Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sikur te mjaftonte nje shkulje veshi

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 11 vite më parë

Skënder Minxhozi
Sikur te mjaftonte nje shkulje veshi

Shumëkush ndoshta nuk e kujton se në këto zgjedhje ka një kryetar partie, i cili është objekt i një komisioni hetimor që është ende në fuqi. Bamir Topi, kreu i FRD, jashtëzakonisht i anatemuar nga mazhoranca pas 21 janarit 2010, kur ishte kryetar i shtetit, është subjekt i listës së hetimit parlamentar që formalisht ende vazhdon për ngjarjen në fjalë, ku u vranë katër demonstrues. Natyrisht që vetë zoti Topi vë buzën në gaz përballë kësaj rrethane (me siguri të njëjtën gjë bëjnë edhe vetë anëtarët e komisionit të “puçit”). Por ja që ai mund të ketë së shpejti një “bashkudhëtar” tjetër, gjithashtu kryetar partie, gjithashtu të kërcënuar me hetim parlamentar. Madje në fund të legjislaturës, atëherë kur zakonisht fjalën e kanë zgjedhësit, e jo deputetët, të cilëve u kanë mbetur ende disa thërrime mandati për të konsumuar.

Incidenti i përfolur i Edi Ramës në Vjenë, me një diplomat shqiptar, ka ndezur papritur të gjithë motorët e qeverisë. Berisha në Kuvend ishte një tjetër njeri të enjten, nga ai i fjeturi i këtyre javëve të fundit, kur e pa veten pa Ilir Metën në krah. I rikthyer në fjalorin e tij të njohur thellësisht fyes, kryeministri u nxitua të njoftojë në seancën e fundit të Kuvendit, ngritjen e komisionit hetimor për Ramën. Me shpejtësi, para se afati ligjor i 3 majit ta ndalojë krijimin e komisionit në fjalë, shumica u vu në rresht dje për të firmosur nismën e kryeministrit. Për t’ju rikthyer 21 janarit, dukej i njëjti mllef, i njëjti agresivitet dhe urrejtje për kundërshtarët politikë, paçka se incidenti apo ndoshta-ndoshta më saktë, furtuna në gotën e ujit, që u konsumua në Vjenë, nuk mban jo më një komision hetimor të Kuvendit, por as një artikull gazete.

Shpejtësia me të cilën Berisha e kapi në ajër këtë ngjarje, gjallëria e tij e beftë për të përdorur një ngjarje për të cilën edhe këto orë po dalin versione krejt të kundërta, reflekton indirekt dy elemente, të cilat në fakt s’kanë asnjë lidhje me atë që ka ndodhur mes Edi Ramës dhe Egin Cekës.

Së pari, acarimi i kryeministrit me vizitën e Ramës në Vjenë duket se rrjedh nga formati i vetë vizitës së kreut të opozitës. De facto, mënyra sesi Rama u prit në kryeqytetin austriak, i dhanë udhëtimit të tij formën e një vizite zyrtare të një shtetari, e jo të një kryetari të minorancës. Takimet me presidentin austriak dhe sekretarin e përgjithshëm të OSBE, si dhe me ministra e zyrtarë të tjerë të lartë, duket se kanë nxitur zilinë e Berishës, i cili, nga ana e tij, ka probleme të thella me mbajtjen e kontakteve të nivelit të lartë në Europë dhe SHBA. Nuk përbën lajm fakti se axhenda e kryeministrit tonë është e mbushur me takime e konferenca shumëpalëshe, apo mbledhje partish të djathta, por ka pak, shumë pak vizita dypalëshe, me ftesa zyrtare nga homologët e tij. Berisha ndodhet prej vitesh në një gjysmë izolimi ndërkombëtar mjaft të lexueshëm.

Së dyti, ajo që del nga gjallëria që solli rasti “Ceka” në radhët e mazhorancës, është pozita e keqe në të cilën ndodhet sot qeveria, përballë kundërshtarëve të saj, që janë grupuar si kurrë më parë. Berisha duket në vështirësi të plotë për të tërhequr karron e kësaj fushate. Kjo u duk në listën e koalicionit që ai paraqiti, ashtu siç duket në pasivitetin dhe lodhjen e përgjithshme që pasqyron ekipi i tij. Megjithëse është 10-20 vjet më i vjetër se shumë prej ministrave të tij, Berisha vijon të jetë ende më reagues dhe aktiv se ata. Është më se e mundshme që kryeministri ta ketë ndier prej kohësh këtë të ftohtë që i vjen pas shpinës, me një tufë ministrash e partiakësh që tashmë e kanë kuptuar se mandati i tretë do të jetë një malore shumë e thepisur. Kësisoj kapja e pretenduar për veshi e Egin Cekës po përdoret për t’i dhënë sadopak jetë një fushate elektorale, e cila po nis me nota të thella flegmatike. Zgjedhjet nuk fitohen me një kapje veshi. Duhet shumë më tepër dhe për qeverinë tashmë mund të jetë tepër vonë.

Megjithatë Berisha do të ketë, që nga e hëna, një kartë shtesë, për të sulmuar kundërshtarin e tij kryesor, në dallgën e mitingjeve që përgatiten në këtë verë të nxehtë. Motoja e tij është e thjeshtë dhe e vjetër: do më dëgjojnë qindra mijë, do më duartrokasin disa mijë, do më shajnë disa mijë të tjerë, por ndoshta do më besojnë po kaq. Hidh baltë sa të mundesh, se diçka mbetet, thotë proverbi…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama