Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pishtarë në vesh të shurdhër

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Pishtarë në vesh të shurdhër

Lajmi për të marrë një dekoratë në Presidencë e gjeti të papërgatitur në shtratin e tij portativ pas një dite pune të lodhshme në lokalin në këmbë të pallateve të mëdha të Shallvareve, ku punonte përditë. Kjo ndodhi në kohën e Presidencës së Bamir Topit.

I kishin thënë se ishte dekoruar me medaljen “Pishtari i Demokracisë”. Një shok i bleu kostumin, kollaren dhe këmishën borë të bardhë, dikush tjetër një palë këpucë prej sholle dhe një tjetër e çoi me makinë në derën prej hekuri të Presidencës. Një shok tjetër i futi një xhep një njëmijë lekëshe. “Ta kesh për një kafe nëse del me Presidentin”, i tha ai që, në fakt, nuk merrte vesh aspak nga protokolli zyrtar.

Atë ditë binte shi mbi “pishtarët e demokracisë” dhe këpucët e holla prej sholle, vetëm për pak hapa, nisën sakaq që të fusin ujë të ftohtë, që pastaj derdhej lehtë mbi tapetin presidencial. Sikurse ndodh rëndom, politika kujtohet nganjëherë për ata që rrezikuan jetën duke i sjellë në pushtet. I dhanë një copë karton, të cilën sot nuk e di as vetë se ku e ka lënë, dhe më pas heshtje. Një shtrëngim duarsh dhe vetëm aq. Personi për të cilin po flasim është i vetmuar, më saktë, ndihet i vetmuar dhe i harruar. Radhët që po shkruhen më poshtë janë shkruar, mbase me të padrejtë, fare pa lejen e tij. Ai nuk e ka zakon të ankohet. E andaj pikërisht prandaj nuk po ia përmendim emrin.

Më 20 shkurt të 1991 masa e madhe njerëzore, që e irrituar, zbriste që nga Qyteti Studenti deri poshtë para Enver Hoxhës prej bronzi, pati një telash të madh: Litari që hidhej mbi diktatorin prej bronxi nuk po arrinte ta mbërthente mirë. Atëherë doli në skenë një djalë thatim, asokohe prind i dy fëmijëve të vegjël. Nuk e bëri të gjatë. I ndihur nga të tjerët arriti të mbërrijë në majë të statujës së lartë, lidhi litarin dhe… Vite më vonë u kujtua. “Asokohe nuk pata frikë – thotë me zë të ulët dhe me një pamje që nuk i ngjan aspak një pishtari heroik – ishin shumë si unë që donin të bënin të njëjtën gjë. Mbase trupi im i imët, mbase fakti që jam me origjinë nga Skrapari dhe ne të tilla gjëra i kemi bërë shpesh. Nuk e di as vetë se si e pashë veten mbi Enver Hoxhën prej bronzi me një litar në dorë. E kuptova se diçka e fortë po ndodhte vetëm kur pashë tytat e armëve të snajperëve që ishin drejtuar përballë meje. Ndjeva frikë, porse nuk ishte një frikë e përditshme. E kuptova se dashur pa dashur isha bërë pjesëtar i një ngjarjeje të madhe. Vetëm kaq. Pastaj vite më vonë dikush u kujtua të më japë një dekoratë “Pishtari i Demokracisë”. Në fillim, nuk desha të shkoja. Po pastaj ca nga ngulmimi i shokëve e ca nga respekti për institucionet vendosa të shkoja. M’u bë qejfi, me thënë të drejtën, ndonëse kurrë nuk kam kërkuar asgjë prej askujt”.

Ky “pishtar” sot nuk ka festuar. Në strehën e tij të thjeshtë, ai e ka kujtuar vetëm për pak çaste atë që ndodhi 22 vjet më parë. Pastaj ai dhe fëmijët e tij i kanë hyrë sërish betejës së madhe për mbijetesë, këtë herë në liri, bash e brenda ëndrrës së tij të pamasë.

20 dhjetori do të mbahet mend pa dyshim si një ngjarje e madhe simbolike. Si dita kur ne, shqiptarët, më në fund, pas shumë e shumë popujve të tjerë, morëm guximin që të rrëzonim edhe monumentin më hijerëndë të diktaturës së fundit të mbijetuar në Europë. Askush nuk ka kërkuar favore për “pishtarin” që rrezikoi jetën për të vënë kavon mbi qafën e bronztë të diktaturës, madje as ai vetë. Puna është se nganjëherë sikurse ndodhi dje, shumë merita, shumë lëvdata, shumë reklama, shumë ngjyra, shumë lavde kanë shkuar për fushatën elektorale që po troket në derë dhe aspak për të bërë një analizë të thellë: More po këto njëzet e ca vjet, pavarësisht nga heronjtë e ngathët dhe pishtarët e lagur, a shërbyen vërtet për të realizuar atë ëndrrën e famshme: E duam Shqipërinë si gjithë Europa?

Politika le të thotë çfarë të dojë. Me sa duket ajo ka ligjet dhe gjuhën e saj, jo gjithnjë të kuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Ajo që pishtari i papunë i demokracisë sheh sot, me sa dimë ne të paktën, është një vend i hallakatur ende në një fazë të çuditshme që e quajnë tranzicion, një vend që jepet më shumë pas propagandës dhe shtirjes më shumë sesa pas mirëqenies apo vetëqenies së individit. Kërkesa më e parë e pishtarëve të atëhershëm të demokracisë ishte shporrja e komunizmit. “Ne menduam – thotë personazhi ynë herë pas here – se po të shembej ajo gjëja e madhe prej bronzi do ta kishim shporrur një herë e mirë komunizmin. Kemi gabuar. Komunizmi jeton ndër mendjet e njerëzve, atje ku nuk mundesh assesi ta shkulësh”. Si të gjithë heronjtë edhe ky i yni ka të drejtë. Biografia, ndarja e popullit, në ne dhe ata, besnikëria ndaj partisë, ndaj liderit, fshehja e fjalës së lirë se përndryshe të qëruan nga puna, një lloj urrejtjeje shqiptaro-shqiptare që nxitet nga politika, pastaj gënjeshtra, propagandë pa fund dhe konsiderimi i njerëzisë si një turmë e paditur.

Thellë-thellë brenda tij personazhi ynë anonim nuk është penduar aspak për atë akt që kreu më 20 dhjetor. “Për lirinë e popullit tim do të bëja çdo gjë, edhe tani”, thotë. Por pastaj ngrihet dhe largohet me nxitim. I duhet të kërkojë punë sa më parë kudo që ta gjejë. Ka mbetur vërtet një pishtar, por një pishtar i lagur që vezullon ngadalë në perëndimin e shkurtit dhe, aq më tepër një pishtar, të cilit nuk ia vë më veshin askush. Ngrihemi dhe ne. Befas kemi jetuar brenda një ëndrre, e cila për shumë motive, historike, antropologjike, kulturore, gjeografike dhe arsimore ka rënë në vesh të shurdhër e në sy qorr. Dekada më parë, një filozof hebre nga Varna në Bullgari, çmim “Nobel”, Elias Canetti, pat botuar një libër shumë interesant, i cili titullohej “Pishtari në veshin tim”. Tani, pas shumë kohësh dhe pas shumë eksperiencash të hidhura e dimë fare mirë se çfarë donte të thoshte.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama