Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kunder vdekjes ne emer te vdekjes

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Kunder vdekjes ne emer te vdekjes

Nuk është hera e parë që ndër ne zbulohet një përbindësh nga të tipit Adrian Prenjasi. Një nga ata njerëz që hasen vetëm në letërsi, ndër libra të zverdhur, apo ndër seriale televizivë. Nuk është hera e parë që një njeri vret për kënaqësinë e tij makabre, për të shprehur përbuzjen që ka pësuar, rrethanat në të cilën njerëzit e kanë pështyrë, tallur, fshikulluar, harruar, qeshur. Ka ndodhur te ne, por më shpesh ka ndodhur ndër vende shumë herë më të zhvilluara sesa ne. Nuk është rasti këtu t’u hyjmë historive me serial killer. Por që nga koha në të cilën Shqipëria, nuk kreu më ekzekutime me vdekje, është hera e parë që në protesta, ndër rrjete sociale, por, edhe më keq akoma, në një pjesë të politikës, që bën pjesë në qeverisjen e sotme, u lakua kërkimi i vdekjes si shpërblim i merituar i vrasjes, një lloj zgjidhjeje për të gjitha të këqijat që hasim përditë. Një çelës magjik për të shpëtuar nga përbindëshat që bashkëjetojnë me ne të gjithë.

Reagimi më i parë i një krimi të përbindshëm është i tipit: Në litar, në litar… Kjo është krejt njerëzore, mjafton që dikush të të vërë përpara një fytyrë tipike krimineli dhe masat vihen menjëherë në lëvizje, ca nga frika që i mbështjell befas të gjithë, dhe, edhe më shumë, nga sensi i drejtësisë së munguar. Kështu ndodhi, kur një pjesë goxha e nderuar e shoqërisë civile, reagoi me plot të drejtë para Presidencës së Republikës, garantit të Drejtësisë, me shpresën se dikush duhej të vepronte sa më shpejt që akte të tilla të mos përsëriteshin më. Vetëm se në këtë grup protestuesish të paqtë në acarimin e tyre nuk munguan edhe parullat për rikthimin e pamundur të dënimit me vdekje.

Një ditë më parë, Ekrem Spahia, zëvendësministër i Mbrojtjes, pjesëtar i një qeverie që është kundër dënimit me vdekje, lëshoi një bombë të vërtetë elektorale. Ai tha pak a shumë: Duhet bërë një referendum për rikthimin e dënimit me vdekje, pastaj populli le të vendosë. Ekrem Spahia këto flluska mund t’ia lëshojë kujt të dojë, porse të paktën jo atyre që me këto punë janë marrë të paktën 30 vjet e pas. Ai e di fort mirë se rikthimi i dënimit me vdekje në Shqipëri është i pamundur, sepse ky ka qenë një nga kushtet e pranimit të vonuar të Shqipërisë në Këshillin e Europës. Zoti Spahia e di fort mirë se në këto kohë, kur po diskutohet me të madhe, aprovimi i tre ligjeve të famshme si kusht për pranimin në BE, ajo ide që ai lëshoi, në emër të parisë monarkiste që drejton, është vërtet një gjë krejt e paarritshme. Zoti Spahia e di se dënimi me vdekje, qysh nga kohët e Dhiatës së Vjetër, pra nga koha e Moisiut, kur nuk kishte as komunistë, as legalistë, as ballistë e as liberalë, nuk është gjë tjetër veçse ligjësimi i hakmarrjes në kuptimin: më vrave? Të vrava! Me një fjalë sy për sy e dhëmb për dhëmb. Por kjo ndodhte 2000 e më shumë vjet më parë, kur njerëzia vriteshin edhe vëlla me vëlla për një copë tokë, apo për dy dhi më tepër, si në rastin e Kainit dhe Abelit. Zoti Spahia e di fort mirë se të parët tanë këtë punën e vendosjes së drejtësisë e kishin zgjidhur me anë të gjakmarrjes, një sistem që synonte të vinte drejtësi në kushtet e mungesës thuajse të plotë të shtetit, ashtu sikurse ne e konceptojmë sot. I njëjti politikan me vlera e di fort mirë se zbatimi i dënimit me vdekje nuk e ul aspak kriminalitetin. Një monstër që ka vendosur të vrasë do ta bëjë këtë, sepse ashtu e ka ndarë mendjen. Ta ekzekutosh atë, apo ta tredhësh me kimikate, sikurse tha Kryeministri Berisha, është dhurata më e mirë e mundshme që ne si shoqëri mund t’i bëjmë një krimineli patologjik. Ai kështu e ka menduar fundin e tij, që dikush ta vrasë, dikush t’ia fusë thonjtë në fyt, dikush ta djegë edhe copën më të fundit të trupit dhe kështu ai do të shpëtojë nga makthet e tij. Secili monstër kur vret në fakt pret që dikush ta shpëtojë nga mania e tij kriminale. Ne tani po themi se si ta shpëtojmë këtë monstër nga makthet e tij? Ky është problemi ynë më i madh?

Politika duhet të kuptojë, në rastin konkret zoti Spahia, se nuk mund të luajë më me parulla të vjetra. Më parë se sa të kërkojë rikthimin e pamundur dhe absurd të dënimit me vdekje, ai duhet t’u kishte shpjeguar më parë shqiptarëve se ka edhe vende të tipit të San Marinos ta zëmë, me të cilin na ndan vetëm një gisht det, ku dënimi i fundit me vdekje është ekzekutuar në vitin e largët 1468, që në kohë të Skënderbeut! Politika e këtij lloji duhet gjithashtu t’u kishte thënë më parë shqiptarëve se në 2007 OKB ka miratuar me shumicë votash një dokument, i cili u kërkon vendeve anëtare një moratorium për zbatimin e dënimeve me vdekje. Duhej thënë gjithashtu se në botë sot ka ende 58 vende që e aplikojnë dënimin kapital, por që ka edhe 97 që kanë hequr dorë me kohë prej tij, 139 të tjera e kanë në fuqi ligjërisht, porse nuk e kanë zbatuar prej kohësh.

Që të luftosh vdekjen në emër të vdekjes është gjithashtu një guxim i madh moral. Në historinë tonë fjala pushkatim ngjall gjithnjë kujtimin e trishtë të të pushkatuarve kundërshtarë të diktaturës. Çuditërisht, një njeri që vetëm ky term në vetvete duhej t’i ngjallte neveri, për motive thjesht elektorale, ngaqë do që të duket si kampion i konservatorizmit, pasues i vlerave të monarkisë e kështu me radhë, guxon e thotë se monarkistët e mbarë kërkojnë të rikthehet pushkatimi i tmerrshëm!!!

Mbreti Zog I, “babai shpirtëror” i këtyre politikanëve, që sot vazhdojnë të përdëllehen në emër të tij, me siguri, nëse do të ishte gjallë do të kishte vepruar ndryshe. Ai jetoi në një kohë kur po të mos vrisje, atëherë do të të vrisnin. Pistoleta si mjet i zgjidhjes së problemeve ishte më shumë e përhapur se çdo marrëveshje politike, e kjo jo vetëm te ne, por kudo në Europë, e megjithatë… Në gusht të 1935 kur një grup xhandarësh të gënjyer vranë në hyrje të Fierit mikun e tij të afërt gjeneral Ghilardin, Mbreti Zog I ekzekutoi me gjyqe të përshpejtuara një numër shumë të madh fajtorësh: U varën në litar! Porse, pas disa muajsh ishte ai vetë që i zbriti dënimet në minimum. E kishte kuptuar se zinxhiri i vrasjeve, qofshin këto edhe të ligjëruara apo të justifikuara, nuk bën gjë tjetër veçse e shtojnë inatin, hakmarrjen, keqdashjen, ligësinë, sytë e çakërryer, që flasin në emër të drejtësisë. Në këtë kuptim thirrjet e sotme, sipas të cilave vetëm vdekja mund ta shpërblejë vdekjen, nuk janë gjë tjetër veçse një rikthim primitiv pas, në emër të fitimit të disa votave të lëkundura më tepër. Në një farë kuptimi janë edhe një ofendim për vetë Mbretin Zog I dhe idealet e burrave si ai, të cilët kishin ndër mend një Shqipëri tjetër, krejt tjetër, e cila nuk prodhon monstra, as xhelatë, por thjesht njerëz.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama