Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një akt tjetër komik i regjimit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Një akt tjetër komik i regjimit

Ç’mund të mendojë dikush që rastësisht sheh, në një transmetim të gjallë të një seance të të ashtuquajturit Komitet Shtetëror për 100-vjetorin e pavarësisë,  Kryeministrin Berisha duke iu dhënë udhëzime autoriteteve akademike se si ta shkruajnë historinë?

Interesi publik për një shfaqje të tillë mediatiko-politike qëndron si në temën e seancës, si në përfshirjen e Kryeministrit, si dhe në implikimet e një përfshirjeje të tillë. Le të marrim me radhë disa prej mesazheve që u përftuan, qoftë prej shfaqjes së Kryeministrit në përgjithësi, qoftë dhe prej ndonjërës prej tezave të tij në veçanti.

Së pari, duhet thënë se kjo mënyrë e transmetimit mediatik, të çdo lloj fjalimi të Kryeministrit apo të liderëve politikë të caktuar, të krijon idenë se vetëm ata flasin dhe të tjerët vetëm dëgjojnë. Kjo ide të krijohet pasi mediat qëndrojnë apo transmetojnë vetëm fjalimet e liderëve, dhe në ndonjë rast të veçantë edhe ndonjë reagim të dikujt të pranishëm. Por, logjikisht, është e vështirë të imagjinohet se edhe pas ikjes së mediave, dikush ka folur aq gjatë dhe aq në mënyrë prijëse si ai. Pra, është e vështirë të imagjinohet që në një forum si ai Komitet, ku bëjnë pjesë dhe autoritete akademike, ndonjëri prej tyre të ketë folur aq gjatë sa Kryeministri. Nuk doli për botim ndonjë fjalim i ndonjë pjesëmarrësi jopolitik. Ndërkohë, për nga natyra, ky Komitet duhet të jetë kryesisht me natyrë koordinuese dhe vetëm pak me natyrë orientuese apo vendimmarrëse, dhe ky argument ngjan si rrethanë lehtësuese që të mendohet se Kryeministri ka të drejtë të flasë më gjatë.

Ndërkohë, ndonëse natyra e Komitetit ngjan si një arsye që ai të flasë aq gjatë, drejtimi i një komiteti koordinues dhe deri diku vendimmarrës nuk justifikon që ai të flasë me direktiva se në cilat figura të historisë duhet përqendruar vëmendja e kërkuesve shkencorë apo në cilat faza të saj dhe në çfarë drite pozitive apo negative duhen parë ato. Ky është mesazhi i dytë që vjen nga ajo shfaqje publike e ditës së djeshme.

Së treti, edhe sikur ta imagjinosh atë fjalim jashtë forumit ku u mbajt, pra jo në Komitet koordinues, por në një konferencë shkencore, ai duket tërësisht i papërshtatshëm, duke të risjellë ndër mend udhëheqësin Enver Hoxha ndërsa fliste për rishikimin e figurës së Haxhi Qamilit. Ishte e njëjta arrogancë që buronte nga fjalimi i Berishës dhe për shkak se media i fokusoi shumë pak pjesëmarrësit e tjerë, nuk arrihej të kuptohej nëse autoritetet akademike po mbanin shënim udhëzimet që rridhnin bujarisht prej fjalimit. Me gjithë përpjekjet për t’u distancuar nga trashëgimia e Enver Hoxhës apo e së shoqes dhe përpjekjet për të shkruar një histori sipas bindjeve të veta, çka ngrinte krye herë pas here në ligjërimin historik të Berishës, përsëri fjalimi në imponim, në gjerësinë e përfshirjes tematike, ishte i ngjashëm me ato të Enver Hoxhës. Për më shumë, pjesa më e madhe e paragrafëve të fjalimit me gojë – jo me shkrim – fillonin me togfjalëshin “e vërteta është se….”. Me një fjalë, e vërteta shkencore, e vërteta historike, rridhte prej atij fjalimi dhe kërkuesit thjesht dhe vetëm duhet ta zbulonin të tërën, duke ndjekur fillin e dritës që vinte prej atij fjalimi ndriçues.

Së pesti, fjalimi në fjalë ngjante jashtë kontekstit dhe për një arsye tjetër thelbësore. Edhe sikur Kryeministri të fliste me një autoritet akademik të gjithëpranuar për tema historike, në asnjë vend demokratik Kryeministri nuk i urdhëron historianët se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë. Në rastin më të mirë, nëse ai në mënyrë neutrale, akademike dhe të edukuar, do të shpallte ndonjë prioritet të këtij përvjetori në kërkimin shkencor, ai duhet të shpallte dhe fonde kushtuar këtij kërkimi. Për më shumë, s’ka as kohë për të filluar kërkime që do të përmbylleshin më 28 Nëntor 2012.

Por edhe sikur të konsiderojmë se fjalimi i pardjeshëm ishte brenda një konteksti të përshtatshëm politik dhe akademik, lindin shumë pikëpyetje të tjera. Për shembull, ku mbështetet Kryeministri, në çfarë leximesh historike, për të arritur përfundimet që shpalli në mbledhjen e fundit? Te kërkime vetanake historike? Te autorë vendas? E vërtetë ngjan ajo që shkrimet historike në shqip vuajnë nga një lloj inercie në teza. Shumica e autorëve dominantë të saj në kohën e lirisë, janë ata që kanë shkruar dhe kanë dominuar njëkohësisht në tirazhe, në autoritet, në kohën e komunizmit.

Ata preferojnë të ruajnë në emër të një gjoja koherence të brendshme akademike të njëjtat gjykime për figurat historike, dhe këtu Kryeministri ka të drejtë. Madje dhe disa kritikë të djeshëm të Kryeministrit u referohen pikërisht këtyre autorëve kur vjen fjala për shembull për figurën e Zogut. Por referimet akademike jo më kot kërkojnë citime, në autorë, në dokumente, në arkiva. A e ka shqetësimin e besueshmërisë Kryeministri ynë, i cili për figurën e Zogut, në 8 vjet ka dhënë gjykime drejtpërdrejt të kundërta? Në vitin 1994 fliste për të me gjuhën e historiografisë komuniste, sot (në fakt ka disa vjet) flet në mënyrë sipërore.

Pa hyrë në meritën e tezave të një fjalimi të improvizuar gojor, diçka që e bën akoma më të rëndë arrogancën e Kryeministrit, të bën përshtypje dhe një kryetezë e tij. Kryeministri besnik i një stili ligjërimor që përdor me tepri shkallën sipërore absolute, tha se në asnjë vend tjetër nuk janë manipuluar të vërtetat si në Shqipëri. Kjo qasje kritike për vendin e vet, për mendimin akademik, për ndikimin e këtij mendimi nga sistemi politik, është paksa e tepruar. Për shembull, pse rreth vdekjes së Benito Musolinit në Itali ekzistojnë dy versione thuajse njëlloj të besueshme? Pse në universitetet italiane përgjithësisht për historinë moderne të Italisë sugjerohen autorë të huaj? Dhe ç’mund të themi për të vërtetat e krijuara në Serbi, në Maqedoni apo në Greqi?

Mbështetur mbi gjithë këto vëzhgime, fjalimi i djeshëm i ngjan më shumë një pamfleti eklektik votagjuajtës, majtas dhe djathtas. Dhe përtej këtij përfundimi, ajo që të godet më shumë është se dhe pardje, për nga mënyra e drejtimit, për nga tezat që u hodhën, për nga përbërja e audiencës, u konsumua një akt komik i regjimit. Me një ndryshim: nëse regjimi tentonte që tezat e shefit të regjimit të shndërroheshin në të vërteta absolute nëpërmjet përfshirjes së tyre në të gjithë tekstet profesionale, tezat e pardjeshme mbeten për konsum propagandistik. Por kjo s’e bën fjalimin më pak të dëmshëm. Është e vërtetë se Berisha është një njeri shumë i lexuar në histori dhe rivali i tij politik nuk ngjan se është, por ky akt i djeshëm meritonte të denoncohej politikisht dhe akademikisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama