Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Panairi i Nacionalizmes

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Panairi i Nacionalizmes

Nuk thonë kot këndej nga anët tona: mjafton që njëri të hedhë një gurë në lumë dhe… Kështu ndodhi edhe me deklaratat më të fundit të lëshuara përgjatë festimeve të 100-vjetorit dhe më pas. Terma të tilla, si “Shqipëria e madhe”, “Bashkimi Kombëtar”, “Çështja Kombëtare” dolën edhe një herë në skenë me një shpeshtësi të paparë. Nga njëra anë ishte frustrimi i një populli, që kërkonte t’u kujtonte të tjerëve se nuk ishte vetëm një popull diktaturash, droge e prostitutash, sikurse na kanë kujtuar rëndom në Perëndim. Dhe kjo ishte një aspiratë e drejtë. Ishte një mënyrë për t’u thënë të tjerëve se edhe ne jemi një popull si gjithë të tjerët dhe se kemi të drejtën tonë të përkujtojmë historinë tonë të gjatë.

E vetmja mënyrë për ta thënë këtë ishte ekzagjerimi i krenarisë kombëtare dhe i simboleve kombëtare. Deri këtu çdo gjë krejt në rregull dhe e shpjegueshme, porse bash e në ato ditë, vetë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ia kaloi edhe nacionalistit më të flaktë me disa deklarata, të cilat i lëshoi befas në një qiell krejt të qetë ballkanik. Të tjerë, analistë, historianë, analistë, politikanë, e pasuan me zell. Këto deklarata vazhdojnë të kenë efekt edhe sot e kësaj dite, e andaj ia vlen të merremi edhe një herë tjetër me to.

Sa për të nisur këtë temë duhet më parë të kujtohemi se çfarë përmbajtjeje ka termi nacionalizëm në këtë anë të Adriatikut dhe matanë. Në Perëndim, as që duan t’ia dëgjojnë më emrin. Të nisur nga historitë e hidhura të nacional-socializmit, a më mirë me thënë të nazizmit gjerman, politikanët e sotëm europianë apo amerikanë termin nacionalist e afrojnë shumë me termin po aq të njollosur terrorist.

Mbase është e drejtë, apo e padrejtë, por ja që kështu u është ngulitur atyre në krye. Mbase ngaqë, sikurse shkruan njohësi më i mirë i kombeve dhe i nacionalizmës, Hobsbaumi, vetë kombet janë një organizëm i gjallë që lind, modifikohet, zgjerohet e ngushtohet, përshtatet sipas rrethanave historike, që i përcaktojnë këtë zhvillim. Për të mos shkruar më tej te Renani, i cili thoshte se vetë kombi është një “plebishit i përditshëm”. Me pak fjalë, një marrëdhënie e përditshme me territorin, fqinjin, kujtimet, gjuhën, zakonet, miqësitë, familjen, muzikën, ushqimin, varret e të parëve, por sidomos me interesat më jetike. Sikurse ndryshojnë kombet, po kështu ndryshon edhe nacionalizmi dhe koncepti ynë mbi të. Gjithçka varet nga rrethanat historike rreth e rrotull dhe brenda nesh.

Në Ballkanin e shekullit XIX, fjala patriot ka lindur vonë. Sidomos te ne, patriotizmi ka qenë vetëm një dëshirë e elitës së kohës, e tregtarëve të emigruar prej kohësh, e nëpunësve, e studentëve të pakët, me një fjalë e një grupi njerëzish, të cilët për motive të ndryshme, disa për idealizëm patriotik, disa të tjerë për të ruajtur zotërimet e tyre, që mund të mos i kishin më në një Ballkan pa Turqinë dhe që e shihnin se shteti i ardhshëm shqiptar ishte një lopë e mirë për t’u mjelë. Pjesa më e mirë e kësaj elite janë emrat që njohim, Pashko Vasa, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Lef Nosi dhe të tjerë.

Pikërisht nga këta, brezat e ardhshëm kanë krijuar figurën e patriotit, e cila ka kuptimin e njeriut që ka dhënë tërë energjitë e tij, madje në disa raste edhe jetën, për të çliruar vendin nga një zgjedhë e huaj, nga një pushtues. E theksojmë edhe një herë nga një pushtues, sepse kjo ka shumë rëndësi në kohët e nacionalizmit të sotëm.

Asokohe, pra në kohën e Rilindjes Kombëtare, termi nacionalizëm as që është përmendur ndonjëherë. Sepse vetë termi është relativisht i ri. Ai ka lindur andej nga mesi i shekullit XIX. Ne, si shqiptarë, me këtë term jemi njohur masivisht, në kohën e komunizmit tonë, i cili ishte një komunizëm i çuditshëm. Më shumë se internacionalist, sikurse është rëndom komunizmi, ai ishte një komunizëm nacionalist, apo më mirë një sundim që kamuflonte izolimin e tij nën etjen e kahershme të fqinjëve tanë ballkanikë për të na gllabëruar. Komunistët shqiptarë shpikën edhe termin “nacionalist i ndershëm”.

Me këtë kuptohej një individ që u kishte ndihur atyre përgjatë dhe pas Luftës. Figura më e njohur nga “nacionalistët e ndershëm” ka qenë Babë Lymi i Pezës. Ata që nuk i shërbyen, ishin thjesht armiq, madje as edhe nacionalistë jo.

Tani, le të vijmë në ditët tona. Ne vërtet e festuam me plot të drejtë me hare 100-vjetorin e Pavarësisë, porse edhe aq të pavarur nuk jemi. Nuk jemi, sepse jemi të lidhur me njëmijë fije e obligime me komunitetin ndërkombëtar, me BE, SHBA e NATO. Kosova vetë ka një prezencë të armatosur ndërkombëtare, që patrullon rrugëve dhe zyrave të saj. E pra, për ta marrë atë gurin që hodhi në lum ai personi do të na duhet të pyesim edhe se çfarë mendojnë të huajt në lidhje me gjithë këtë histori.

Nuk është puna këtu nëse duam apo nuk duam Bashkim Kombëtar, pavarësisht se shumë prej nesh ende nuk e dinë se çfarë është realisht kjo gjë. Puna është se sa realistë jemi në shfaqjen e dëshirave dhe aspiratave tona dhe se në cilat rrethana historike po jetojmë ne dhe të tjerët rreth nesh.

Në këtë histori, sikurse thamë që në fillim, janë ngatërruar turli soj njerëzish. Më e para nga të gjithë janë ata që porsa kanë dalë nga një pushtim i gjatë e i padurueshëm, që ka vazhduar që nga 1913-a. Këta janë kosovarët e thjeshtë. Të rritur brez pas brezi nga ëndrra e “shtetit amë”, të nëpërkëmbur, të fyer e të masakruar nga të tjerë nacionalistë e shovinistë, të zhgënjyer nga ecuria e shtetit të tyre, ndonëse tashmë të lirë, ata janë të parët entuziastë të një bashkimi shtetëror mes dy shteteve shqiptare. Po kështu e ndjen veten edhe një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare shtetformuese në Maqedoni.

Mirëpo, në këtë histori të vjetër ka një element të ri dhe kështu që kombit tonë, nëse ne vetë e kuptojmë ndonjëherë se çfarë do të thotë komb, do t’i duhet të modifikojë qëndrimet. Qëndrimet i modifikojnë elitat. Masat, a më mirë turmat entuziaste janë lehtësisht të modifikueshme, sikurse na mëson historia. E pikërisht elitat shqiptare, për aq sa kemi, duhet të marrin në dorë një mision të madh: të arrijnë ëndrrën kombëtare, pra bashkimin e shqiptarëve, jo domosdoshmërisht të dy shteteve shqiptare, përmes zhvillimit të vetë shteteve shqiptare.

Nuk mjafton të mbash fjalime patriotike, apo edhe më keq, të cytësh urrejtje apo të krijosh iluzione për ardhmërinë e shteteve të tjera. Nuk mjafton të valëvitësh në erë flamuj, duke bërtitur me zë të ngjirur. Flamujt lagen shpejt. Bashkimi i vërtetë do të ndodhë kur kufijtë të shndërrohen vetëm në një kujtim të largët. Ai do të ndodhë kur niveli ekonomik e kulturor, do t’i lejojë njërit shqiptar apo tjetrit të jetojë si i barabartë me të tjerët ku të dojë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, apo në Maqedoni, brenda një bashkimi ku po lutemi të gjithë të bëjmë pjesë, pra brenda BE-së.

Mirëpo kjo nuk arrihet me demagogjira dhe me fjalë në erë, sikurse po ndodh tani. Kjo arrihet duke hapur shkolla, ndërmarrje, rrugë, duke bashkuar tregjet, duke shtuar botimet dhe duke nxitur kulturën e përbashkët, duke vendosur më në fund drejtësinë që kurrë nuk është vënë në këto troje, duke ua hequr pushtetin hajdutëve të çdo lloji dhe, sidomos duke u njohur më shumë “mes vedit”. Nëse nuk humbasim kohë duke bërë patriotin e pashoq, shqiptarin e vërtetë, rilindësin e mijëvjeçarit të III, nëse panairi i nacionalizmës nuk do të vazhdojë të jetë panairi i kotësisë, atëherë po, do ta kemi arritur bashkimin e vërtetë. Me siguri do të jetë njësoj sikur të zgjohemi në një ditë të bukur plot diell nga një ëndërr e keqe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama