Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pikëpyetjet mbi leximin e zgjedhjeve

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Pikëpyetjet mbi leximin e zgjedhjeve

Zgjedhjet kanë mbaruar dhe leximi i tyre nuk është diçka e lehtë apo që mund të kryhet shumë shpejt. Nëse me lexim do të kuptojmë gjetjen e shkaqeve për rezultate të caktuara apo rezultatin tërësor, kjo nuk është diçka me karakter material, objektiv apo faktik. Disa shkaqe janë krejtësisht në dritën e diellit, ndërsa identifikimi i disa të tjerave duan ushtrime mendore të komplikuara. Në këtë analizë po mundohemi të sqarojmë disa prej rezultateve më të rëndësishme. Kushdo që pëlqen të merret me këtë punë, duhet të ketë megjithatë shqetësimin e koherencës me parashikimet apo analizat e mëparshme.

Dikush mund të gabojë dhe nisur nga premisat më të mira, dikush ka gabuar me vetëdije, sepse analizat që ka bërë dhe bën i ka ngushtësisht me frymëzim propagandistik, predikues. Kjo kategori predikatorësh sot duhet të kërkojë ndjesë pse ka dështuar para fjalës së sovranit. Për një kohë të gjatë ajo është munduar të na mbushë mendjen se prirjet elektorale nuk ndryshojnë kollaj, se rezultatet e 2009-s dhe 2011-s do përsëriten sepse blloqet ideologjike janë të palëvizshme dhe sistemi zgjedhor e favorizon këtë. Më saktë, predikatorët e kënetës kanë dështuar me vetëdije ndërsa janë përpjekur të ndikojnë propagandistikisht, veçanërisht pjesën gri të votuesve me anë të ideve se rezultati do të ishte rrotë më rrotë, se pjesëmarrja do të jetë e ulët, se nuk ka frymë kundër qeverisë etj., etj.

HUMBJA E QEVERISË


E vërteta është se fryma kundër qeverisë, përkatësisht Kryeministrit Berisha në këto zgjedhje, ka qenë e fortë, diçka që u duk qoftë me rritjen e pjesëmarrjes, qoftë me thellësinë e humbjes së PD-së. Po si u arrit në këtë rezultat ndërsa PD-ja pretendon se ka fituar bindshëm zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s? Sot rezultati i Partisë Demokratike është një rezultat i krahasueshëm me atë të vitit 1997, kur niveli pakënaqësisë ndaj saj është i përafërt me vitin 1997 pse shumë votues të saj kishin humbur paratë në skemat piramidale të toleruara prej qeverisjes së Berishës. Në ato kushte ata s’mund të votonin për alternativën e Berishës. Një rezultat i 2013-s, i përafërt me 1997-n, e bën sot 16 vjet më vonë mjaft real rezultatin e 1997-s. Ky rezultat, i barasvlershëm me bërthamën më besnike të votuesve të PD-së, dje dhe sot na tregoi se sa dramatikisht e thellë rezulton pakënaqësia ndaj PD-së. Çuditërisht sot ka një përpjekje të re të agjitatorëve të kënetës elektorale, për të na shtyrë të merremi me rezultatin e PS-së në vitin 2013, që i ngjaka atij të 2009-s. Po a është ky rezultat i 2009-s real? Kjo frymë kaq masive ndryshimi nuk rritet sa hap e mbyll sytë në mënyrë dramatike, pra as nga viti 2009, dhe as nga viti 2011! Ndaj, rezultati i PD-së në 2013-n të çon në dy përfundime që mund të jenë sa alternativë, aq dhe komplementarë: ose zgjedhjet e 2009- s dhe 2011-s janë të manipuluara, ose (dhe) PD-ja ka qeverisur aq shumë keq në këtë mandat, sa ka rënë në pikiatë zgjedhore. Në këto kushte, me këto përfundime, pyetja shtypëse në lidhje me koherencën, përkatësisht ndershmërinë profesionale të gjithkujt që merret me këtë punë është: a e parashikoi kush këtë rezultat?

SONDAZHI I SOROS-IT – INDEKSI I KËNAQËSISË


Ka një sondazh, i cili na ka ofruar një rezultat parashikues të zgjedhjeve të qershorit, megjithëse jo drejtpërdrejt. Është ai i Soros-it, publikuar në mars 2013, i cili e nxirrte nivelin e mbështetjes popullore ndaj qeverisë 33%, thuajse të përafërt me rezultatin e PD-së sot. Pra afro 77% ishin të pakënaqur. (shikoni f. 10 në www.soros.al/2010/foto/uploads/File/Adela/Gjetjet%20paraprake%2026%20mars%202013.pdf) I pyetur asokohe në lidhje me gjetjet e këtij sondazhi kompleks, i cili nxirrte njëkohësisht një numër të madh të pavendosurish për votën politike, (të rendit të 40%) unë u përqendrova pikërisht te pakënaqësia masive ndaj qeverisë. Ndaj komentova: “Që ekziston fryma për ndryshim, kjo duket shumë qartë. A do të orientohet kryesisht te PS-ja apo dhe te partitë e tjera të reja, të ndryshme nga PS-ja, kjo mbetet për t’u parë”. Ndonëse sondazhi i Soros-it, i bërë publik disa ditë para se LSI-ja të shkëputej nga qeveria, nuk parashihte saktë preferencat partiake, sondazhet e tjera jepnin rezultate relativisht të larta të PDIU-së, të PRsë, por, mbi të gjitha, AK-së e FRD-së. AK-ja rezultonte diku tek 10% dhe FRD afro 5%. Në këto kushte mund të bëhet një farë interpretimi i asaj lëvizjeje të madhe të elektoratit te LSI-ja, menjëherë pas daljes së saj nga qeveria. Ajo çfarë ka ndodhur është orientimi i votës kundër qeverisë, prej dy alternativave të reja, të cilat u luhatën shumë në qëndrime (AK), që patën hapësirë të kufizuar mediatike, dhe aksioni politik prej presionit qeveritar (FRD-ja), te LSI-ja. Është kjo lëvizje që shumë komentatorë nuk mundën dhe disa nuk donin të parashikonin me shumë gjasë: orientimin e kësaj vote kundër nga dy partitë e reja te LSI-ja.

REZULTATI I LSI-SË


Janë tri arsye themelore për këtë rezultat të LSI-së. Së pari, relativizimi moral që karakterizoi debatin publik në Shqipëri në këtë vitin e fundit. PS-ja hoqi dorë nga sulmet mbi LSInë në përpjekje për ta joshur, duke heshtur me akuza pasi u bënë aleate. PD-ja nuk e sulmoi asnjëherë, as kur ishin aleate, as kur i iku, madje me gjasë u përpoq të flirtonte dhe në tri ditët e numërimit të votave, megjithëse Meta e fyeu Berishën me mesazhin e Laçit. Përpjekja e kampit qeveritar për të bërë të besueshëm barazimin moral të liderëve Rama dhe Berisha pati një farë suksesi. Sulmet morale u shkëmbyen mes këtyre dy prijësve politikë dhe Meta mbeti jashtë vorbullës së sulmeve. Në momentin kur të gjithë u bënë me baltë, zgjidhja fluktuante është më e lehtë për votuesin. Në këtë relativizim moral, sigurisht Berisha është protagonisti kryesor. Ai donte që Rama të sulmohej; ai ka dashur që Meta të përjashtohej nga sulmet dhe ja ku mbërritëm te fuqizimi i Metës. Së dyti, relativizimi ideologjik. Përfshirja e LSI-së, parti anti-Berishë në zgjedhjet e 2009- s, në qeveri së bashku me Berishën, ishte kontributorja e parë në fshirjen e dallimeve ideologjike mes palëve. Lëvizjet e LSI-së majtas, përfshirja e tre deputetëve të PS-së te lista e PD-së, një pjesë të akuzuar si puçistë për ngjarjet e 21 janarit, e thelluan dhe konsoliduan këtë relativizim ideologjik, i cili u përforcua dhe më shumë prej relativizimit moral. Nëse dy liderët kryesorë ishin njëlloj, madje të tre ishin njëlloj, pak rëndësi kishte përkatësia ideologjike, që për më shumë e ndërruan. FRD-ja që donte të rrinte ideologjikisht e vendosur, u defavorizua.

Në kushtet e këtyre relativizimeve, – faktori i tretë -, LSI-ja arriti si parti të prodhonte interesa, të mbronte interesa, të përfaqësonte interesa, gruporë, individualë, të momentit dhe afatmesëm. LSI-ja, si parti e njohur për qëndrueshmëri elektorale, me gjithë një sistem zgjedhor që e defavorizonte, me një udhëheqës pragmatik si Meta, krijoi bindjen se do të ishte në qeveri kushdo që të fitonte. Madje edhe thëniet e lëshuara qëllimisht në eterin tonë kombëtar të mësuar me teorira konspiracioniste se Meta do ishte Kryeministër (diçka që dhe vetë kampi i PD e mbështeti në distancë) apo se ajo do të kishte 40% të vendeve në administratë, kontribuuan fuqimisht në protagonizmin e LSI-së si parti kryesore. LSI-ja diti ndërkaq gjatë një fushate të orientuar mençurisht te biznesi i vogël dhe i mesëm, te fasonët, që punësojnë një numër të madh njerëzish, të tërhiqte votë masive.

Edhe zgjedhja e biznesmenëve në listën e deputetëve të cilët e financojnë fushatën dhe, pse jo, edhe votën, ka kontribuar në këtë rezultat të LSI-së. Parë kështu, LSI-ja, e cila me shumë gjasë ka rekrutuar apo tërhequr në favor të vet drejtues lokalë të partive të mëdha (shembulli i Kukësit), ishte alternativa më tërheqëse për ata votues të PD-së që e kishin mbledhur mendjen se s’do ta votonin më PD-në. Për ta LSI-ja, me të cilën kishin qenë në qeveri, që ofronte punësim, që mbronte interesa, që ishte pro taksës së sheshtë, rezultonte më tërheqëse sesa partitë e reja AK dhe FRD, besimi ndaj të cilave u tret shumë në dy muajt e fundit. Për më shumë, LSI-ja vuri kusht mbajtjen jashtë koalicionit opozitar të partive me njëfarë peshe elektorale, diçka që e favorizoi edhe më. Kjo ishte një përpjekje për t’u dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Por këto zgjedhje janë aq shumë të dendura për mesazhet e tyre, sa këto përpjekje do vazhdojnë gjatë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama