Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mesazhet e ikjes së Metës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Mesazhet e ikjes së Metës

Akoma vazhdojnë diskutimet mbi moralitetin që karakterizon daljen e Metës nga koalicioni me Berishën dhe hyrja në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste. Diskutime morale ishin bërë dhe po bëhen për udhëheqjen e Ramës dhe pa këtë akt afrimi të Metës. Për shembull, pse Rama kandidoi një ish-prokuror në Kukës, ish-kreun e KQZ-së, dekanen e Elbasanit, pse afrohet me PBDNJ-në etj., etj. Diskutime me frymëzim moral do të bëheshin me të drejtë edhe nëse Meta do sillej ndryshe: do të dilte në një koalicion me Berishën në zgjedhje, apo në një pol të tretë dhe do të bashkohej më pas me të majtën.

Por janë krejt të ndryshme diskutimet me bazë morale që bëhen nga zëra të caktuar të së majtës dhe tërësisht të justifikuara ato që vijnë nga autoritete morale të këtij vendi. Për të parët të vjen në mend një paravoli e Biblës, nga Ungjilli i Xhovanit. Kush nga ju është pa mëkat, le të hedhë gurin i pari mbi këtë grua – shkroi Jezu Krishti mbi rërë si mesazh për farisenjtë që donin të godisnin me gurë mbi një grua mëkatare. Dhe meqenëse askush nuk hodhi gurë, dhe të gjithë ikën një e nga një, Jezui, pasi pyeti gruan: a të kanë dënuar dhe mori përgjigjen jo, tha: – As unë nuk po të dënoj!

Kjo histori e lashtë nga Bibla, në fakt ka dhe një mesazh që nuk di sa është shpërfaqur: edhe Jezu Krishti nuk e dënoi mëkataren sipas ligjit të Moisiut. Pse? Edhe ai është ndier mëkatar ndoshta? Apo e quante dënimin të shpërpjesëtuar në lidhje me mëkatin? Me këtë pandehmë historike, ku dhe Krishti pranon indirekt se dhe ai është mëkatar, le të sjellim një shembull politikanësh tanë që s’i ngjajnë atij. A nuk ishte PS-ja pas zgjedhjeve të 2009-s që vendosën një farë ekuilibri, e cila negocioi për të arritur koalicionin e madh me PD-në? E gjendur viktimë në këtë skenar të mundshëm, LSI-ja u tregua më e shpejtë, diçka që i garantoi PD-së që të qeveriste dhe një mandat të dytë. Sot kemi zhvillime të reja që sërish frymëzojnë qasje morale dhe kështu do jetë gjithnjë.

Përtej konsideratave të rrafshit moral, ky kalim i LSI-së në krahun e opozitës bart disa mesazhe më tokësore, jo domosdoshmërisht pragmatike. Po zgjedhim ato që lidhen me interesin publik. Nga këndvështrimi i autorit, rotacioni është interes publik. Në të njëjtën mënyrë kemi arsyetuar dhe 8 vjet më parë, kur qeveria “Nano” e PS-së, pas dy mandatesh po kërkonte të tretin.

Një mandat i tretë për PS-në do të ishte një degjenerim i plotë i pushtetit ekzekutiv për shumë arsye, por dhe degradim i institucioneve. Shqipëria do t’i ngjante gjithmonë e më shumë Italisë së pasluftës kur Partia Demokristiane në aleancë me mafien blinte vota dhe askush nuk e rrëzonte dot nga pushteti për afro 40 vjet. Një skenar i tillë italian rrezikonte të ndodhte në Shqipëri nëse PS-ja do fitonte një mandat të tretë, dhe i njëjti rrezikon të ndodhë nëse PD-ja do të fitonte një mandat të tretë. Do të kemi një pushtet personal ose familjar të Berishës që do merrte karakterin e një republike të ish-Bashkimit Sovjetik, shtënie të gjithë institucioneve në dorë të tij; rrënim të financave publike; konfliktim të mëtejshëm me bashkësinë perëndimore etj. Por, nëse Nano më 2005-n hezitoi të bënte truke për të ndenjur në pushtet, Berisha do të bëjë gjithçka të mundur dhe të pamundur për të marrë një mandat të tretë.

E pra, kalimi i Metës majtas zvogëloi shanset që PD-ja të kontrollojë zgjedhjet, t’i manipulojë ato në atë shkallë sa të pengonte rotacionin – ky është mesazhi i parë. Kush ka përfytyrime me këtë sistem zgjedhor se sa do ishte përqindja e manipulimit nëse në krahun e qeverisë do ishin dy aktorë të njohur për to, kreu i PD dhe ai i LSI-së, atëherë duhet të ndihet pak më i qetë me këtë kalim. E majta do ketë më shumë kontroll legal mbi zgjedhjet, duke zvogëluar shanset e qeverisë për manipulim, veçanërisht në fshat. Me këtë sistem zgjedhor nuk ka mundësi të fitojë asnjë alternativë mbi baza morale, as vetë Jezu Krishti.

Kalimi i Metës majtas bart dhe një mesazh tjetër: anija qeveritare po merr shumë ujë brenda dhe duhet ikur me shpejtësi. Për të gjithë të pavendosurit apo të ekspozuarit ndaj premtimeve marramendëse të qeverisë, ky kalim është një goditje shoku që i heq çdo dyshim. Nëse krahu qeveritar do kishte shanse të fitonte, zoti Meta do qëndronte me PD-në. Ai e njeh aq mirë politikën, sa ta bënte një gjë të tillë, pra Meta iku andej nga anon balanca e fitores. Meta ka vlerësuar eventualisht dhe sondazhet që LSI-në e kanë nxjerrë në nivele të ulëta nëse do rrinte në krahun e PD-së, por ky fakt s’ka rëndësi nga këndvështrimi i përgjithshëm.

Ikja e Metës nga qeveria konfirmon dhe një mesazh tjetër shqetësues për gjendjen e ekonomisë publike, veçanërisht në rast se do konfirmohej shumica PD-LSI-PR etj: financa të rrënuara nga premtimet elektorale, mungesë mbulimi për to etj. Vetë Berisha e pranoi se premtimet e fundit kanë një kosto në financa prej 200 milionë eurosh, përveç borxheve të tjera publike. Meta s’ka dashur të asociohet deri në fund me këtë gjendje, për më shumë, ndryshe nga Berisha, në raste të ngjashme vështirësish financiare, ai ka dhënë dorëheqjen nga qeveria.

Me ikjen e vet, Meta, njeriu që më shumë nga të gjithë politikanët kryesorë të vendit i dëgjon ndërkombëtarët, lë të kuptojë se ata s’janë në favor të vazhdimit të kësaj shumice për një mandat të tretë. Ka pasur plot sinjale në këtë linjë, pavarësisht Metës, veçanërisht konfliktimi i vazhdueshëm i Kryeministrit Berisha me ambasadorin amerikan apo SHBA-të, ftohja me BE-në (injorimi reciprok me Fylen etj), axhenda inekzistente në marrëdhënie dypalëshe e tij etj.

Edhe mënyra se si Meta po ikën nga PD-ja ndikon në amortizimin e një rotacioni të mundshëm me votë, diçka e paimagjinueshme në historinë politike të Berishës. Mesazhet që ai po lëshon për ruajtjen e bashkëpunimit në nivel lokal, megjithëse pragmatike e të frymëzuara nga nevoja e ruajtjes së kontingjentit të LSI-së në administratën publike dhe lokale, i shërbejnë tranzicionit të butë të pushtetit.

Natyrisht, ky kalim nuk është kaq i thjeshtë sa të shihet vetëm nga ky këndvështrim. Ai është një sfidë e veçantë për kreun e PS-së Rama dhe për të majtën, por kjo gjë është jashtë interesit të këtij shkrimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama