Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lotaria dhënë austriakëve dhe letra e Edi Ramës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Lotaria dhënë austriakëve dhe letra e Edi Ramës

Pak kohë më parë, kreu i opozitës Edi Rama i shkroi një letër ankese Kancelarit austriak në lidhje me fitimin e koncesionit të Lotarisë Kombëtare shqiptare prej kompanisë “Austrian Lotteries”. Nëse do të ndiqnim kriterin e analizës në njëkohshmëri me kronikën politike, mbase ky shkrim s’do kish logjikë të shkruhej. Por letra ishte aq e pazakontë dhe konceptet brenda saj ishin aq të rëndësishme nga pikëpamja e pasojave, sa edhe pak ditë më pas, mbase ia vlen të analizohet. Për më shumë, gushti, në mënyrë të pazakontë , pati shumë ngjarje që konsumoheshin brenda ditës.

Në fillim, në lidhje me këtë çështje duhet thënë ajo që është e drejtë për t’u thënë: se rrethanat në të cilat tenderi iu dha kësaj kompanie nga autoritetet përgjegjëse ishin shumë të diskutueshme, jashtë praktikave më të mira në vende të tjera etj. etj. U kuptua qartë se u dha thuajse falas një e drejtë e publikut, që gjetkë përdoret për të subvencionuar artin dhe sportin kombëtar. Pra, ishin shumë elementë për të ngritur zërin kundër kësaj praktike të qeverisë shqiptare, e cila nuk e kishte përdorur këtë rast të jashtëzakonshëm sipas eksperiencave të vendeve më të zhvilluara. Megjithatë, vetëm ky qëllim i jashtëzakonshëm, apo dhe denoncimi i kësaj praktike vetëshkatërruese të qeverisë, për më shumë në moment krize, kur financat publike janë rrënuar, nuk mjafton për të justifikuar një letër të kreut të opozitës Rama, që ishte e pazakontë për nga përmbajtja, për nga qasja përkundrejt biznesit të huaj etj. etj. Ja përse: Kjo letër denoncuese ishte e para në historinë e komunikimit ndërkombëtar të kreut të opozitës.

D.m.th., megjithëse në shumë raste të ngjashme kemi pasur fitim të diskutueshëm të garave, apo të koncesioneve nga kompani të huaja, vetëm në këtë rast kreu i opozitës i shkroi kryetarit të Ekzekutivit të vendit nga vinte kompania. Kreu i opozitës ka bërë mirë atëherë që nuk i ka shkruar ndokujt, dhe gaboi tani që i shkroi Kancelarit austriak. P.sh., a i shkroi kryetari i opozitës Presidentit amerikan Bush apo Obama në lidhje me fitimin e tenderit të rrugës Durrës- Kukës, me gjithë kritikat e mëdha që u formuluan atëherë? Po në lidhje me demontimin e armëve? Po Presidentit francez në lidhje me blerjen e paarsyeshme të helikopterëve gjigandë për transporte VIP prej 35 personash? Etj. etj.

Në të gjithë këto raste, jemi para rrethanave të ngjashme, madje me dëm më të madh për interesin publik, sesa në çështjen e lotarisë, që e paska motivuar kreun e opozitës të shkruajë një letër jashtë vendit. Po pse ka gabuar kreu i opozitës sot dhe nuk ka gabuar atëherë? Sepse ai mund të ngjante drejtësisht i motivuar të shkruante vetëm nëse kompania austriake, jo vetëm në përfytyrimin publik, por dhe de jure mund të ishte provuar se u kishte dhënë ryshfet autoriteteve shqiptare. Por, dhe në një skenar të ngjashëm, sikur të ishte provuar fajësia e kompanisë austriake, atëherë ajo do të përndiqej penalisht sipas ligjeve të vendit dhe letra politike do të ishte tërësisht e pakuptimtë. Dhe sikur të pranojmë se kreu i opozitës mund të veprojë sipas përfytyrimeve, me shumë gjasa të vërteta, kreu i opozitës ka gabuar shënjestër. Ai, më së pari do duhet të merret me autoritetin përgjegjës të tenderit, që supozohet se ka marrë ryshfet dhe jo me kompaninë austriake që e ka dhënë. S’po llogarisim hipotezën kur nëpërmjet një tenderi apo gare është bërë një trafik influence, kur qartësisht përgjegjësia është e autoritetit përgjegjës.

Në të dyja rastet janë kanalet ligjore që duhen ndjekur, pse jo dhe nga opozita, për ta kthyer mbrapsht vendimin, sot nëse mundet, apo nesër kur të marrë pushtetin. Letra nuk zgjidh asgjë, përveçse tregon qëllimet politike të kreut të opozitës, të cilat dhe kur janë të mira, rezultojnë krejt të pafrytshme. Për më shumë: a mund të provohet me letra apo pa letra politike si kjo, pra me veprimtari të opozitës, përgjegjësia penale e një kompanie në dhënien e ryshfetit? Provimi i ryshfetit është thuajse i pamundur për autoritetet përgjegjëse, jo më për opozitën, e cila nuk ka instrumente penale përgjimi, survejimi, hetimi etj. etj.

Letra ishte e gabuar edhe për një arsye tjetër. Deri më sot, kreu i opozitës Rama ka pasur një qasje të drejtë ndaj biznesit, duke mos u përfshirë në luftëra emërore ndaj tij. D.m.th., si rregull, ai kurrë nuk ka bërë akuza publike në emër të kompanive ndaj biznesit, apo aq më keq të pronarëve të tyre, një sjellje e turpshme e kreut të qeverisë, që e bën vend e pa vend nga çdo foltore. Kjo sjellje e kreut të qeverisë është një sjellje e padenjë, e paprecedent, e cila nuk shihet asgjëkund në një vend kapitalist. Është reminishencë e sulmeve emërore që vijnë nga koha e komunizmit.

Nëpërmjet sulmesh emërore identifikohet tërësisht një biznes me titullarin e tij, diçka jo normale në kapitalizëm. Biznesi ka një emër të ngritur me mund, e pse jo dhe me lojëra, ai motivohet nga interesi privat, por askush nuk mund t’ia cenojë, përveçse sipas procedurash ligjore. Pra, nëse kreu i opozitës kishte rast të tregonte para bashkësisë ndërkombëtare se është krejt i ndryshëm nga kryetari aktual i qeverisë, ky ishte rasti më i mirë: të vazhdonte më një qasje tërësisht legale, e cila nuk sulmon bizneset nominalisht, dhe aq më tepër t’i shkruajë një letër publike krerëve të qeverive nga ato vijnë.

Bizneset nuk sulmohen me emër, qofshin vendorë, qofshin ndërkombëtarë. Në letrën e vet, kreu i opozitës aktivizon një kërcënim të paprecedentë për të: ai i shkruan Kancelarit austriak se kur të vijë PS-ja në pushtet do ta rishikojë procedurën e koncesionit dhe do ta kthejë licencën te publiku. Ky është një kërcënim populist, pa asnjë vlerë tjetër, aq më tepër vlerë ligjore. Këtu, në mënyrë cinike mund ta justifikonim kreun e opozitës, që vërtet letër i ka shkruar vetëm Kancelarit austriak, por ama do bëjë të njëjtën gjë dhe me biznese të tjera ndërkombëtare që mund ta kenë marrë padrejtësisht licencën apo tenderin. Po si do ta bëjë këtë? Me gjyqe speciale të udhëhequr nga trupa juridike të drejtësh dhe të ndershmish, zgjedhur nga populli, apo me ata që ka rreth e rrotull? Me cilën procedurë ligjore?

A e ka studiuar kontratën eventuale kreu i opozitës për të parë me çfarë penalitetesh rëndohet shteti shqiptar në raste të ngjashme rishikimi drastik të vendimit? Eksperienca e Shqipërisë ka treguar dështim të shtetit në raste të ngjashme. Kështu ka ngjarë kur administrata socialiste ka tentuar të rishikojë tendera rrugësh (Elbasan-Papër); kur administrata demokrate ka tentuar të rishikojë privatizime si ato të Albtelekomit; koncesionin e Aeroportit për Hochtief-in gjerman, në lidhje me ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare; për trenin elektrik General Motors-it amerikan; etj. etj. Mos vallë kreu i opozitës ka ndërmend të na ngarkojë me kosto shtesë, vetëm që t’i dalë zotimi në letrën dërguar kancelarit austriak? A ka ndjekur ndonjë procedurë ligjore tani që të arrijë ta shmangë nesër këtë koncesion? Shkurt, kjo letër mund të jetë motivuar nga qëllime të mira dhe të ndershme. Ajo mund të përmbajë një zotim me vlerë elektorale, se kur të bëhet Kryeministër, kreu i opozitës do të sillet drejtësisht. Ama forma e zgjedhur ishte tërësisht e gabuar.

Kreu i opozitës e kuptoi dikur gabimin e vet dhe nevojën që të jepeshin sqarime shtesë për atë letër. Disa ditë më pas, iu rikthye asaj teme në cicërimat e famshme në Twitter, me premtimet se kur të vijë opozita në pushtet, me fondet e mbledhura nëpërmjet administrimit më të drejtë të Lotarisë Kombëtare, do ta mbështesë sportin dhe kulturën. Por mjerisht, hapësira për veprim e opozitës sot, që do bëhet Ekzekutiv nesër, nuk duhet të jetë vetëm propagandistike, veçanërisht me subjekte të së drejtës së huaj, por ndaj qeverisjes që drejton vendin. Dhe vetëm sipas rrugëve ligjore. Çdo rrugë populiste, që parathuhet në letra të pakuptimta publike, mund të ketë një kosto jo vetëm për vendin, por dhe për imazhin ndërkombëtar të atij që don të bëhet Kryeministër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama