Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Trazirë: për keq a për mirë?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Trazirë: për keq a për mirë?

Dje apo pardje, tek dëgjoja në radio lajmet e orës tetë të mëngjesit në një stacion shumë të dëgjuar (në kuptimin e dyfishtë të shprehjes, pra, edhe shumë të ndjekur, edhe shumë të njohur), folësja përmendi një vlerësim të dhënë në Britaninë e Madhe nga një institucion me emër në arenën ndërkombëtare, lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Më bëri jo pak përshtypje fraza, sipas së cilës, në vendin tonë u pritkan trazira me rastin e zgjedhjeve në fjalë. Për t’u treguar më i saktë, më duhet të them se stacioni në fjalë është i “pavarur”, d.m.th. priret drejt opozitës së majtë (ashtu si para shumë vjetësh, kur e majta shqiptare ishte në pushtet, kishte nja dy stacione radiosh po aq të “pavarura” që prireshin drejt opozitës së djathtë).

Për të mos i ngrënë hakun, më duhet të pranoj se folësja shprehej me një ton asnjanës, ndonëse veshi sikur më zuri një si nuancë të nëndheshme paksa të çuditshme, si me njëfarë nënkuptimi: mendja më shkoi menjëherë te historia e dy fshatarëve tejet të varfër shqiptarë (nga i njëjti fshat, mbase edhe kushërinj apo krushq) që shpëtuan djalin e mbretit nga mbytja në lumë. Mbreti e pyeti njërin syresh se ç’dëshira mund t’i plotësonte si shpërblim dhe, pasi e dëgjoi, i premtoi se do t’ia plotësonte një më një (shtëpi të re, tokë e bagëti më shumë); pastaj i drejtoi të njëjtën pyetje tjetrit, por për habinë e vet e të oborrtarëve të pranishëm, ky i dha Madhërisë së tij këtë përgjigje tamam allashqiptarçe: “Mos ia jep këtij (bashkëfshatarit) ato që të kërkoi e që ia premtove”.

Me një fjalë, pata përshtypjen (qofsha i gabuar) se dashur, pa dashur, stacioni në fjalë po bëhej zëdhënës e asaj pjese të së majtës shqiptare, e cila, nganjëherë (për të mos thënë shpesh), të krijon idenë se gëzohet nga fatkeqësitë (madje edhe natyrore) që mund të prekin vendin e shoqërinë shqiptare, pra, edhe atë vetë; e dëshmojnë këtë, ndër të tjera, një seri veprimesh të opozitës së sotme kundrejt përpjekjeve që po shpalos (ashtu siç i shpalos) qeveria shqiptare me synim që shteti ynë (ashtu siç është realisht) të marrë statusin e vendit kandidat për t’u futur në Bashkimin Europian. Sigurisht, në çdo vend të botës së qytetëruar, por sidomos edhe te ne, opozita ka për detyrë të vigjilojë e të kritikojë mangësitë, lajthitjet e paaftësitë qeverisë, veçse këtë duhet ta bëjë në mënyrë konstruktive, pa harruar, nga ana tjetër, që qeveria dhe strukturat e saj administrative duhet t’i këqyrin propozimet e opozitës me frymë pozitive, ndryshe në horizont mund të shfaqen fantazma apo vegime të frikshme ngjarjesh dramatike.

Sidoqoftë, le të më lejohet që t’u kujtoj lexueseve dhe lexuesve të mi të vëmendshëm e të paanshëm se si e përkufizon “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) fjalën “trazirë”: lëvizje e paorganizuar njerëzish, zakonisht me rrëmujë, që bëhet për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes etj.; gjendje e paqëndrueshme: trazirë politike [...] Po t’i shtosh këtij përkufizimi faktin që, të paktën në Shqipërinë postkomuniste, opozita, pavarësisht kahjes së saj, ka kërkuar vazhdimisht të përfitojë nga këto lloje trazirash për të (ri)ardhur në pushtet (rasti më i freskët është tragjedia e 21 janarit, pasojë e një tipi trazire të sajuar artificialisht pikërisht nga opozita dhe të administruar keq nga pozita), atëherë jo pakkush (përfshirë edhe mua) mund të mbërrijë në përfundimin se, për fat të keq, ka mundësi të krijohet një psikozë e rrezikshme në opinionin publik shqiptar, që mund të sjellë edhe të papërfytyrueshmen. Të papërfytyrueshmen, sepse, sot për sot në Shqipëri, çdo trazirë vjen për keq e jo për mirë.

Megjithatë, duke shpresuar se nuk do të ketë trazira pas 23 qershorit, uroj që asnjëra nga mediat shqiptare, e shkruar apo elektronike, të mos i hedhë benzinë zjarrit, të mos marrë përsipër rolin e atij që francezët e quajnë “prophète de malheur”, pra, rolin e ndjellakeqit, aq më tepër që “nul n’est prophète en son pays”, pra, “askush nuk është profet në vendin e vet”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama