Zgjedhjet që prishën ligjësitë e tranzicionit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 8 vite më parë

Mentor Nazarko
Zgjedhjet që prishën ligjësitë e tranzicionit

Qytetarët shqiptarë votuan dje në mënyrë masive duke ia dalë të tejkalojnë ngjarjen e rëndë që ndodhi në qytetin e Laçit, ku një qytetar mbështetës. Nuk ka mbaruar një pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor, por disa mesazhe mund të nxirren që tani në të nxehtë, kur rezultati s’ka marrë ende formë përfundimtare. Ka një rrethanë që ta lehtëson identifikimin e këtyre mesazheve. Prirja në rezultat që kanë shfaqur kutitë e para të hapura po vazhdon me kokëfortësi, dhe duke pasur parasysh rendin e çrregullt të hapjes së kutive, atëherë duhet besuar se kjo prirje do të respektohet deri në fund. Radha e paraqitjes së mesazheve të mëposhtme nuk mbështetet mbi rëndësinë, por mbi rendin e shfaqjes së tyre. Përfundimi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve, një përfundim politikisht neutral, është se këto zgjedhje shënuan prishje të shumë ligjësive apo rregullave të pashkruara që kanë qeverisur ballafaqimet zgjedhore të shqiptarëve në kohë të pluralizmit apo të tranzicionit shqiptar. Në këtë kuptim ato janë votimet më të rëndësishme të të gjithë kohës së pluralizmit apo të tranzicionit.

Po i marrim me radhë ligjësitë e vëna në diskutim. Këto zgjedhje treguan se trupa administruese e zgjedhjeve funksionale e mbështetur mbi parimin e kontrollit reciprok të palëve s’ofron garanci që subjektet e reja, partitë e vogla, që s’duan të hyjnë në ombrellën e partive të mëdha, do marrin ato vota që meritojnë. Pra s’garanton dot zgjedhje të drejta, ashtu si dhe krijon probleme të reja në raport me zgjedhjet e 2011-s! Rezultoi që KQZ-ja mund të funksiononte dhe pa anëtarët e opozitës, megjithëse tani me shumë gjasë ata duhet të përfshihen në përbërjen e tij. Në përfundim, ky Kod duhet të rishikohet rrënjësisht, për të siguruar një administrim zgjedhor politikisht neutral, me rregulla të thjeshta dhe ndëshkime të forta.

Së dyti, këto zgjedhje prishën një ligjësi tjetër. Sipas saj, edhe nëpërmjet trukeve administrative, ndarjes së mandateve, aksiomës sipas së cilës dy blloqet janë thuajse të barabarta përballë kufizimeve të proporcionalit kombëtar, besohej se dy aleancat politike do fitonin me diferencë të ngushtë ndaj njëratjetrës. Por nuk ndodhi kështu. Dëshira popullore për ndryshim i theu vargonjtë e proporcionalit kombëtar dhe siguroi diferencë shumë të thellë mes palëve.

Së treti, vërtetimi i një situate të tillë nxori jashtë loje gjithë të ashtuquajturin aparat analitik, parashikues të kësaj shoqërie, një pjesë të mirë të mediave, që të rreshtuar haptas apo fshehtas me qeverinë, donin të bënin të besueshme një hipotezë të tillë. Sugjestioni nga një forcë e tillë manipuluese ishte aq i madh, sa dhe kompanitë e sondazheve donin ta përafronin rezultatin e tyre me këtë besim që artikulohej fort, dhe intensivisht se zgjedhjet do të ishin ”rrotë më rrotë”. Kjo forcë manipuluese futi në qarkullim lloj-lloj aksiomash të mbështetura mbi gjoja premisa morale, premisa matematikore, nga përzierja e të dyjave.  Të gjitha rezultuan konstruksione jo thjesht propagandistike, por dhe tymnajë për një manipulim eventual të zgjedhjeve nëse rezultati do ishte i ngushtë. Rreshtimi i shumë individëve në favor të propagandimit të këtij skenari duhet t’i bëjë me turp këta individë. Por ndoshta ky rreshtim është produkt i qëndrimit të gjatë në pushtet të një partie. Ajo prodhon aq shumë interesa, sa rrjeta e tyre duke kufizuar lirinë, fut brenda saj media, individë, lëndë të hirtë, por në fund ajo dështoi: populli nuk gënjehet.

Së katërti, u vërtetua se krijimi i një aparati ndikues, presioni, kushtëzimesh mbi administratën publike që prodhonte realitete virtuale si mitingjet uragan të qeverisë apo të taunholleve intensive, numrit gjigant të votave të garantuara në letrat e firmosura sjellë nga pjesëtarët e administratës publike etj., nuk funksionon më. Pra administrata publike duhet lënë e lirë, të depolitizohet, të funksionojë mbi meritokracinë, dhe rrugët e kërkimit të konsensusit elektoral të jenë ato tipiket në vendet perëndimore, përndryshe gjithmonë qeveritë do gënjehen se do fitojnë zgjedhjet, por dikur ato do t’i humbin.

Së pesti, këto zgjedhje shënuan vërtetimin e diçkaje që ndihej në ajër me ndryshimet e koalicioneve, me rreshtime individësh në taborët e kundërt në momentin e fundit. Ndarja ideologjike, përkatësisht votimi ideologjik, nuk qëndron më. S’qëndron më sepse ranë bastionet e palëve, me ndonjë përjashtim të vogël. S’qëndron sepse me shumë gjasë LSI-ja, në rritjen e vet, me siguri ka marrë vota të djathta. Pra, megjithëse ajo shkoi majtas si koalicion, mori dhe vota djathtas, dhe kështu shpjegohet rritja e saj, veçanërisht në Veri. Madje dhe PS-ja ka marrë vota të djathta.

Së gjashti, si pasojë e përfundimit të mësipërm, u rrëzua dhe ndarja e famshme se Jugu voton për PS-në dhe Veriu për PD-në, të cilit PD-ja i shërbeu shumë, veçanërisht në fund. Ndryshimi radikal i Shkodrës, i Lezhës, i Dibrës, dhe afrimi mes palëve në qarkun e Kukësit, e vërteton këtë.

Së shtati, ky votim ishte një votim shumë i pjekur popullor për shumë arsye. Vendi është në periudhë krize dhe ka nevojë për qeverisje të fortë, pra i duhej një shumicë e fortë. Ishte i pjekur sepse shmangu rënien në kushtet e një regjimi të kontrolluar nga një person: nëse PDja do të fitonte këto zgjedhje, me shumë gjasa, sipas skenarëve të ish-republikave sovjetike apo të Italisë, ku e njëjta parti qeverisi për afro 40 vjet, do të fitonte dhe mandatin e katërt. Në një shtet të vogël si Shqipëria, mundësia që qeveria të kontrollojë shoqërinë, mediat, edhe nëpërmjet ndihmës së mafies, përkatësisht krimit të organizuar, është reale. Ndërkohë edhe vota për LSI-në, në këtë përmasë, si partnerja e dytë e koalicionit, ngjajnë si garantuese për atë forcë kontrolli që i duhet një partie apo një lideri si zoti Rama, që akuzohet për prirje autoritariste.

Së teti, ky votim kaq i madh në favor të së majtës ka si shkak kryesor dëshirën popullore për largimin e Berishës nga skena politike. Berisha kontrolloi gjithçka në këtë fushatë, pasi kontrollonte gjatë 8 vjetëve tërë jetën institucionale, ekonomike dhe politike të vendit. Me këtë prani të madhe të tij edhe slogani i PD-së mbi ndryshimin (që ishte po vetë Berisha) ngjante qesharak. Për pasojë, ai, por dhe ekipi i tij më i ngushtë, që shënuan humbje të mëdha në zona si Shkodra, Fieri, Durrësi, Vlora, Gjirokastra (më pak Korça dhe Tirana), janë të dënuarit kryesorë të këtyre zgjedhjeve. Ky rezultat i lë aspak shanse atij të vazhdojë të dominojë Partinë Demokratike apo të mbetet në politikë, dhe kështu duhet të ndodhte në një parti normale, por kjo mbetet ende për t’u parë. Edhe votimi me shumicë i PDIU-së, i PR-së, tregon alergjinë brenda popullit të djathtë për Sali Berishën.

Në pamundësi për t’ia hedhur këtë votë së majtës, këta votues kanë zgjedhur parti të tjera brenda koalicionit. Brenda këtij koalicioni, duhet veçuar megjithatë PDIU-ja, e cila nuk ia detyron arritjet e veta vetëm kësaj alergjie, por dhe faktit që i është përmbajtur një programi, një ligjërimi, një kauze të munguar tek të tjerët në mënyrë të qëndrueshme, pa u lëkundur dhe pa agresivitet. Por këto zgjedhje, megjithatë, shënuan triumfin e Edi Ramës. Pra Partia Socialiste nuk po fiton vetëm pse po humb Berisha, por pse Rama u votua masivisht.

Ky rezultat u arrit me një pjesëmarrje të madhe në votime, pra PS-ja ka marrë më shumë vota në nivel absolut sesa në vitin 2011 apo në 2009 dhe PSja e vetme mund të arrijë afro gjysmën e Parlamentit. Më në fund edhe zgjedhja e Ramës për të thirrur Metën në koalicion nuk u paragjykua as mbi baza morale, dhe as mbi baza pragmatike. Këto janë disa përfundime në të nxehtë në lidhje me këto zgjedhje. Një pjesë e tyre mund të rishikohen prej rezultatit përfundimtar apo mund të plotësohen me të tjerë. Por çka ngjan se është konsoliduar mbetet përfundimi mbi prishjen e ligjësive. A ishin ligjësitë e tranzicionit ato çka u prishën, dhe me ikjen e Berishës shtohen shanset e daljes nga tranzicioni, kjo mbetet për t’u parë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama