Diplomacia shqiptare dhe Presheva

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 9 vite më parë

Mentor Nazarko
Diplomacia shqiptare dhe Presheva

Reagimet e shtetit shqiptar për ngjarjet në Preshevë shënuan thyerjen më të rëndësishme të sjelljes thuajse tradicionale të politikës së jashtme konstruktive në këto 15 vitet e fundit. Aq e vërtetë është kjo, sa Diplomacia perëndimore, menjëherë pas kërkesës së Kryeministrit Berisha për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, organizoi një takim me dyer të mbyllura me ministrin e Jashtëm, Panariti. Nuk ka dalë ndonjë deklaratë rreth kërkesave perëndimore ndaj Diplomacisë shqiptare në atë takim, por diçka mund të kuptohet. Veçanërisht nëse shikon emëruesin e përbashkët të qëndrimit publik perëndimor ndaj kësaj teme, përfshi dhe takimin e djeshëm të ambasadorit Arvizu me AK-në, atëherë është e lehtë të perceptohet qortimi kolektiv i përcjellë në këtë takim. Flitet madje dhe për një letër të Diplomacisë amerikane, ku Kryeministrit i kërkohet me forcë ndalimi i retorikës apo akteve që përkeqësojnë marrëdhëniet rajonale.

Po a kishte të drejtë Diplomacia shqiptare, faktori shqiptar, në sjelljen e vet ndaj heqjes së lapidarit në Preshevë?

Për të ndërtuar një vlerësim të drejtë rreth kësaj sjelljeje, vetë heqja e lapidarit duhet parë e lidhur me ngjarje të tjera, me sjellje të tjera të kësaj diplomacie më parë, të koordinimit ose jo të kësaj sjelljeje me faktorë të tjerë politikë dhe duhet kuptuar logjika e saj. Thjesht duhet analizuar në hapësirë dhe në kohë.

Reagimi parë në kontekstin hapësinor

Së pari, ndaj heqjes së lapidarit u vu re një mungesë tërësore e koordinimit mes faktorit shqiptar në përgjithësi, përfshi dhe Diplomacinë, udhëhequr nga Kryeministri. Ndryshe nuk ka si shpjegohen sinjalet kundërthënëse brendashqiptare: forcimi i retorikës antiserbe nga ana e Shqipërisë, kritika e zotit Thaçi për mungesë rezistence nga faktori shqiptar i Preshevës dhe mungesa e vigjilencës e këtij faktori, zvogëluar për shkak të negociatave me serbët për ta zhvendosur lapidarin gjetkë. Me një fjalë, duke ditur që kishte negociata, pse u përdor retorika e fortë? Për të prishur negociatat në Bruksel? Për të ngritur tensionin? Kujt i duhej tensioni? Pse Kryeministri Berisha nuk i është përgjigjur thirrjes që i ka ardhur nga Shqipëria dhe nga Kosova nga dy subjekte politike për të organizuar një tryezë mbarëkombëtare politike ku të koordinohet qëndrimi ndaj Preshevës apo ndaj zhvillimeve të ndryshme që prekin shqiptarët?

Pse retorika e fortë rajonale s’ndiqet në terren nga ndonjë veprim kushedi sa i fortë (hiq shtyrjen e vizitës së ministrit Tavo), dhe kjo ndodh pikërisht kur Shqipëria ka sherre të forta të brendshme politike? Pse zgjidhet reagim i fortë ndaj një ngjarjeje me karakter simbolik si kjo e lapidarit dhe ka munguar tërësisht denoncimi koherent, i vazhdueshëm për statusin e kësaj pakice shqiptare në Jug të Serbisë, për diskriminimin jo vetëm ekonomik të shqiptarëve, që kanë të ardhura 7 herë më të ulëta se mesatarja e Republikës serbe?

Pse Shqipëria nuk e ka koordinuar më parë me Kosovën qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Preshevës: më saktë, kush prej tyre do të luajë rolin paternalist ndaj saj? Ky moment “hapësinor” nuk është krejt i parëndësishëm. Kryeministri serb në reagimet e veta ka bërë diversion disa herë me këtë mungesë koordinimi: kur tha se në protestat e Preshevës nuk pa flamuj kosovarë, por vetëm të Shqipërisë; kur tha se duhet të kishte folur me kohë me Shqipërinë për ndarjen e Kosovës; dhe kur tha se homologu i vet Thaçi asnjëherë nuk ia kishte ngritur në Bruksel çështjen e Preshevës si kundërpeshë për Mitrovicën. Nëse do të kishte një koordinim midis Shqipërisë dhe Kosovës, mbase Kosova do duhej ta luante rolin kujdestar për Preshevën. Kështu, në Bruksel do kishte më shumë argumente në dorë për të frenuar modifikimin e statusit legal të Veriut përtej planit Ahtisari.

Konteksti kohor

Së dyti, ky reagim ngjan se injoron tërësisht kontekstin në të cilin ndodhi largimi i lapidarit. Më saktësisht, lidhjen mes heqjes së lapidarit dhe negociatave shqiptaro-serbe në Bruksel. Kush i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet lidhur me lapidarin, ka parë se Kryeministri serb, Daçiç, prej kohësh kishte zgjedhur datën 17 janar si ditën kur do merrte fund ultimatumi për largimin e tij. Kjo datë qartësisht lidhej me takimin e tij të radhës me Thaçin. Duhet thënë se në këto negociata tashmë politike, Kosova ka fituar disa pikë pozitive.

Në datën 17 janar, apo në vigjilje të saj, Serbia pranoi zyrtarisht tërheqjen nga Veriu në formën ekzistuese të institucioneve paralele në shumë sektorë. Kjo është fitore e Kosovës, megjithëse procesi do të jetë i gjatë dhe ndikimi serb në Veri vështirë se do ndalet ndonjëherë. Sa për shembull, ndërhyrja e Greqisë në Himarën e Shqipërisë tërësisht sovrane që s’ka fare ngjashmëri me Mitrovicën, është shumë e fortë, por Himara s’është bërë problem ndërkombëtar. Pak para datës 17, Kryeministri serb filloi të flasë për mundësinë që Serbia të pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, megjithëse të lidhur me ndonjë lëshim eventual në favor të Serbisë – diçka e paimagjinueshme më parë. Edhe kjo është një fitore e rëndësishme e Kosovës, megjithëse fitorja reale do jetë kur Kosova të anëtarësohet përfundimisht në OKB.

Dhe, më në fund, Presidenti Nikoliç, përfaqësuesi i politikës së ashpër serbe, po bën atë që nuk guxonte Presidenti liberal Tadiç: po takon homologen e vet kosovare, Jahjaga. Të gjithë e dinë se prej këtij takimi nuk pritet diçka reale, përveç përmasës simbolike: Serbia takohet me Kosovën në kushte pariteti institucional! E pra, në kushtet kur Serbia po bën lëshime kaq të mëdha, me siguri nën presionin e fortë perëndimor, asaj i duhej një akt i fortë në Preshevë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik të brendshëm, ta kënaqte atë me një akt trimërie, siç ishte largimi i lapidarit. Serbisë i duhej dhe retorika e ashpër që përdori Ekzekutivi serb për rebelimin shqiptar në atë krahinë, duke e krahasuar me Al Kaedën. Ky balancim i dobësisë në Bruksel me trimërinë në Preshevë ngjan se është shpjegimi për mirëkuptimin perëndimor për këtë akt të Serbisë. Ndërkohë, paradoksalisht, reagimi i fortë shqiptar vetëm për rastin e lapidarit i shërbeu trimërimit të Ekzekutivit serb para popullit të vet: ja, e shikoni, s’desha ta dija për gjithë shqiptarët! Por kjo s’është kurrgjë në raport me pasojat e tjera.
Përmbledhje….

Nëpërmjet këtij shikimi as shprehet kurrfarë tolerimi për veprimin serb. Përkundrazi. Kërkohet që Shqipëria, shqiptarët të jenë më të fortë në kohën e duhur përballë Serbisë. Me një fjalë,  Shqipëria apo Kosova do të duhej ta kishin ngritur zërin me kohë për statusin e shqiptarëve në Jug të Serbisë, për diskriminimin e tyre ekonomik, kulturor, arsimor, çka bën që shqiptarët në Luginë të kenë potencialin më të lartë emigrues në Europë. Nëse nuk e kanë ngritur zërin shumë kohë më parë, çfarë fituan nëse e ngritën atë pa kurrfarë rezultati pozitiv, siç ishte rasti i lapidarit? Krijimin e preteksteve dhe shtysave emocionale mes shqiptarëve në spiralen e dhunës mbi varrezat dhe monumentet serbe në Kosovë, diçka që i vë shqiptarët në një dritë tërësisht negative përballë botës? Çfarë kuptimi ka ky reagim i ashpër aktual i Shqipërisë ndaj Serbisë kur me këtë qeveri, me këtë Kryeministër, Serbia ka përparuar aq shumë në ekonominë tonë, në sektorë të tillë si energjetika, tregtia me shumicë, ajo e drithërave, e armëve, etj?

Krejt për fund. Kosova ka hyrë në një cikël negociatash me Serbinë, të cilat dhe pa u quajtur të ngjashme me ato midis dy Gjermanive, mund ta kenë përfundimin të njëjtë. Jo me Traktat paqeje, siç kërkon dikush në Prishtinë, apo me njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia, por me pranimin e heshtur nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në OKB. Ky është objektivi më i rëndësishëm strategjik i Kosovës, respektivisht interesi ynë kombëtar më i rëndësishëm, të cilin ne nuk mund ta arrijmë pa mirëkuptimin me Perëndimin.

Ky objektiv nuk arrihet nga forcimi i retorikës për gjoja bashkimin e shqiptarëve, por përkundrazi, me shprehjen e fortë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës sot. Ja këto ishin arsyet në kohë dhe në hapësirë, pse gjithçka bëri diplomacia e Kryeministrit tonë rreth Preshevës, ishte tërësisht e gabuar. Shkurt: nuk ishte e konsultuar me Perëndimin, siç tregojnë kritikat e ambasadorëve ndaj Shqipërisë; ndikon negativisht në procesin e negociatave serbo-shqiptare në Bruksel duke ngurtësuar qëndrimin serb, krijon probleme në imazhin e Shqipërisë dhe ritmet e integrimit të saj në BE, dhe ngadalëson arritjen e objektivit aktual të Kosovës-anëtarësimin në OKB

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama