Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje fushate propagandistike

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Nje fushate propagandistike

Prej disa ditësh Partia Socialiste ka nisur një fushatë propagandistike që ka në qendër financimin qeveritar nëpërmjet njoftimeve, spoteve publicitare dhe shpërndarjen e tyre preferenciale te media afër qeverisë.

Kjo fushatë propagandistike ka vetëm një dimension pozitiv: informimin e përqendruar në kohë rreth dukurisë dhe ndoshta kompleksimin e qeverisë, që të mos bëjë të njëjtën gjë në periudhën që na ndan deri te zgjedhjet. Përtej kësaj, kjo fushatë, pa dashjen e atyre që e kanë konceptuar, nxjerr në dritë disa probleme. Të mediave vetë, të marrëdhënieve të qeverisë me to, të partizimit të shtetit dhe rrëshqitjes së shoqërisë dhe institucioneve tona në kushtet e një regjimi.

Pse jemi kaq radikalë? Është vështirë të japësh një gjykim përmbledhës për financime e mediave të shtrira në gjashtë vjet dhe që përfshijnë tipa të ndryshëm njoftimesh, siç kanë qenë fushatat sensibilizuese për respektimin e afateve të vizave, njoftime shpronësimi apo spote fiktive. Fushata për vizat p.sh., ka qenë efektive sa kohë që shqiptarët rezultojnë më të disiplinuarit në raport me ballkanasit e tjerë.

Ndërkohë është vështirë të japësh kritere shteruese se si duhet të ishin shpërndarë këto njoftime, a janë harxhuar shumë para etj., etj. Nga këndvështrimi ligjor duhet imagjinuar se ata që i kanë dhënë, ministrat nën drejtimin e njëshit të qeverisë, janë kujdesur të respektojnë ligjin, megjithëse rasti i financimit të një gazete partiake mbetet i diskutueshëm penalisht. Rrafshi etik i këtij financimi është i qortueshëm, sepse duket qartazi që ky ka qenë një financim indirekt i mediave proqeveritare, por diskrecioni politik brenda hapësirave që ofron ligji, është një barrierë e pakapërcyeshme penalisht.

Problemet që evidenton kjo fushatë

Le të kalojmë atëherë te problemet që nënvizon kjo fushatë, megjithëse pa vetëdijen e promotorëve të saj.

Ky lloj financimi është shprehje e një modeli ekzistues që prej vitit 1998 të marrëdhënieve të qeverisë me mediat. Pra dhe PS-ja ka bërë të njëjtën gjë sa kohë ishte në pushtet. Sa për Berishën e 2005-2012-s, në kushtet e lirisë mediatike mund të thuhet se ai sot i blen mediat, pra ka ndryshuar qëndrim krahasuar me mandatin e tij si President (1992-1997) kur i persekutonte ato. Në këtë model ekzistues që ka dhe disa shtylla të tjera, mediat në mënyrë dominante si dhe më parë orientohen kah pushteti. Ato nuk janë entitete që mbahen nga biznese të shëndetshme, të fuqishme, nga grupe pronarësh apo aksionariat publik, elemente të cilat do të rrisnin pavarësinë e tyre ekonomike dhe editoriale nga shteti. Përgjithësisht ato janë pronë ndërtuesish që pavarësisht bindjeve të tyre janë të varur ekzistencialisht nga qeverisja.

Ky model i vjetër është shprehje e partizimit të shoqërisë, të shtetit, të institucioneve. Pra, në të njëjtën mënyrë si shteti në përputhje me përqindjet zgjedhore ka rënë në duart e partive, pjesë e shumicës, ashtu si institucionet brenda 8 vjetësh ranë thuajse tërësisht në duart e një njeriu, edhe mediat ngadalë po bien nën ndikimin e qeverisë, me disa përjashtime. Ka ende pak hapësirë lirie mediatike, por dhe ajo nuk po përdoret në maksimumin e potencialit të vet për t’i shërbyer ndryshimit.

Pse? Sepse mediat kanë rënë viktimë e modelit të një lloj lufte të yjeve apo gare të armatimeve që në rastin e tyre përkthehet në një kompeticion të ashpër teknologjik dhe patentash të shtrenjta programore. Ky kompeticion, kjo garë e shfrenuar paradoksalisht e bën Shqipërinë vendin më të varfër në Europë, vendin me progres të shënuar teknologjik, megjithëse në kohë krize të madhe ekonomike dhe financiare. Ky realitet mediatik (po flasim për mediat elektronike), veçanërisht duke iu referuar mediave të lira nga qeveria, në mënyrë të pavetëdijshme i shërben qeverisë me mesazhet që përcjell veçanërisht nëpërmjet emisioneve të patentuara. Për brezin e ri, që nuk është i vetëdijshëm për gjithë mungesat ekonomike të familjeve, krijohet një përfytyrim i rremë për jetën në këtë vend, nëse ndjekin reality-show, kuicet, fabrikat që prodhojnë këngëtarë, balerinë etj., etj.

Mediat e lira nuk po prodhojnë ndërkohë programe ku njeriu është në qendër, apo emisione bisedimore ku ka masa të mëdha njerëzish që shprehin shqetësimet e tyre, ku ka pluralitet pikëpamjesh individësh të shquar, pikëpamje të ndryshme nga mendimi tradicional. Nga ana tjetër, shtypi i shkruar vazhdon t’u japë hapësirë të shpërpjesëtuar rrëfimeve të kuzhinierëve, artistëve të diktaturës apo protagonistëve rozë të kohës sonë, me gjithë disa përpjekjeve të fundit për t’i dhënë hapësirë dramave njerëzore të fshatit, të proletariatit urban etj.

Në këto kushte, me gjithë mbijetesën e vështirë të medias së lirë, në kushtet e kuazi regjimit, kur institucionet thuajse kanë rënë në duart e një autokrati që përdor paturpësisht dhe fëmijët për fushatë elektorale, deformimet e mediave të lira kanë kufizuar hapësirën për ndryshim. Nga do të vijë ndryshimi, zërat ndryshe, nëse hapësira e lirë ndahet në mënyrë tradicionale – e majta, e djathta, apo me reality show dhe programe të shtrenjta të patentuara që zënë kohë të konsiderueshme televizive dhe thithin burime të konsiderueshme financiare? Ku do të shfaqet pjesa gri e popullsisë, që mendon më shumë se të tjerët, që don të dalë jashtë ndarjes PS-PD, pjesë ku gjendet potenciali i ndryshimit?

A nuk kuptohet se dhe në atë hapësirë mediatike kushtuar mendimit, debatit, thuajse s’ka vend për mendimin ndryshe jashtë ndarjes tradicionale PS-PD? Si edukohen ata që votojnë për herë të parë dhe që mund të mos i përmbahen teorikisht prirjeve elektorale të prindërve? Edhe votuesit e rinj janë bartësit e ndryshimit, por dhe ata s’gjejnë modele të shëndetshme te vajza nga Bilishti apo te deviacionet seksuale të një këngëtareje të famshme.

Hymë në një diskutim të gjerë, thjesht duke u nisur nga një fushatë propagandistike, e cila do të mbetet e tillë-fushatë nëse ata që e nisën nuk mendojnë që të propozojnë një zgjidhje ligjore rregulluese të një problemi të vjetër. Çështja e financimit të mediave proqeveritare me skemën e njoftimeve dhe spoteve, nëse nuk merr zgjidhje të re, sipas një modeli perëndimor do mbetet reflektim i një modeli të vjetër shoqëroro-politik, që po rrëshqet drejt regjimit. Gjithmonë nëse shpresa nuk fiton dhe nëse potenciali për ndryshim i këtij kombi nuk gjen hapësirën e lirisë që i duhet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama