Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha, Facebook-u dhe votuesi i ri

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Berisha, Facebook-u dhe votuesi i ri

Fushata zgjedhore në rrjetet sociale ka fituar një intensitet apo një cilësi të re, veçanërisht me përfshirjen e Kryeministrit Berisha. Kjo përfshirje e tij rrit peshën ose forcën e rëndesës së fushatës te mediat sociale, pse ai është Kryeministri, pse ai është në një moshë relativisht të madhe për t’u marrë me to, por dhe për shkak se në fund të fundit ai është njeriu që e njeh më mirë nga të gjithë propagandën. Kryeministri Berisha njeh, ka lëvruar apo ka qenë subjekt aktiv i propagandës në dy regjime, në dy sisteme dhe kjo i jep atij epërsi fillestare.  Ai është njohës  shumë i mirë i mentalitetit popullor, çka e shtyn që të diferencojë mesazhin në varësi të grupit që do të ndikojë, qoftë si audiencë e afërt, qoftë e largët.

Kjo preferencë e vonuar e Kryeministrit tonë për mediat sociale është e ndikuar me siguri edhe nga jashtë, nga ekspertë të huaj të fushatës së tij dhe ngjan se ka për fokusim veçanërisht votuesin e ri, d.m.th. votuesin e herës së parë. Ky target grup është ajo pjesë e votuesit e cila është më e ndikueshme nga rrjetet sociale. Të gjithë biem dakord se ata janë frekuentuesit më pasionantë të Facebook-ut, që harxhojnë më shumë kohë në të. Por ky është dhe një votues i cili gjendet në moshën e rebelimit, d.m.th. kur ka më shumë gjasa të votimit të tij, ndryshe nga prindërit.

Ky votues nuk gjendet i ekspozuar apo ndikuar nga rrethana personale që lidhen me punësimin apo diçka tjetër jetësore, sepse ende nuk është përballë tyre: ai mund të arrijë të blejë iphone, megjithëse babai s’ka punë. Ky votues jashtë skalioneve të rreshtuara të elektorateve besnike është një votues i cili nuk ka kujtesë personale të bollshme; për shembull të mbajë mend çfarë ka bërë Berisha në 1997-n. Në fund të fundit këta votues që kanë lindur në atë periudhë kanë qenë shumë të vegjël për të kujtuar atë që ka ndodhur, ndaj fokusimi i Berishës te kjo moshë ngjan diçka krejt racionale, nga një këndvështrim politikisht neutral.

Në këtë preferencë të tij për mediat sociale Berisha është ndikuar edhe nga nevoja për të amortizuar imazhin që po përpiqen t’i japin me të gjitha ngjyrimet metaforike kundërshtarët e vet, që po e etiketojnë ose portretizojnë si politikan i brezit të vjetër-plak, i kërrusur etj. Me këtë pikësynim, përveç mitologjisë që ai e përhap po vetë mbi pavdekshmërinë e tij, mungesën e pllakave sklerotike, fuqinë në not etj., Berisha i ka dhënë fushatës së vet edhe një dimension të një njeriu të lidhur me inovacionin, me teknologjitë e reja, me 3G, 4G. Lidhja e tij me Facebook-un është kështu pjesë e këtij objektivi të fushatës: ndikimin e votuesit të ri. Ka shumë aktivitete të tij, jo thjesht te media sociale, që janë të fokusuar te ky votues.

Kështu, për shembull, dhe vetë iniciativa për votimin e 16-vjeçarëve në të vërtetë kishte brenda një përpjekje për të sugjestionuar votuesin e ri. Ky truk propagandistik (sepse Berisha e dinte mirë që s’do kishte vota për të bërë ndryshimin kushtetues) mbarte brenda një ide sugjestive. Shikoni, unë jam i sigurt që adoleshentët votojnë për mua, ndaj e kërkoj këtë! Ndërkohë, kur ti mendon (apo do që të tjerët të mendojnë) se kjo iniciativë do ndikojë 16-vjeçarët, ajo do ndikojë dhe 17-vjeçarët apo 18-vjeçarët, që gjithashtu do duhej të votonin sipas kësaj iniciative.

Kjo formë komunikimi e re e Berishës është një përpjekje për t’i dhënë imazhit të vet publik një përmasë trendi. Berisha përpiqet të ngjajë kësisoj edhe në përpjekjet e veta, për shembull për të promovuar politikisht Greta Koçin apo Çiljetën e të tjera këngëtare, përpjekje në të cilat imiton Berluskonin, për të cilin ka adhurim të jashtëzakonshëm si një «gjeni elektoral». Edhe në këtë pikë përpjekja për të ngjarë trendi ka një farë rezultati: Berisha ngjan si i rinuar, Rama është vjetruar pak. D.m.th. ai Rama rebel, me veshje jo konvencionale, i paparashikueshëm, sot me kostumet e tij ngjan pak i vjetruar prej nevojës për t’u dukur politikisht korrekt, në krye të një partie tradicionale etj.

Në këtë preferencë të Berishës për rrjetet sociale kanë ndikuar edhe shembujt nga bota, fqinjët, fenomeni “Grillo” i Italisë. Imitim i thjeshtë? Jo, nëse shikon numrin e klikuesve, frekuentuesve të lajmeve të futura në fb, do shikosh se është një numër më i madh sesa ai që rezulton nga audiencë matësit e mediave tradicionale. Pra, ti nëpërmjet mediave sociale i drejtohesh një numri më të madh konsumatorësh të propagandës.

Berisha në raport me mediat sociale nuk do të frekuentojë Twitter-in, duke bërë sërish një sjellje populiste, gjegjësisht më elektoraliste, përballë Edi Ramës që është më i hershëm në këtë formë komunikimi. Twitter-i ngjan se është një formë më e kondensuar mendimi, ku ti përpiqesh ta thuash mendimin tënd me sa më pak fjalë, sa më qartë. Berisha mund t’i gjente ato pak fjalë më kollaj sesa Rama, sepse ka bagazh më të pasur metaforik, por  do mund ta bënte me sukses këtë vetëm për publikun e gjerë, i cili ama nuk frekuenton mediat sociale sikur të rinjtë. Twitter ndërkohë është një formë e të shprehurit, e cila jo gjithmonë të jep atë qartësinë e duhur në fund të fundit. Ndërkohë mesazhet apo statuset në Facebook dhe në Twitter kalohen në një media tradicionale sakaq, diçka që realizon qëllimin e propagandistit, duke shumëfishuar efektin fillestar në formën e zhurmës së kambanës.

Përpjekja e Berishës për të përdorur Facebook-un është një përpjekje për të përdorur gjithçka të mundur, për të bërë propagandë dhe, Berisha, në funksion të propagandës, është njeri që provon gjithçka që mendohet se ecën. Kështu, në funksion të propagandës ai provon edhe propozimin për të sterilizuar pedofilët, që me shikim racional është banal, një shashkë propagandistike, si propozim i pastudiuar; ai provon qoftë edhe arrestimin treditor të babait të Sajmir Tahirit.
Në këtë preferencë të Berishës për Facebook-un, ka edhe një moment tjetër social, që lidhet me mënyrën si informohen sot njerëzit. Në Shqipëri më pak dhe në Kosovë më shumë, njerëzit, brezi i ri, më shumë preferojnë që të ushqehen nga pikëpamja informative apo politike me porcione të vogla. Mediat sociale, portalet të japin ushqim të tillë, të paketuar, si hamburgerët apo sanduiçët, ushqimet e gatshme, si McDonalds. Nuk dihet nëse kjo do jetë prirja e përhershme, por në këtë moment kjo prirje është dominante kudo, në gjithë botën, pra dhe në Shqipëri.

Si anëtar i ri i familjes së FB, megjithëse jo si bartës i ndryshimeve të mëdha revolucionare alla Grillo, Berisha është i veçantë për shumë arsye. Ai është një burrë afro 70 vjeç, që vendos papritmas në një moment që t’i përkushtohet një diçkaje të re, ashtu si në një dashuri të parë. Berisha ngjan se është shumë i marrosur pas kësaj dashurie. Në këtë dashuri të re, në  angazhimin në Facebook, Berisha po synon të dominojë, qoftë në pikëpamje të blerjes së like-ve (pëlqimeve) apo like-ve të vërteta që ka. Dhe ai harxhon shumë kohë (relativisht) në Facebook. Është shumë e lehtë për dikë që e ka ndjekur mendimin e tij politik të kuptohet se çfarë e ka shkruar ai dhe çfarë stafi i tij.

Është e vërtetë banale se Berisha përdor disa nivele të ndryshme komunikimi apo propagandimi, duke qenë një dinozaur i propagandës. Por ai diferencon propagandën në fb, ndryshe nga propaganda në mediat e tjera. Në Facebook ai përpiqet të tregojë një fytyrë të veten më të mirë, më njerëzore, që nuk sulmon shumë kundërshtarin, maksimumi e tall me skicat e veta të ngjashme me Hostenin e para ‘90-s, siç ishte rasti i darkës imagjinare të Anastas Angjelit. Bateritë e rënda propagandistike ai po ua beson të rinjve të oborrit të vet, megjithëse kjo duket paradoksale: ai u drejtohet të rinjve si një gjysh i mirë, ndërsa të vjetërve i lëshon batare të egërsisë politike, kryesisht nëpërmjet fytyrash të reja. Pra, në Facebook ne po shohim një fytyrë tjetër të tij politike dhe njerëzore, njëra nga disa fytyrat që ai ka.

Ka dhe diçka tjetër që përforcon bindjen se ai e lëvron kryesisht vetë Facebook-un, ndërsa stafi i vet merret më pak sesa ai dhe gjithmonë në zbatim të një ideje të tij.

Berisha në historinë e vet personale është një letrar i munguar, një njeri që ka dashur të bëhet njeri i letrave me shumë pasion. Mjafton të lexoni një portret të tij nga skenaristi Roland Gjoza, ku tregohet se si ai çdo ditë shkonte në klubin e Lidhjes për të përshëndetur shkrimtarët e mëdhenj, për ta kuptuar këtë prirje. Por jo vetëm. Shumë prej fjalimeve të veta politike në Parlament, shumë prej improvizimeve në fakt janë letërsi e realizmit socialist me personazhe negativë dhe pozitivë. Shumë prej këtyre fjalimeve reflektojnë leximet e tij të shumta letrare dhe shkrimtarët e tij të preferuar që mundohet dhe t’i imitojë. Në Facebook ti sheh shumë herë sprova të tilla letrare, megjithëse aty në fakt Berisha bie ndonjëherë në banalitet, siç ishte rasti i rrëfimit të ngrënies së një këmbe pastërma në mes të Parisit për ditën e verës në 1979-n, ngjashëm me atë që hante në fshatin e tij të lindjes. Këto janë sprova ku Berisha mundohet ta kultivojë atë pasionin e vjetër.

Në paraqitjen e vet në Facebook Berisha synon të shesë letrarisht dhe jetën e vet private si një telenovelë apo fotoromancë të kuruar mirë. Ai e di se telenovelat e stisura, si krijime komerciale, kanë treg. Në këtë kuptim, paraqitja e faqes së vet, me nipër, imazhi i gjyshit të mirë me nipër e mbesa që e duan qenin bulldog, që duan shumë gjyshin e tyre, që bëjnë shëtitje në natyrë së bashku me të, është diçka që krijon vëmendje, megjithëse jo njëlloj sa Beyonce apo Bleona. Sipas parimit për të përdorur gjithçka propagandistikisht, Berisha po përdor edhe këtë dimension telenovelesk të jetës së vet private, me gjithë rrezikun e mbiekspozimit në këtë grackë të madhe, siç është kjo media sociale.

Duke mbetur në këtë këndvështrim, në mbyllje duhet nënvizuar diçka, një çështje filozofike, që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Facebook-u në origjinën e vet, në konceptin e vet, është konceptuar si media sociale, kurse politika si propagandë nuk është diçka sociale. Pra, në një kuptim të përgjithshëm filozofik, përdorimi i Facebook-ut nga politika është një lloj pushtimi abuziv i një hapësire që nuk është tipike e saj. Megjithatë jetojmë në kohëra kur Facebook hëpërhë është një hapësirë e lirë pa shumë kufizime, pra dhe për abuzuesit e tij, kështu që në këtë kuptim kjo dukuri e përbotshme do ishte dhe ndër viset tona, do shfaqej në këtë mënyrë siç është shfaqur. Edhe me Berishën si dominues politik i kësaj hapësire sociale të lirisë ku lundrojnë afro 1 milion veta, një sasi e konsiderueshme gjahu elektoral.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama