Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tani që gjetëm të keqin…

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Tani që gjetëm të keqin…

Fjala “komision” mund të ketë qenë këto kohët e fundit një nga fjalët më të përdorshme të shqipes. Një herë, sepse u lutëm të gjithë bashkë të kishim një Komision Qendror të Zgjedhjeve të aftë e të besueshëm që të rikthente besimin tonë të humbur te vota e lirë. Pastaj e zumë sërish shumë me gojë, sepse ai në fakt u shpërbë duke u shndërruar në një katërshe të trishtë që rreket më kot të punojë.

E teksa të gjithë, shqiptarë e të huaj luten: Amani, more amani, bëni një tjetër KQZ për së mbari se s’u prish dynjaja! Pikërisht në këtë kohë, teksa dita e zgjedhjeve po vjen gjithnjë e me hap më të shpejtuar, pikërisht këto ditë Kryeministri kërkoi dhe miratoi një komision tjetër. Një komision i cili do të hetonte një zënkë mes Edi Ramës dhe zotit Ceka Jr. Nuk është vendi për të gjykuar ngjarjen.

Nëse nisemi nga fytyrat e ngrysura e të alarmuara të zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, ngjarja duket se ka qenë fort e rëndë, por nëse nisemi nga vetë reagimi i zotit Ceka të Riut gjëja ka qenë vërtet e papëlqyeshme, por jo edhe aq sa me të të merret një komision i posaçëm parlamentar. Sigurisht që e gjitha kjo bën pjesë në folklorin e lulëzuar parlamentar të këtyre kohëve të fundit. Sigurisht që në kohë zgjedhjesh miza bëhet buall, kjo është e kuptueshme. Porse e anasjella, pra që bualli të bëhet mizë, kjo është e papranueshme edhe në kulme fushatash elektorale.

Për shembull është e papranueshme që një Kryeministër të etiketojë kundërshtarin e tij politik si “me problem psikike”. Është e papranueshme në radhë të parë për cilindo individ, por është edhe më e  papranueshme, sepse kështu zoti Kryeministër u bën me dije shumicës së votuesve shqiptarë se ata nuk bëjnë gjë tjetër, por i shkuakan pas një njeriu, sipas tij të çekuilibruar. E bukur fort, për një popull që pretendon të jetë europian me të drejta të plota! Edhe një herë beteja politike ka kaluar nga ndeshja e programeve, punëve, halleve te fyerjet banale personale. Nuk është se nuk ishim mësuar, por edhe kështu…

Meqenëse tashmë nuk ka mbetur mjet tjetër për të ndikuar sadopak për ta shmangur disi klimën e rëndë të urrejtjes dhe të syve të egërsuar, le ta provojmë si fundjavë që është, që të përdorim ndopak humor, nëse arrijmë ta gjejmë ndokund ndër cepat e “krenave të lodhuna”.

Vëllezërit tanë amerikanë kritikat me humor, që kanë për realitetin në përgjithësi, por edhe për politikën në veçanti i kanë përmbledhur në një libër të famshëm që, titullohet “Ligji i Mërfit”. Ky, në fakt është një përmbledhje shprehjesh komike që e kanë marrë nismën nga shprehja e njohur e një inxhinieri të aviacionit. Ai, një herë, pat thënë i mërzitur për një kolegun e tij të paaftë: “Ai do ta kishte gjetur patjetër për ta bërë realitet mundësinë për të gabuar në bërjen e kësaj pune, qoftë edhe sikur të kishte qoftë edhe një të vetme të tillë!”. Në këtë libër pra, që nis me këtë formulim, gjejmë edhe ndonjë gjë për komisionet parlamentare. Të tipit: “Efektiviteti i mbledhjes së një komiteti është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e pjesëmarrësve të saj dhe me kohën që nevojitet për marrjen e vendimeve”.

Imagjinoni komisionin parlamentar për “Zënkën e Vjenës” se në cilat konkluzione të arrira do të mbërrijë në fund të mbledhjeve maratonë! Me siguri që do ta drejtojë gishtin nga Rama: Ky është i keqi që i ra në qafë djalit tonë! Do të jetë me siguri një aplikim i mrekullueshëm i “Ligjit të Mërfit”. Një tjetër aksiomë e ligjit, për të cilin po flasim, është edhe i ashtuquajturi “ligji i Banalitetit”, sipas të cilit: “Koha e shpenzuar për secilën pikë të rendit të ditës është në përpjesëtim të zhdrejtë me buxhetin e caktuar për atë pikë”. Edhe kjo aksiomë do të zbatohet me siguri pikë për pikë nga komisioni parlamentar “Mbi Zënkën e Vjenës”.

Të dyja palët sot brohorasin fitore. Është e kuptueshme, do të jetë kështu deri në natën e nxehtë të 23 qershorit. Ne, mileti qoftë të majtë apo të djathtë, kemi nevojë për njerëz që na ngjallin besim, përndryshe simpatitë tona mpaken, besimet tona bëhen zhgënjime, shpresa jonë venitet dhe këmbët nuk na çojnë dot as deri te kutitë e votimit. Një lider në politikë duhet të jetë i vendosur, duhet të bindë të tjerët se ai dhe vetëm ai bashkë me njerëzit që e rrethojnë është progresi vetë, është mbarësia, është zgjidhja e problemeve të njeriut të thjeshtë. Barrë fort e rëndë. Kush ka studiuar sadopak politologji e di fare mirë këtë. Por për t’u bërë i besueshëm duhet të kryesh akte që të ngjallin besim në fitoren e ardhshme edhe nëse natën përpëlitesh nga kurthet e të nesërmes së pasigurt. Me historinë e KQZ dhe më sjelljen prej të pasigurti kohët e fundit, Kryeministri është duke i bërë një dëm edhe vetë të djathtës dhe koalicionit të cilit ai i shërben. Një personazh si ai, gjithnjë i bindur në fitore, nuk kishte nevojë ta shtynte në kalendat greke, gjënë më urgjente që kërkon demokracia shqiptare, një KQZ të riformatuar sipas situatës së re politike. Kështu do të jepte shembullin i pari në besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve, kështu do të fitonte dhe jo do të humbiste pikë, kështu do t’i frymëzonte edhe më pasuesit e tij të shumtë.

Autori i këtyre radhëve nuk ka pasur dhe as e ka aspak ndërmend të bëjë propagandë për ndonjë parti. Ai beson se të jesh gazetar, kryesisht në terren, i shërben më mirë vendit nëse mbetesh shërbëtor i së vërtetës dhe jo i propagandës partiake. Por ai beson gjithashtu se PD është një pasuri e madhe e këtij vendi. Është një forcë që ka gjeneruar energji, ka sakrifikuar dhe ka drejtuar një nga vendet më të vështira të Europës ndër kohëra shumë të vështira. PD, sikurse edhe partitë e tjera ka në gjirin e vet njerëz të mençur, të shkolluar, të hapur, njerëz që i janë dashur, i duhen dhe do t’i duhen këtij vendi. Pikërisht andaj njëri prej tyre duhej t’ia kujtonte “Doktorit” se në vend që të ngrejë një komision për “Zënkën e Vjenës” bën mirë që sa më parë të ulet me rivalët e tij, t’i përmbajë emocionet, që normalisht vijnë nga zhgënjimet, mosmirënjohja, lodrat e hijes së politikës, dhe, bashkë me të tjerët t’i japë vendit një KQZ në të cilën do të besojnë të gjithë dhe atëherë garën le ta fitojë më i miri, ndershmërisht, burrërisht, shqiptarçe (në kuptimin e vjetër të fjalës).

E nisëm me humor dhe po e mbarojmë si shumë të vrenjtur. Meqë ra llafi, një tjetër aksiomë e “Ligjit të Mërfit”, që është quajtur në mënyrë konvencionale “Ligji i parë i Alekseit”, thotë tekstualisht: “Kalin mund ta çojnë të gjithë për të pirë ujë, por pak janë ata që e çojnë për t’i mësuar notin shpinë”.

Kështu edhe puna jonë. Të gjithë do të jemi njerëz normalë nëse i çojmë kuajt që të pinë ujë qetësisht, porse ndokush prej nesh po kërkon ende, për fat të keq, që t’i mësojë notin shpinë. Një gjë e pamundur për kalin e shkretë.

(Për këtë shkrim u përdorën citime nga: Artur Blok; Ligji i Mërfit; Përktheu Sokrat Ahmataj; UEGEN, Tiranë 2001).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama