Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përpara malit me emrin Arbën Xhaferi

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Përpara malit me emrin Arbën Xhaferi

Ndërsa për media të ndry shme po formulohen elegji për vdekjen e shqiptarit të madh Arbën Xhaferi, dhe shumë po përpiqen të tregojnë prova të miqësisë me të, ka vend dhe për sprova të tjera që e shohin atë njëherësh si politikan, si filozof dhe si njeri. Pse ai ishte mik i të gjithëve, dhe për pasojë i askujt? Pse ai ishte aq unik në qenien e vet, në hapësirën shqiptare dhe më gjerë? Pse ai e kapërceu këtë hapësirë për t’u bërë një referencë e kombit shqiptar në shekullin XX dhe fillimin e atij XXI, njëjtë si shumë figura të tjera të mëdha në këtë hapësirë dhe në këtë kohë? Arbën Xhaferi ishte pra një figurë unike, sepse në të bashkoheshin në nivelin më të lartë të mundshëm politikani, filozofi dhe njeriu. Për të, prej një kolegu është blatuar binomi i mbretit filozof, por Arbën Xhaferi ishte dhe një njeri i madh. Kjo është me të vërtetë diçka e rrallë, jo vetëm në rrafsh shqiptar, por edhe botëror.

ARBËNI SI NJERI

Arbën Xhaferi ishte politikani dhe ndoshta intelektuali më modest i viseve tona. Kurrë ai nuk përdori në mënyrë agresive unin; kurrë ai nuk ishte autoreferencial në gjykimin e vet. Arbën Xhaferi ka qenë politikani më i edukuar i viseve tona. Ai kurrë nuk fyeu askënd, madje as armiqtë e vet. I janë kundërvënë me egërsi të madhe, veçanërisht sivëllezërit politikë, apo qarqe të ndryshme klerikale, politike, të universit tonë kombëtar, por ai kurrë nuk shau askënd. Ai komunikonte më të gjithë, ai kurrë nuk la telefonatë apo SMS pa iu përgjigjur për çdo bashkëbisedues, të çdo përmase, qoftë dhe më modesten. Në të gjitha rolet e tij shoqërore, Arbëni u mundua të ndihmonte shumë njerëzit, deri në fund. Arbëni ishte një njeri me kurajë të jashtëzakonshme jetësore, ndoshta faktori kryesor që e mbajti aktiv në nivele të larta atë deri në momentet e fundit të jetës së tij. Ai kishte përpunuar një teori të vetën për t’u vetëbindur se nuk kishte sëmundjen e rëndë dhe kurrë me askënd, hiq mjekun e tij, dhe ndoshta të afërmit, nuk ka folur për këtë sëmundje. Nuk u ankua kurrë, nuk u soll kurrë si i sëmurë. Metaforikisht ndonëse Zoti u tregua i padrejtë duke e marrë kaq shpejt atë, gjatë ecurisë së sëmundjes së tij, për të korrigjuar gabimin e vet, i Plotfuqishmi e la deri në fund me trurin hiperaktiv. Madje, shpesh dukej se ai kishte rritje të parametrave mendorë për shkak të vëmendjes me të cilin ndiqte ngjarjet kombëtare, rajonale, botërore, pse jo dhe idetë në tregun e tyre të përbotshëm. Ishte ndoshta ky hiperaktivitet që si pasojë na bënte të mos llogarisnim vdekjen e këtij njeriu dhe që ndoshta solli atakun vdekjeprurës. Mbijetesa e tij edhe disa ditë pas atakut ishte dëshmia e fundme se po vdiste një burrë i fortë, që punoi deri në fund edhe fizikisht, një burrë me një zemër të madhe, e cila e la krejt për në fund Arbënin. Iku në fillim truri, instrumenti i tij kryesor i punës dhe pastaj zemra, organi jetësor më i rëndësishëm, që tek Arbëni duhet të ishte një zemër e madhe. Arbëni zgjodhi me sa duket vetë vdekjen që pati: deri në fund duke punuar, duke udhëtuar midis Kosovës dhe Maqedonisë, duke bërë projekte intelektuale dhe politike.

ARBËNI SI POLITIKAN

Arbën Xhaferri ishte shembull i rrallë i politikanit që jo për shkak të sëmundjes, nuk preferoi kurrë pushtetin ekzekutiv. S’di pse besoj se kjo qasje e tij, të paktën në formë, u ndoq si model dhe nga rivalët e tij, megjithëse në themel të sjelljes së tij ndaj pushtetit duhet të ketë qëndruar një përzierje arsyesh. Kjo përzierje përmbante ndoshta vetëdijen në pafuqinë e tij për të realizuar tërësisht idetë e tij në role ekzekutive në kontekstin maqedonas, dhe një dëshirë për të mos u bërë pis nga këneta e pushtetit. Si politikan Arbëni nuk i shau kurrë rivalët e tij politikë; nuk u mor kurrë me emra të përveçëm, por me idetë e tyre, me dukuritë politike në të gjitha kontekstet. Ai i ka shërbyer gjithnjë bashkimit në nivel të popullit shqiptar të Maqedonisë, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë kombit shqiptar. Shërbimi ndaj këtij vizioni e bënte Arbënin një rilindës modern. Besnik i këtij vizioni, Arbëni farkëtoi idenë e Komunuelthit shqiptar, si një hapësirë e institucionalizuar e shqiptarëve, e motivuar nga mirëqenia ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Arbëni si politikan me staturë të lartë intelektuale ishte një dhuratë për popullin shqiptar të Maqedonisë, sepse si pasojë e represionit të madh të regjimit, kjo pjesë e kombit nuk ka pasur mundësi të arsimohet masivisht, krahasuar me viset e tjera. Por këtu qëndron dhe një aftësi unike e Arbënit e kombinuar me pjekurinë e popullit shqiptar të Maqedonisë. Ai ishte lider shumë i ndriçuar, shumë më lart intelektualisht se mesatarja e popullsisë, duke mbetur një lider jokarizmatik, diçka e pazakontë për viset tona, dhe pse jo dhe për rajonin tonë, por megjithatë populli i vet, i përqendruar masivisht në zona rurale, e deshi atë deri në fund. Populli shqiptar i Maqedonisë, që shquhet për raportin e tij me fenë, e deshi Arbënin, një politikan afetar, i cili jo rrallë paralajmëroi për rreziqet e ngatërresave të identitetit fetar me atë etnik. “Popujt që kanë identitet real etnik nuk kanë nevojë që atë ta ndërtojnë mbi bindjet fetare”, paralajmëronte ai në një intervistë që më dha mua në 2005- n. Në raportin me Arbënin, me gjithë diferencat, duhet shquar dhe pasuesi i tij politik, një nxënës atipik i tij, Menduh Thaçi. Për një kohë të gjatë, Menduhu, megjithëse njeri i fortë, që mund të manipulonte kongreset, bazën e partisë krijuar nga mësuesi i tij, lejoi të udhëhiqej nga Arbëni, që u tërhoq vetëm kur sëmundja nuk e lejonte të ishte aktiv fizikisht aq sa duhej për një lider partie. Ishte ky raport me gjasë i motivuar nga një adhurim i thellë, një shembull krejt ndryshe nga gjithë eksperienca politike e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ku i forti komandon dhe të diturit më së shumti janë në role dytësore. Arbëni i mbeti besnik deri në fund partisë së tij, duke i ndenjur pranë asaj me praninë e tij në Tetovë derisa humbi frymën. Me vdekjen në Tetovë, ai i mbeti besnik dhe qytetit ku lindi, megjithëse mjedisi atje ishte i ngushtë për idetë dhe përmasat e tij, diçka që Arbëni e kompensonte me udhëtimet nëpër Shqipëri, në Kosovë. Arbëni e adhuronte Tiranën, jo për cilësinë e jetës politike që ofronte, por për qendërsinë e saj intelektuale në jetën e kombit.

ARBËNI SI INTELEKTUAL

Arbën Xhaferi ishte një mjeshtër i madh i fjalës dhe i mendimit intelektual, një sofër e madhe idesh, konceptesh, stili, vizioni, ku kanë ngrënë shumë individë, madje shumë prej atyre që më pas e sulmuan egërsisht. Ai ishte kështu një model për shumë gazetarë të Maqedonisë, të Kosovës, të Shqipërisë, të cilët edhe sot mundohen të shkruajnë si shkruante ai, të arsyetojnë si ai, megjithëse këto cilësi – produkte të trurit, të intelektit nuk imitohen. Si intelektual Arbën Xhaferi ishte dikush që u adhurua jo vetëm prej shqiptarëve, por dhe prej maqedonasve, apo dhe më gjerë që e kishin zili. Shumë studiues perëndimorë që patën rastin të ishin afër tij në konferenca të ndryshme, impresionoheshin nga thellësia e mendimit të tij, për zbatimin e lehtë të koncepteve të mëdha teorike në gjykimet e tij politike për shqiptarët, rajonin dhe ndërveprimin e tyre me globin. Të shkruash për Arbën Xhaferrin, në ditën e tij të mbrame është një ndërmarrje e vështirë emocionalisht, por e lehtë konceptualisht. Sepse ai frymëzon, sepse ai të mbush në të gjithë kuptimet, me universin e vet të mendimit, të veprimit. Sikur je ulur para një mali të madh që të ka zënë gjithë pamjen dhe ku gjen gjithçka. E ke kollaj të zgjedhësh përse të flasësh, të shkruash rreth malit sepse gjithçka është para teje. E qartë, në vendin e vet, e prekshme, e pangatërrueshme, unike, e papërsëritshme mbase.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama