Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Europa, ne dhe tri ligjet

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Europa, ne dhe tri ligjet

Tri ligjet e famshme të cilat ndezën betejën politike në Shqipëri kanë nisur të harrohen. Dy të mëdhenjtë, PD e PS, duket se tashmë e kanë pranuar se vetëm pas zgjedhjeve dhe madje edhe disi më larg, atëherë kur freskia e vjeshtës (nuk i dihet të parës, të dytës, apo të tretës) të nisë t’ia zërë vendin ca nga ca zhegut politik, vetëm atëherë mbase do të kujtohen sërish për to.

Në skenën e sotme të politikës shqiptare, vetëm LSI lëshon ndonjëherë ndonjë thirrje për miratimin e tyre, duke e ditur edhe vetë se kjo gjë është e paarritshme, por nga ana tjetër, duke ditur gjithashtu se ky qëndrim bën një figurë prej “djali të mbarë” si te ndërkombëtarët, ashtu edhe pjesa më e qetë e votuesve potencialë shqiptarë.

Këtyre tri ligjeve iu mëshua aq shumë, sa që ato nisën të dukeshin si shpëtimi i vetëm i Shqipërisë dhe i halleve të shqiptarëve. U krijua një ide e përgjithshme se votimi ose mosvotimi i tyre ishte çelësi që hapte apo mbyllte portat e Europës. Për të kuptuar këtë shpresë tonën të madhe, më parë duhet të shtrojmë disa pyetje, të tipit: Çfarë kupton shumica e shqiptarëve të thjeshtë me togfjalëshin e përgjithshëm “të shkosh në Europë”? Nëse nuk jemi aktualisht në Europë, atëherë ku jemi? Si do të ndryshojë jeta e gjithsecilit prej nesh nëse arrijmë të anëtarësohemi në BE? Dhe, mbase më e rëndësishmja, a jemi ne gati që të shkojmë një jetë të përbashkët komunitare me Europën, pra a i jemi afruar në këta 20 vjet mentalitetit dhe mënyrës europiane të mendimit e veprimit? Përgjigjja e këtyre pyetjeve është fort e vështirë. Ajo ngërthen në vetvete, faktorë gjeografikë, historikë, fetarë, kulturorë, etnopsikologjikë e kështu me radhë, e kështu që këto pak module gazeta nuk mund të mjaftojnë që t’i afrohemi sadopak së vërtetës.

Që të mos na ndodhë sikurse po i ndodh aktualisht Greqisë, Portugalisë, e madje edhe Italisë në radhë të parë do të na duhet të mos ëndërrojmë me tepri. Ndonëse na thonë se miratimi i tri ligjeve i hap dyert e Europës, duhet të jemi dyshues, sepse kjo veti, të dyshuarit, është një nga cilësitë që e ka çuar para kulturën perëndimore, ku bazohet Europa e sotme. Miratimi i tri ligjeve sigurisht që është një gjë fort e mirë, porse vetëm kjo nuk mjafton. Shumë gjëra duhet të ndryshojnë më parë ndër kryet tanë, përndryshe do ta pësojmë si ëndërrimtarët e mëdhenj, sa më e madhe ëndrra, aq më zhgënjyese është zhgjëndrra.

Ta zëmë se tashmë tri ligjet e famshme janë miratuar. Po pastaj? Ne do jemi po ai popull, që në një masë të madhe nuk e ka edhe aq dëshirë zbatimin e ligjeve. Do jemi po ata njerëz të cilëve u bën më shumë përshtypje një fitore e “Barcelonës” se sa vdekja nga të ftohtët e një fëmije njëmuajsh. Do mbetemi po ai popull që gjithnjë e më tepër po respektojmë më shumë pasurimin e shpejtë dhe të paligjshëm se sa punën me djersën e ballit, duke ia kaluar kështu edhe stërgjyshërve e gjyshërve tanë. Edhe me tri ligje të miratuara do të jemi po ai popull që zbret në rrugë vetëm kur kjo u duhet partive dhe jo një popull që reagon në grup kundër të gjitha padrejtësive. Do jemi po ata që kultin e individit e kemi ende fort për zemër, po ata që edhe në votimet e 23 qershorit nuk do të nisemi nga ideologjitë, programet, performancat, por nga simpatitë personale për Edin, Salën apo ndonjë tjetër.

Thonë se jemi vendi i parë në Europë për numrin e aksidenteve rrugore. Me mijëra njerëz humbin jetën apo sakatohen çdo vit mbi rrugët tona të vjetra e të reja. Në thelb, kjo çështje mund të duket se nuk ka aspak lidhje me “detyrat e shtëpisë” që “Zysh Europa” na ka vënë përpara, porse të udhëtosh do të thotë të lëvizësh, të ecësh, njësoj sikurse duam të shkojmë në Europë, dhe ai dreq kontinenti i vjetër nis që te vijat e bardha, te semafori, te respektimi i shenjave, pra në thelb te respektimi i ligjit, që do të thotë para së gjithash te respektimi i tjetrit. Ne, europianët e ardhshëm, për fat të keq, ende nuk dimë se “si ecet” dhe këtë punë ligjet e rregullojnë vetëm pjesërisht.

Kur Sami Frashëri dhe pas tij burra të tjerë si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e plot të tjerë emra të nderuar, e kuptuan se i kishte ardhur fundi Perandorisë Osmane, atëherë vendosën që të bënin të pamundurën që të krijonin një shtet shqiptar më vete sa pa na gëlltitur për fare. Lojërat e historisë bënë që edhe me mbështetje nga jashtë më në fund të kishim një Shqipëri, ndonëse fort të cunguar. Veç luftërave që e mbërthyen Shqipërinë e brishtë duket se halli më i madh i “baballarëve të Kombit” ka qenë ai që ata e quanin “të ndriçuarit e mendjes”. Pesëqind vjet në një regjim perandorak, multietnik, anadollak kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e paraardhësve tanë. Në një vend ku vetëdija kombëtare ishte krejt pas asaj fetare apo lokale, ishte e vështirë të bëje bashkë një popull me 90 për qind analfabetizëm. Me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme ia dolën mbanë që andej nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar në Shqipëri të frynte disi një lloj flladi i ndrojtur perëndimor. Por pas kësaj erdhi periudha e gjatë e “shqiptarizmës komuniste” për të cilën Perëndimi ishte armiku dhe kështu që deri në 1990, nuk i përkisnim as Lindjes dhe as Perëndimit, ishim sa me thënë vendi i askujt dhe i asgjësë. Ëndrra jonë e parë pas 1990 ishte “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por kjo ëndërr vazhdon të jetë e largët, e me sa duket do të jetë kështu edhe për do kohë, sa kohë që të gjithë bashkë, opinion publik, politikanë e popull i thjeshtë nuk e kemi çuar ende në vend atë amanetin e madh të rilindësve, “të ndriçuarit e mendjes”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama