Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Agresivitet jonjerëzor

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Agresivitet jonjerëzor

Greva e të persekutuarve politikë po arrin kufij të gjatë kohorë të zhvillimit, forma ekstreme të vetësakrifikimit si vetëdjegia dhe nivel të lartë shumëpërfshirës në debatin politik. Në këto rrethana, asaj nuk mund t’i shmangesh sikur nuk ka ndodhur dhe gjithmonë ka hapësirë për të thënë diçka të re. Në çfarëdo vështrimi analitik të kësaj greve, ka dy palë që duhen konsideruar patjetër: ish-të persekutuarit dhe qeveria. Jashtë tyre është shoqëria, por për efekt të analizës, do të merremi me këto dy palë. Ish-të persekutuarit. Po e nisim me ish-të persekutuarit.

Që grevistët janë ish-të persekutuar të vërtetë të regjimit komunist, për këtë s’mund të bëjë kundërshtim askush. As  Kryeministri, i cili në polemika me të persekutuar të veçantë po e personalizon përplasjen, siç është rasti i Skënder Tufës. Zoti Berisha do të ishte shumë i interesuar që mes tyre të kishte ish-të persekutuar të rremë, por deri më tash kjo nuk ka rezultuar.

Nëse do të kishte ish-të persekutuar të rremë, ai do të vepronte ngjashëm me vitin 1994, kur pas hetimeve biografike të një numri të madh të pjesëmarrësve në grevën e urisë së atij viti, zhvilloi një fushatë të egër shantazhuese që përbalti dhe kompleksoi tërë shtresën e të persekutuarve. Ndaj, asaj fushate, viktimat s’kishin as mundësinë dhe as lirinë e përgjigjes. Atëherë s’kishte media të lira, në të cilën palët të vendoseshin në një pozitë të barabartë reagimi. Sot është ndryshe, por në lidhje me grevistët në periudhën para ndryshimit të regjimit, siç po duket, nuk ka asgjë të atakueshme.

Besnik i qasjes biografike, për arsye formimi thelbësor (formimi komunist), për arsye taktike (izolim i grevistëve nga shtresa e tyre apo nga pjesa tjetër e shoqërisë), Kryeministri Berisha po e vë theksin te veprimtaria e pjesëmarrësve pas rënies së regjimit komunist. Përtej antipatisë që të krijon kjo qasje, ku nga goja e numrit një të qeverisë në shekullin e 21-të dalin thashetheme rurale me elemente moderne të tipit “më tha njeri me SMS se filani…”, kjo nuk ndryshon faktin thelbësor: grevistët janë të persekutuar realë të regjimit komunist!

Se ç’kanë bërë ata pas rënies së regjimit, kjo nuk e ndryshon të drejtën e tyre për dëmshpërblim. Vetëm në përfytyrimin komunist të heroit pozitiv, ish-të persekutuarit (nëse i marrim për të mirëqena akuzat e Kryeministrit), do të duhej të kishin të gjithë sjellje shembullore tërë jetën e tyre. E drejta e tyre për dëmshpërblim lidhet vetëm me periudhën para ‘90-s dhe nuk humbet, madje dhe trashëgohet sipas ligjit në fuqi. Ndërkaq, edhe sikur të gjithë grevistët të kishin bërë vepra të liga pas ‘90-s, atyre mund dhe duhet t’u jepej mundësia të pastroheshin nëpërmjet një greve për qëllime të mira.

Këtu mbërritëm te një moment thelbësor i grevës -qëllimet e saj. Grevistët duan që të shkurtohet afati i marrjes së dëmshpërblimit të plotë që i takon sipas ligjit, përpjekje që ngjan si zvarritje. E ky qëllim i grevës është në favor të gjithë kategorisë së të persekutuarve. Grevistët e dinë se ata do të përfitonin vetëm nga një zgjidhje tërësore, sepse zgjidhje ad hoc vetëm për grevistët as që nuk mendohet.

Nga ky këndshikimi nuk mund të mos krijojnë simpati dhe dhimbje aktet ekstreme të vetëdjegies, që parë dhe globalisht, janë me karakter historik. Kemi akte vetësakrifikimi te kamikazët, por bashkë me vetësakrifikimin e tyre, kemi dhe dëmtim të të tjerëve. Në vetëdjegien e grevistëve shqiptarë kemi vetësakrifikim të pastër dhe, siç bëhet e ditur, akte të tilla sakrifice zinxhirore janë shumë të rralla në historinë moderne. Por, edhe nëse mohojmë që mbrapa këtyre akteve ka vetësakrifikim që u vlen bashkëvuajtësve, nuk mund të mohojmë se ka gjithsesi diçka shqetësuese. Ka dëshpërim ekstrem, ka vendosmëri ekstreme, ka solidaritet ekstrem, dhe këto shfaqje nuk mund të jenë kurrë produkt i atyre hipotezave të çmendura të Kryeministrit për grevë partiake apo grevë banditësh, dembelësh etj., etj.

Në këtë këndvështrim, mbrapa këtyre akteve ka me siguri një kauzë kolektive që çohet përpara nga njerëz, të cilët, siç pohon indirekt Kryeministri, kanë qenë kundërshtarë të vendosur të regjimit komunist. Është pikërisht ky element që krijon simpati në Kosovë, që krijon simpatinë ndërkombëtare për këta njerëz, që siç po duket, askush s’mund t’i lëkundë në sakrificën e vet.

Me gjithë këtë trajtim, ende nuk kemi thënë nëse grevistët kanë të drejtë në atë që kërkojnë. Për ta bërë këtë, ka vetëm dy kute: kuti ligjor dhe kuti etik. S’po merremi me kutin etik, sepse diskutimi do të ishte shumë i gjerë. Nisur nga kuadri ligjor ekzistues, duket qartë që grevistët kanë të drejtë të kërkojnë shpejtësi në shlyerjen e dëmshpërblimit. Ata nuk kërkojnë ndryshim ligji, por zbatim të shpejtë të ligjit ekzistues, i cili është amenduar disa herë, apo skemat nënligjore të të cilit synojnë në të vërtetë vetëm të shtyjnë kohën e përmbushjes së një të drejte legjitime. Ky ligj ka njëfarë fature, që rëndohet edhe më shumë në kohë krize, por për këtë duhej menduar më parë.

Qeveria dhe kreu i saj

Mbërritëm këtu tek analiza e veprimit të palës tjetër, qeverisë. Kuadri ligjor ekzistues tregon qartësisht se kësaj qeverie, ashtu si dhe në periudhën 1992-1997, i ka munguar një qasje tërësore për zgjidhjen e problemit. Pa vënë në dyshim qëllimet e PD-së, nëse ligji i dëmshpërblimit ka ndryshuar vazhdimisht, kjo do të thotë se frymëzuesit politikë të tij nuk kanë konceptuar asnjëherë një model koherent të dëmshpërblimit dhe integrimit të kësaj shtrese. Ka qenë i drejtë vendimi parlamentar për t’u dhënë pafajësinë të persekutuarve politikë, pra për të shfuqizuar parlamentarisht vendimet e gjykatave komuniste, diçka e rrallë në historinë botërore, por trajtimi i dëmshpërblimit që rridhte prej këtij vendimi, do të duhej të ishte sistemik. Ai do të duhej të parashikonte përqindje të caktuar të privatizimeve të mëdha, do të duhej të parashikonte forma integrimi shoqëror që do të respektonin, gjithsesi, parimin e barazisë.

Nëse do të kishim zgjedhur një model nga vende ish-komuniste të përparuara, Shqipëria ka bërë aq privatizime, sa të kushtonte përqindje të caktuara për dëmshpërblimin e tyre dhe mbase do ta kishim të mbyllur procesin. Mospërmbyllja e procesit të dëmshpërblimit, amendimet e vazhdueshme ligjore, kundërshtitë mes akteve nënligjore dhe ligjit, përveç mosnjohjes së problematikës, përveç shqetësimit për faturën që duket me vlerën minimale të kësteve, dëftejnë dhe një prirje për ta elektoralizuar çështjen përjetësisht. Zvarritja që rezulton nga fryma e kuadrit ligjor dhe nënligjor apo në praktikë, ngjan se është bërë qëllimisht për të krijuar një varësi të shëmtuar të kësaj shtrese te qeveria për çdo ballafaqim elektoral. Është pikërisht kjo ndjenjë varësie prej kësteve të radhës që shihen në ajër, por s’po bien në tokë, e cila frenon përfshirjen masive të kësaj shtrese në favor të grevës, megjithëse ata në heshtje janë pro saj.

Në qasjen e qeverisjes së PD-së ndaj kontingjentit të saj besnik elektoral, ish-të persekutuarve, dhe krimeve të komunizmit ndaj tyre mungon dhe një element tjetër. Pse kjo qeverisje nuk ka bërë një veprim minimal legal, atë të shtrëngimit të hetuesve, vrasësve, ish-ushtarakëve, që të tregojnë vendvarrimet e qindra apo mijëra të zhdukurve të krimeve të komunistëve? A nuk mund të ngrihej ndaj tyre akuzë kolektive për fshehje kufome? Nëse Parlamenti vendosi që të persekutuarit janë të pafajshëm, atëherë dhe zhdukja e kufomave të tyre është krim.

Dhe diçka krejt për fund në lidhje me reagimin e Kryeministrit. Ai është i pakorrigjueshëm në personalizimin arkaik të betejave politike, siç është kjo. Në fund të fundit, me gjithë kompleksin naiv të grevistëve për të mos u quajtur grevistë politikë (duhej t’u krijonte kompleks termi grevë partiake), kjo është një grevë politike. Në mos nga frymëzimi, për nga pasojat. Kjo grevë, për shkak të kauzës kolektive që kapërcen grevistët personalisht, për shkak të efektit ndarës që mund të krijojë te kjo shtresë, do të ndikojë kështu dhe në zgjedhjet e ardhshme. A do të ketë një orientim të votave te FRD e zotit Topi, apo te PS-ja që irealisht po përpiqet të marrë një kauzë që nuk i takon, kjo s’ka rëndësi për Berishën. Janë pasojat politike të grevës, faktori që e bën më nervoz Kryeministrin.

Por kjo s’është rrethanë lehtësuese për dikë si ai, me moshën që ka dhe me atë çfarë ka marrë prej politikës. Më shqetësuese mbetet diçka tjetër thelbësore: agresiviteti që emetojnë deklarimet e tij si mungesë shprese se do të ketë kompromis me grevistët që po shkojnë drejt vdekjes. Qoftë si pasojë e arrogancës së dikujt që pasi mori dy mandate, ka shtënë në dorë gjithë institucionet dhe për pasojë, ka siguri se mund të marrë dhe mandatin e tretë, qoftë prej dëshpërimit për humbjen eventuale, ky agresivitet mbetet jonjerëzor.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama