikojnë drejtpërdrejt veprime të bijve të tyre që ndryshe jashtë nuk do t‘i pranonin. Ne shohim në ekran përditë jetën që emisionet e tjera, lajmet nuk e sjellin. Njerëzit po pranojnë me vështirësi sjellje që dikur i shikonin vetëm në telenovelat e huaja: i pranojnë me vështirësi, por do i pranojnë.

Prej emisionit shoqëria përfiton shumë. Emisioni shihet nga një familje e tërë (edhe veç e veç ama) dhe skena të caktuara provokojnë diskutim familjar. Kur shihet në klubin e fshatit, provokon diskutim fshatçe. Në klasa, kudo. Diskutim për veset, virtytet. Dhe projektimin televiziv të tyre. Dikush mund të thotë se ajo që del prej ekranit të vogël të futur në jetën e këtij grupi të përzgjedhur nuk është shembëllim i vërtetë i jetës së të rinjve tanë. Se ka shumë lehtësi në lidhje, në prishje, thyerje tabush, hipokrizi, ka shumë fjetje të simuluar bashkë, etj. Mundet, por duhet të kuptojmë diçka nga eksperimenti. Dmth të hyjmë në lëkurën e të ngujuarve vullnetarë. Përshembull për të kuptuar sesi një djalë i lidhur besnikërisht me të fejuarën e vet, i afrohet një tjetre, disa të tjerave, shtrihet me to, përkëdhelet, për aq sa duket. Mund të ketë le të supozojmë një shpjegim matematikor të dashurisë, apo ngrohtësisë që një njeri jep gjatë një dite. Jashtë, ia jep djalit, prindërve, shokëve, të afërmve, të dashurve. Brenda, kjo shumë dashurish, koncentrohet në atë grup që ke afër, në të zgjedhurit e atij grupi të vogël. Dashuria është një madhësi konstante, që në pamundësi për tu blatuar atyre të zakonshmve që ke jashtë, i përcillet atyre që si ty, po luajnë brenda. A thua të jetë kështu?

Shoqëria, segmente moshore të ndryshme shohin në televizor dhe ndoshta reflektojnë më shumë, për ata që zgjedhin si idhuj; të fortin, playbojin, që e thotë fjalën itinerar, "intinerar", që ndjek verbërisht dhe me vetëmohim modën e tatuazheve. Shohim sesi përbuzen të padjallëzuarit, dhe joestetikët. Janë gjëra që i shohim përditë jashtë, por të projektuara në Tv prej nga brenda shtëpisë është krejt tjetër. Ata që janë brenda sakrifikohen që ne që jemi jashtë, të mendojmë më shumë për veten.

Në eksperiment shkëputen lidhjet nga realiteti, proceset shoqërore zhvillohen paralel pa u prerë me njeri tjetrin. Qeniet e mbyllura humbin raportin me kulturën e përbotshme dhe shkëmbejnë fare pak; konsumojnë çfarë kanë brenda vetes, që në ndonjë rast dhe tretet pak si shpejt. Dmth ca njerëz të mbyllur s‘kanë ç‘të thonë pas ca ditësh. Por dhe nga kjo mund të mësohet prej atyre që janë jashtë. Ky moment përshembull është interesant ta zemë për ata që kanë kohë pa lexuar një libër: të kuptojnë sesa i ndikon kjo mungesë.

Janë këto disa reflektime të shpejta për një laborator të vogël shoqëror si Big Brother-i, që ama i projektuar jashtë prej dy kanalesh TV nuk ndiqet prej sociologësh, por prej lëndës së parë të tyre. Shoqërive. Në vende të ndryshme ku realizohet ky emision, efektet reciproke ndaj shoqërisë dhe e anasjellta, janë të ndryshme. Diku ka më shumë efekte negative se pozitive; dikush akuzon tjetërsimin njerëzor që projektohet live në një shtëpi televizive. Por Big Brother-i shqiptar ka më shumë efekte pozitive. Ai injekton një shok realizmi në një shoqëri të mbyllur si e jona që po hapet me shpejtësi, diku më vështirë, diku më lehtë. Prej rrugëve që po ndërtohen shpejt, prej ndryshimeve ekonomike, prej kufijve që hapen me gjak, gomone, viza fallso apo të blera prej konsujve të korruptuar europianë. Por televizioni ama mund të bëjë më shumë punë se ndryshimet kësisoji dhe krahas tyre. Veçanërisht një reality show ku shoqëria sheh të projektuar vetëveten. Me kushtin që shoqëria duhet të kuptojë se vetëm për atë grup minoritar të saj, koha ka ngrirë. Ne të tjerëve që gabimisht mendojmë se jemi jashtë, na ikën shumë shpejt.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama