Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Midis së thënës dhe së bërës së Kryeministrit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Midis së thënës dhe së bërës së Kryeministrit

Nisma për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të gjithë atyre që kanë gjak shqiptar, ka shmë kënde shikimi, në varësi të të cilave mund të mbash dhe qëndrimin e duhur. Sipas njerëzve, komentatorëve që janë afër Berishës, kjo është një lëvizje me karakter elektoral, që do të thotë se nuk do të vijojë gjatë. Apo se është thjesht e frymëzuar nga atmosfera e jashtëzakonshme pozitive e festimeve të 100-vjetorit, apo dhe nga nevoja për të neutralizuar propozime të ngjashme të një subjekti politik që po luan kartën nacionaliste, duke bërë propozime të ngjashme. Me anë të këtij inkuadrimi relativizues, synohen të minimizohen gjykimet kritike ndaj kësaj lëvizjeje të re të Kryeministrit, qoftë prej aktorëve të brendshëm, qoftë prej atyre të jashtëm. Prej tyre mendohet edhe se zoti Berisha kërkon të nxitë kundërshtimin e PS-së që pastaj t’ia atribuojë asaj dështimin eventual në rast vështirësish reale.

Ky inkuadrim mund të jetë më i drejti. Kjo është një lëvizje elektorale dhe argumentet që do të vijojnë mbështesin këtë inkuadrim. Por, ta shohësh si elektoral këtë propozim, nuk do të thotë që ta relativizosh dhe t’ia ulësh rëndësinë sipas një skeme që vetë Berisha e ka bërë publike: në fushatë – ajo ngjan se ka filluar për zotin Berisha që me miratimin e buxhetit – lejohen të gjitha. Pra mund të bëhen propozime të mëdha, të hidhen ide të mëdha, por në realitet të mos shohim domosdoshmërisht realizimin e tyre.

Ky shikim relativizues s’ka asnjë lidhje me një parim elementar të demokracisë, sipas të cilit, ato që premton duhet t’i mbash, përndryshe duhet të ndëshkohesh politikisht. Por s’është vetëm kjo qasje etike që e zhvleftëson propozimin e ri të zotit Berisha, të cilit për një moment i ka ngjarë vetja si paraardhësi, të cilit i kishte zënë karrigen në mënyrë festive dhe përkujtimore, Ismail Qemalit.

Qasja më realiste ndaj këtij propozimi nuk është ajo që bazohet, megjithatë, te shkaqet që kanë shtyrë propozuesin ta bëjë atë. Është ajo që bazohet te pasojat apo te efektet. Se ç’kanë në mend idedhënësit në politikë, s’mund t’jua hapim mendjen. Ama, pasojat mund t’i identifikojmë më kollaj, se janë jashtë mendjes.

Efektet e propozimit

Propozimi për dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë atyre që kanë gjak shqiptar, në fakt, nuk është i ri. Për pasojë, nuk është imitim i një propozimi të ndonjë subjekti politik nacionalist, siç pretendonte dikush. Për herë të parë zoti Berisha e ka hedhur në mandatin e tij të parë si President, kur me një ndryshim krejt të vockël në ligjin shumë të vockël të shtetësisë të vitit 1954, zoti Berisha ftoi të merrnin shtetësinë shqiptare kushdo që ta kërkonte, pra dhe të huajt. Prej asaj iniciative të mëhershme nuk duhet të ketë ndonjë bilanc pozitiv që zoti Berisha të mburret përpara shqiptarëve se është koherent me qasjen e 1994-s, pra që ai të mburret se ka bërë hapa para “për bashkimin kombëtar”, siç e quajti këtë propozim. Po të kishte, ai do mburrej dhe meqenëse ai nuk u mburr, po e bëjmë ne bilancin në vend të tij. Prej asaj kohe mbahen mend kacavjerrje të bashkëkombësve tanë në kangjellat e Presidencës apo të SHIK-ut, dhe jo ndonjë numër kushedi se çfarë dhëniesh shtetësie për bashkëkombësit. Kemi, ama, përfitim të kësaj shtetësie prej ndonjë ambasadori të rajonit, dhe ç’është më e keqja, prej ndonjë individi të botës arabe që më pas u ekstradua për veprimtari terroriste në Egjipt.

Së dyti, propozimi në fjalë vuan atë që është karakteristika kryesore e ligjërimit politik të Kryeministrit Berisha. Ai nuk është produkt i ndonjë projekti politik, d.m.th. nuk është i menduar thellë, i konsultuar, i koordinuar me faktorin shqiptar, me atë perëndimor. Ministri i Drejtësisë, Halimi, e mori urdhrin për ta hartuar ligjin aty për aty, pra nuk u bë publik kurrfarë studimi, për kohën, për kushtet etj. Shumë prej propozimeve të tij janë të frymëzuara elektoralisht, ashtu si dhe shumë praktika të kësaj qeverie, element që shpërfaq atë që këtyre politikave i mungon elementi strategjik, qasja afatgjate, tipike e gjërave të menduara gjatë dhe të projektuara mirë.

Duke qenë kështu, ky propozim nuk ka, nuk duhet të ketë këshillimin e faktorit europian, i cili Shqipërisë i ka akorduar liberalizimin e vizave mbështetur mbi regjistrin e gjendjes civile të vendit apo faktorë të tjerë, si potenciali emigrues. Po sikur Bashkimi Europian të vendosë pas këtij hapi heqjen e liberalizimit të vizave, çdo të ndodhë me këtë hap patriotik?

Si hap me karakter elektoral, në frymëzim dhe në kontekst, ky hap nuk ngjan i koordinuar as me faktorin politik shqiptar. Dakord, është frymëzuese radha e gjatë e kosovarëve në dyert e Ambasadës sonë në Prishtinë për të marrë shtetësinë, por a është folur me qeverinë e Kosovës se ç’pasoja do të sillte ky hap te negociatat e Kosovës me BE-në për liberalizimin e vizave?

A kemi konsultim me faktorin politik të shqiptarëve të Preshevës dhe të Medvegjës, krahina që po vuajnë braktisjen nga banorët e atyre viseve?

A është llogaritur preteksti që do t’u ofrohet  vendeve fqinje, përkatësisht Serbisë, jo thjesht në propagandë? Në të gjitha diskutimet ndërkombëtare, Serbia ka thënë se përqindja e shqiptarëve në Kosovë është më e ulët se ç’pretendojmë ne, se një pjesë e tyre kanë ardhur nga Shqipëria etj. Në kushtet kur, ta zëmë, një pjesë e mirë e kosovarëve do të kishin dyshtetësinë, atëherë ky argument në gojën e serbëve do të ishte aktiv, dhe efekti do të ishte krejt i kundërt.

Prej autorit të këtij propozimi, zotit Berisha, të cilin ne e marrim më shumë seriozisht se sa agjitatorët e tij, duke besuar se ai do ta jetësojë atë, nuk kemi dëgjuar për ndonjë projekt konkret për ndryshimin e ligjit ekzistues për shtetësinë. Kemi dëgjuar vetëm se ky hap do të përshpejtojë bashkimin kombëtar. Nuk e kuptojmë se si do të ndodhë ky përshpejtim dhe si arrihet te ky hap, ndërkohë kur nuk bëhen hapa të tjerë më të thjeshtë. Nuk harmonizohet prodhimi bujqësor, politikat tregtare, doganat, legjislacioni integrues, prodhimi i energjisë. Pra, midis së thënës dhe së bërës, veçanërisht në stilin e të bërit politikë prej propagandistit më të madh shqiptar të shekullit, shpesh ka shumë diferencë në këtë rast si dhe në raste të tjera.

E di që kjo mënyrë të lexuari e premtimit më të fundit të Kryeministrit do të zhgënjejë shumë bashkëkombës tanët nga Kosova, të cilët mbase po bëhen gati mbi bazë lagjeje dhe krahine të zënë derën e Ambasadës sonë në Prishtinë për të aplikuar për shtetësi shqiptare. E imagjinoj frustrimin e tyre për shkak të mungesës së vizave dhe izolimit të Shengenit. Por, nëse pasaporta e Shqipërisë i duhet për këtë lëvizje të lirë, në rastin më të mirë, pra kur zoti Berisha e ka seriozisht, marrja e kësaj pasaporte do të mund të realizohej brenda një viti. Duke llogaritur këtu kohën e miratimit të ligjit, të akteve nënligjore, të shqyrtimit të aplikimeve etj. Dhe kjo kohë ngjan se është e afërt me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës prej vetë Bashkimit Europian.

A u kuptua pak më mirë diferenca midis së thënës dhe së bërës?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama