Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Premtime, zotime…

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Premtime, zotime…

Shumë vendime marrkësh njeriu në fund të çdo viti: dikush vendos ta lërë përfundimisht duhanin të nesërmen e natës së Vitit të Ri; dikush tjetër vendos të heqë dorë nga pijet alkoolike; dikush tjetër akoma vendos të mos ia dredhë së shoqes/të shoqit; ka disa që vendosin të merren më seriozisht me edukimin e fëmijëve; të tjerë (apo të tjera) vendosin të pajtohen me vëllain, kushëririn apo komshiun; të tjerë (apo të tjera) akoma vendosin të fejohen, të martohen, të ndahen a të vrasin veten brenda javës, muajit ose vitit të ardhshëm për arsye të ndryshme apo ngaqë nuk arrijnë t’i japin kuptim jetës së tyre të deritanishme.

Por sa nga këto vendime bëhen realitet? Me sa di, nuk ekzistojnë statistika në këtë fushë dhe, me shumë gjasë, nuk kanë për të ekzistuar edhe për shumë kohë, ndonëse mund të mos jenë krejt të panevojshme.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vendimet e lartpërmendura, më shumë se vendime të mirëfillta, janë premtime që njeriu i bën vetes ose edhe familjes, farefisit apo rrethit të ngushtë shoqëror, të cilat, edhe në mos i mbajttë, nuk e turpërojnë botërisht.

Ndryshe ndodh me premtimet publike që bëhen jo vetëm në prag të Vitit të Ri, por sidomos nëpër mitingje e tubime zgjedhore, në raste kuvendesh e kongresesh partish politike apo edhe nga organet qeverisëse qendrore ose vendore, sepse mosmbajtja e disa prej këtyre premtimeve që, normalisht, do të duhej t’i bënte të skuqeshin nga turpi ata që i hedhin në qarkullim, kalon thuajse pa u vënë re, aq shumë shqiptarët janë mësuar me këtë dukuri saqë, sot, jo vetëm çudia më e madhe, por edhe zhgënjimi që shkakton mosmbajtja e një premtimi të bujshëm zgjat vetëm tri ditë.

Me sa duket, në vendin tonë, premtimet vlejnë vetëm për ditën e premte dhe, meqë e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi, ato do të harrohen kur të ketë ardhur e hëna, të cilën, nga e premtja tjetër, e ndajnë e marta, e  mërkura dhe e enjtja, çka do të thotë se jo vetëm mosmbajtja e premtimeve, por edhe zhgënjimi i shkaktuar prej saj kanë plot gjashtë ditë për t’u harruar nga bashkatdhetarët e mi.

Nga ana tjetër, meqë në gjuhën shqipe fjala “premtim” ka për sinonim fjalën “zotim”, të paktën sipas fjalorëve të saj sinonimikë, dhe meqë, të paktën sipas hamendësimeve të mia, fjala “zotim” vjen, me gjasë, nga fjala “Zot”, i bie që premtimi të jetë një akt, i cili kryhet duke marrë për dëshmitar vetë Zotin, që, normalisht, nëse premtimbërësi nuk e mban fjalën, d.m.th. nuk e realizon atë, duhet ta dënojë atë! Çuditërisht, deri më sot, nuk është parë e nuk është dëgjuar që të jenë dënuar nga drejtësia hyjnore ata të cilët nuk i mbajnë premtimet e tyre.

Përse vallë ndodh kështu? Këtë po u lë besimtarëve dhe teologëve t’ia shpjegojnë lexuesit tim të ndershëm dhe kureshtar. Unë, si ateist që jam, do të merrem vetëm me drejtësinë njerëzore: Sot, në botë, pra, edhe në Shqipëri, bëhen aq shumë premtime, merrem aq shumë zotime, madje edhe vendime, të cilat nuk realizohen të tëra, por asnjëherë gjykatat nuk janë marrë me autorët e premtimeve prishanike, e zotimeve zorrovinë dhe të vendimeve të venitura, qofshin ata njerëz anonimë, por sidomos, kryesisht e veçanërisht burra shteti, qeveritarë, deputetë, kryetarë e sekretarë partish, drejtorë, shefa etj., etj.

Le të më lejojë lexuesi im të rimarr idenë e përmendur në krye të këtij shkrimi lidhur me ekzistencën apo mosekzistencën e statistikave në fushën e premtimeve të mbajtura dhe të atyre të pambajtura. Në fund të fundit, përse të mos ketë statistika lidhur me premtimet që i bëhen popullit nga organet e pushtetit qendror dhe të atij vendor, për të parë sa prej tyre mbahen dhe sa nuk mbahen? Sigurisht, jo të gjitha premtimet mbahen, sepse ka faktorë objektivë (p.sh. fatkeqësi natyrore) dhe faktorë subjektive (p.sh. kriza e përbotshme) që e pengojnë realizimin e tyre, por të paktën në dhjetë premtime le të mbahen të themi gjashtë apo shtatë! A ndodh kjo sot në Shqipëri? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të nevojiteshin pikërisht ato statistika që, me shumë gjasë, ende mungojnë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama