Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dilema e burrit të shtetit dhe Haxhi Qamili

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Mentor Nazarko
Dilema e burrit të shtetit dhe Haxhi Qamili

Një ditë pasi u zgjodh Presidenti është dita që të zgjidhet një dilemë jo thjesht mediatike, e shprehur në një shkrim të paradokohshëm mbi Berishën: Burrë shteti, apo politikan? Përballë inflacionit në përdorimin e termit “burrë shteti” në mjedisin shqiptar duhet gjetur referim dhe njëherë te fjalorët enciklopedikë. Në kuptimin e përgjithshëm, të jesh burrë shteti, d.m.th. të jesh dikushi që ka në dorë pushtetin ekzekutiv, legjislativ të një vendi, apo të kesh mundësi që të drejtosh ato.

Por, në kuptimin pozitivizues, përmirësues të fjalës, të jesh burrë shteti do të thotë “të jesh dikushi që ngrihesh mbi ndarjet partizane, në kërkim të interesit të përbashkët, apo që ke aftësinë për të njohur përgjegjësitë e tua”. René Rémond, historian i shquar, poltrona e parë e Akademisë Franceze deri para pak kohësh, e trajtonte kështu këtë dilemë në figurën e Sharl De Golit: “Ai gjithashtu është luhatur ndërmjet aspiratës për unanimitet kombëtar dhe detyrimit për t’u bërë shef i një fraksioni kundër një tjetri. Vetëm politikanët që, pa dyshim, e kanë stofin e burrit të shtetit, e njohin këtë ndarje. Për politikanin gjithçka është e thjeshtë dhe ai as që e shtron fare këtë problem”.

Po a ka vend në procesin se si Kryeministri Berisha e zgjidhi çështjen e Presidentit, për dilemën e mësipërme? Pra a ka kërkim të interesit të përbashkët, apo përmbushje të detyrimit për t’u afirmuar si kryetar i plotfuqishëm i një koalicioni partish në qeverisje?

Duhet përkufizuar se ç’është interesi i përbashkët i popullit tonë sot. Afërmendsh që interesi i përbashkët i shqiptarëve është marrja e ftesës për anëtarësim në vjeshtën e 2012-s. Kjo do të thotë ta afrosh Shqipërinë me Europën. Kjo do të thotë të kesh përmbushur 12 kriteret modernizuese të shoqërisë dhe shtetit të shqiptarëve në 100-vjetorin e vet. Kjo do të thoshte të zgjidhje një President në lartësinë e detyrës që të përmbushte pritshmërinë e të gjitha palëve brenda dhe jashtë, një detyrim që megjithëse s’ishte pjesë e 12 prioriteteve europiane, prapëseprapë ishte një sinjal i mirë europianizues në përputhje me frymën e Kushtetutës, anipse jo me germën e saj.
Një parantezë. Kur sheh mënyrën se si shkuan gjërat me zgjedhjen në krye të shtetit të ministrit të Brendshëm, të një njeriu superbesnik të Kryeministrit, duhet të biesh dakord se pranimi i Xhezair Zaganjorit si President konsensual mund të ishte zgjedhje e drejtë nga opozita. Duke thënë këtë, bëjmë një mea culpa, megjithëse në një shkrim të paradokohshëm s’e kisha refuzuar tërësisht kandidaturën e tij.

Thjesht ishin analizuar rekordet e tij në vendimmarrjen e Gjykatës, pozicionimet e tij kontradiktore në Marrëveshjen e ujërave dhe problemi eventual që do të krijohej me zgjedhjen e tij President. Do të krijohej krizë sepse dhe me dorëheqjen e vet, zoti Zaganjori i zgjedhur kryetar shteti duhej të rrinte në detyrën e anëtarit të Gjykatës derisa të vinte pasardhësi (dhe sipas arsyetimit të tij), pra derisa Parlamenti të merrej vesh (nëse do të merrej vesh) me Presidentin Topi për një emër të ri si pasardhës të tij.

Xhezair Zaganjori, me gjithë defektin e shkuarjes në Partinë Socialiste, realisht vendosi një standard të lartë në garën presidenciale, standard që përfundoi shumë poshtë me zgjedhjet e tjera pasonjëse. Berisha, nga ana e vet, nuk iu mbajt asfare këtij standardi të sjelljes së kandidaturës së tij të parë, që Rama me aq qibarllëk e refuzoi, duke besuar se steka do ngrihej më lart. Ky standard imponohej edhe prej interesit kombëtar, por Kryeministri Berisha as e shtroi më këtë dilemë midis aspiratës për interesin kombëtar dhe detyrimit si Kryeministër të fortë. Ai bëri një zgjidhje arrogante, që kompaktësonte Grupin e vet Parlamentar, koalicionin e tij, me një lojë rishpërndarjeje favoresh për aleatët, duke na shtënë në dyshime: mos vallë e dinte se si do të shkonin punët që në fillim?

Nëpërmjet emërimit të Bujar Nishanit si President – emërim duhet quajtur – Kryeministri Berisha praktikisht hodhi hapin vendimtar në riinstalimin e shpejtë në vend të modelit të vjetër personal të viteve ‘92-‘97, kur një njeri i vetëm kontrollonte gjithë shtetin. Kur ra Berisha më 1997-n, që më së paku toleroi piramidat financiare, atëherë ra dhe gjithë piramida shtetërore.

Dikush mund të thotë se me farsën e pardjeshme në Parlament, PD nuk ndikoi negativisht në marrjen e ftesës, sepse zgjedhja konsensuale e Presidentit nuk bënte pjesë në kriteret e Bashkimit Europian. Është plotësisht e vërtetë: në fund të fundit, me gjithë problemet eventuale procedurale parlamentare në zgjedhjen e Presidentit, Kushtetuta ngjan se nuk u shkel. Por, nga prononcimet e para të përfaqësuesve të Parlamentit Europian, të zëdhënësit të komisionerit Fyle, u kuptua se kjo zgjedhje nuk ishte lajm i mirë. Madje ishte rast i humbur në rrugën e afrimit tonë me BE-në, siç tha Kukan, kreu i Delegacionit për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Ajo çfarë pamë pardje prej Kryeministrit Berisha nuk ishte as ndonjë shfaqje e bukur e stilit demokratik, siç u duk nga bojkotimi i ambasadorëve më të rëndësishëm në zgjedhjen e Presidentit të ri. Parë në këtë perspektivë, 12 kriteret përafruese që i kërkon BE-ja Shqipërisë ngjajnë dhe më të vështira për t’u përmbushur. Zgjedhja e njëanshme e kryetarit të shtetit, nga nevoja për kontroll progresiv të gjysmës apo më shumë të institucioneve, edhe nëse humben zgjedhjet e 2013-s, krijoi një klimë të rëndë që vështirëson arritjen e konsensusit me opozitën, aq i nevojshëm për këto reforma. Edhe BE-ja, vetë me krizën që po kalon, nuk ngjan entuziaste për të na pritur me krahë hapur.

Ama Shqipëria politike nuk e bëri të vetën më 11 qershor. Kryeministri Berisha mbeti një politikan i fortë, me të gjitha epitetet e përdorshme në kësi rastesh, për dikë që i mund të gjithë me dhelpëri dhe forcë, por nuk u bë burrë shteti. Ai nuk po e afron Shqipërinë me Europën, për ta venë në një rresht të paktën me Serbinë. Të realizosh marrjen e ftesës kur Serbia po ecën mbrapa me zgjedhjen e Nikoliçit dhe Greqia s’mund të na kushtëzojë më, ka rëndësi gjeopolitike. Berisha gaboi dhe këtë herë. Gaboi dhe Rama në fillim me ndryshimet kushtetuese që e degjeneruan zgjedhjen e kryetarit të shtetit! Gaboi dhe sot kur e teproi me qibarllëkun e tij, apo dhe me besimin te Meta, pa pasur ndonjë strategji daljeje për sjelljen e vet në këtë proces. Gabuam dhe ne kur me logjikë normale, të prirë nga interesi kombëtar, besuam se mund të kishim një President – produkt të konsensusit apo të paktën të bonsensit.

As që na shkoi në mendje në një zgjidhje si ajo çka pamë dje! Ishte një zgjidhje që entuziazmoi aq shumë paradoksalisht dhe kryetaren e Parlamentit, me gjithë ëndrrat e veta presidenciale, apo dhe deputetin sportdashës të Peqinit, i cili vërtet të sjell në mendje dilemën e ngjashme të Haxhi Qamilit me Berishën 100 vjet më pas: Tuj pat Rrogozhinën dhe Peqinin, ç’më duhet mua ç’thonë Parisi dhe Londra! Çfarë përkujtimi i 100-vjetorit!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama