Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza do të thellohet

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Kriza do të thellohet

Situata më e fundit në lidhje me Komisionin Qendror Zgjedhor krijoi menjëherë në gjirin e opinionistëve ndarjen në dy krahë, që në fakt janë krahët respektivë politikë: të atyre që mbështesin qasjen politike të zgjidhjes së krizës dhe të atyre që mbështesin qasjen kushtetuese. Më konkretisht, ata që privilegjojnë zgjidhjen në favor të PD-së i referohen parimit të ekuilibrit partiak, i cili, sipas gojës së ekspertit kryesor të PD-së Bylykbashi, daton prej një marrëveshjeje PD-PS të vitit 2003. Të tjerët privilegjojnë apo mbështesin parimin e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë, i cili nuk parashikon ndryshime të anëtarëve të KQZ-së, veçse në kushte të veçanta si ato të gjyqtarëve.

Ndërkombëtarët, të cilët kanë asistuar në gjithë reformat zgjedhore të tranzicionit, bëjnë thirrje për negociata, më konkretisht duan që të pajtohen dy rrymat, ose dy qasjet. Ata duan që të pajtojnë interesat e palëve politike me ligjin, me Kushtetutën. Po a është e mundur kjo pikërisht kur dy palët janë në frontin e luftës të rreshtuara, madje të rirreshtuara me thikë në dhëmbë për të asgjësuar njëri-tjetrin deri në fund?

Çfarë do të ndodhë në këto kushte kur qasja partiake përplaset me qasjen juridike?

Filli që duhet ndjekur për të parashikuar ç’do të ndodhë është qasja e gjoja ekuilibrit partiak që pretendon se sjell PD-ja në negociatat që propozojnë ndërkombëtarët dhe që PD-ja bëri sikur i pranoi. Me shumë gjasa PD-ja do kërkojë që sipas parimit partiak të negociohet duke filluar nga KQZ deri për nivelet e tjera, për komisionet zonale, për numëruesit etj., siç paralajmëroi truri i administrimit zgjedhor për PD-në, Oerd Bylykbashi, në një intervistë dje. Të diskutohet politikisht për të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor do të thotë të zhbësh jo thjesht Kodin Zgjedhor, por dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor, pra një sistem të tërë rregullash të ndërtuara mbi bazën e një raporti të caktuar partiak të 2009-ës që sot s’është më. Të ndryshosh të gjitha rregullat e kompozimit të niveleve të ndryshme të administrimit zgjedhor do të thotë ose të bësh patjetër ndryshime të Kodit Zgjedhor – kur ato nuk lejohen më dy muaj para zgjedhjeve, ose të shkelësh ligjin konsensualisht.

Do të thotë të pranosh dominimin e PD-së në administrimin zgjedhor, sipas parimit të shumicës së sforcuar që u verifikua në Parlament me rastin e votimit të 4 ministrave, dhe jo mbi bazën e krijimit të grupeve parlamentare në vitin 2009. Do të thotë që ngjashëm me kalimin e fitores në Tiranë te Basha, me trukun e votave të gabuara, të ndryshohen rregullat e lojës ndërsa loja ka filluar. Ndaj që tani mund të thuhet se këto negociata do të dështojnë. Palët nuk do të merren vesh dhe zgjedhjet do të hyjnë në krizë. Pse? Pas dështimit të negociatave, PD-ja, pa pyetur fare për ndërkombëtarët, do të imponojë me forcën e kartonëve marrjen e anëtarit të propozuar nga LSI-ja. Pastaj, me ndihmën e këtij anëtari, PD do të miratojë po në KQZ ndryshimin e përbërjes në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor. Në këto kushte, edhe LSI supozohet se do të kërkojë t’ia marrë PBDNJ-së anëtarin në KQZ, dhe ky është një tjetër qëllim pervers i manovrës së PD-së me anëtarin e KQZ-së. Të shkatërrojë një aleancë të madhe të opozitës dhe të tërheqë në krahun e vet PBDNJ-në.

Parathënia e krizës që do të thellohet në lidhje me këto zgjedhje na çon në disa përfundime.

 Disa përfundime

Së pari në lidhje me origjinën e problemit. Ajo gjendet pikërisht te fryma partiake e këtij sistemi administrimi zgjedhor. Nuk mund të ofrojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kryetarë partish që nuk zhvillojnë zgjedhje të tilla, ose nuk zhvillojnë fare garë në nivel partiak. Situata e krijuar rreth KQZ-së në fakt do të jetë dështimi më dramatik i një sistemi bipolar partiak që ndan shtetin në parcela, e, për pasojë, dhe institucionet zgjedhore. Do të fillojë shthurja e sistemit që nga KQZ deri poshtë. Ky sistem partitokratik shkatërroi me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës aksin mbajtës të Kushtetutës së 1998-ës, por nëpërmjet kodeve zgjedhore që pasuan, zhbëri dhe vetë frymën kushtetuese për KQZ-në. Me ligje u deformua fryma e Kushtetutës, e cila nënkuptonte një sistem apolitik administrimi zgjedhor, duke filluar nga KQZ deri në nivelet e tjera të administrimit zgjedhor. Ndërkombëtarët, respektivisht OSBE-ja, e ngarkuar prej tyre, edhe atëherë, asistuan këtë dhunim të Kushtetutës, i cili në vendet e tyre do të krijonte revolucion dhe s’do ta pranonte asnjë institucion.

Përfundimisht, me manovrat që do të shohim këto ditë, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor do të dhunohen tërësisht. Një Zot e di si do të shkojë puna e administrimit zgjedhor në Shqipëri në qershor 2013, pas grushtit të PD-së për të shtënë në dorë tërë nivelet e administrimit zgjedhor. Ama, menjëherë pas zgjedhjeve ky administrim duhet të reflektojë urgjentisht frymën e Kushtetutës. Depolitizim tërësor i tij në çdo nivel. Ndëshkime penale të forta për ata që manipulojnë zgjedhjet mbi bazë partiake. Shqyrtim me afate të shkurtra i ankimimeve. Votim elektronik për gjithë territorin. Pra restaurim i Kushtetutës.

Së dyti, lufta e egër që bëhet për të pasur përfaqësues në nivelet e ndryshme të administrimit zgjedhor, është dëshmia më elokuente e manipulimit të zgjedhjeve dhe mungesës tërësore të besimit të palëve te njëra-tjetra. Ndryshe s’kishte pse të zhvillohej luftë kaq e egër.

Së treti, një përfundim në lidhje me ndërkombëtarët, veçanërisht përfaqësuesit e kancelarive, d.m.th. ambasadorët e vendeve të rëndësishme. Është krejt e kuptueshme që ambasadorët me mandate profesionale afatshkurtra- 3-4-vjeçare janë të prirë të sigurojnë suksese në kësi lloj negocimesh si ai që po kërkojnë, sipas parimit të gozhdës që nxirret me gozhdë. Asnjëri ama nuk ka mundur të ofrojë një vizion afatgjatë të zgjidhjes së problemit të administrimit zgjedhor në Shqipëri, që kalon nga depolitizimi i tij. Dakord, ky depolitizim s’mund të ndodhë menjëherë, por është një proces që do kohë, ama kjo duhet të jetë prirja e çdo reforme zgjedhore. Jo të ndodhë e kundërta. Ambasadorët e vendeve të veçanta s’duhet t’ua besojnë reformën zgjedhore ambasadorëve të OSBE-së, të cilët nga ana e tyre janë më të prirurit për suksese afatshkurtra, me fjalë të tjera, për kriza ciklike. Për një moment të vetëm në historinë e veprimit diplomatik do të ishte mrekulli sikur ambasadorët të sillen sikur Shqipëria të ishte vendi i tyre dhe të ideojnë, të asistojnë një reformë modernizuese të sistemit zgjedhor.

Së katërti, dakord, ndërkombëtarët kanë faj, por faji kryesor është i klasës sonë politike që rezulton se është më e liga në Ballkan. Ndryshe s’ka si shpjegohet që brenda rajonit në vendet në tranzicion ku ka plot raste manipulimi, vetëm sistemi shqiptar i administrimit zgjedhor është kaq konfliktual, kaq problematik. Me një fjalë, edhe në vende të tjera, përfshi Kosovën, ka prani ndërkombëtare që asiston reformat zgjedhore, por zgjedhjet administrohen në një mënyrë shumë më të besueshme dhe jo kaq konfliktuale. Kjo klasa jonë politike, ku protagonisti kryesor i tranzicionit është Sali Berisha, duhet të jetë vërtet më e veçanta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama