Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Punë për Frymën e Re

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Punë për Frymën e Re

Pak ditë më parë, ish-presidenti Bamir Topi iu bashkua iniciativës më të re politike, partisë “Fryma e Re Demokratike”. S’ka debat rreth faktit se kjo parti e re është krijesë e zotit Topi. Si krijesë është mjaft e re që të ofrohen konsiderata të shumta për veprimtarinë e saj aktuale.

Por, disa konsiderata për të sotmen, ashtu dhe për të ardhmen, mund të thuhen.

Në fillim për zotin Topi. Si President, zoti Topi do të duhet të mbahet mend si për ato që ka bërë gjatë kryesimit të shtetit prej tij, ashtu dhe për ato që nuk ka bërë. Një pjesë e mirë e kësaj trashëgimie nuk dihet për shkak të rezervës që karakterizon marrëdhëniet midis institucioneve të nivelit të lartë, por diçka dihet dhe mund të thuhet. Presidenti Topi ka frenuar aq sa ka mundur, aq sa ka ditur, atë prirje totalizuese, pushtuese të të gjithë shtetit që ka ardhur prej kreut të qeverisë, dikur shefi i tij, Sali Berisha. Nuk kanë fare rëndësi motivet që mund ta kenë shtyrë zotin Topin në këtë ndërmarrje dhe që mund ta kenë surprizuar zotin Berisha: rëndësi kanë pasojat pozitive për interesin publik, gjegjësisht atë kombëtar.

Sa ishte President, zoti Topi ka frenuar miratimin e ligjeve të diskutueshme, pushtimin tërësor të Diplomacisë, të sistemit gjyqësor prej një individi të vetëm që ka rekord të pasur dhe dramatik në “temptime të tilla”, siç do të thoshte Berisha për veten e vet. Kjo është merita më e madhe historike e zotit Topi, meritë e cila del edhe më në pah sa kohë që kemi një President të ri si zoti Nishani. Brenda një kohe të shkurtër të kësaj Presidence u miratuan disa vendime që vërtetojnë qartë prirjen autoritariste që ka marrë shteti shqiptar, të legalizuara prej pasuesit të Topit. Po frika e fanepsjes së precedentit Topi ekziston akoma, ajo ka bërë Berishën të përkujdeset për zotin Nishani si për një fëmijë: që në ditët e para rinovim bujar të shtëpisë së banimit, shtim të buxhetit (dikur të bllokuar për Topin) të institucionit.

Kjo është trashëgimia personale e zotit Topi që nga njëra anë ia forcon profilin e tij personal politik, dhe, nga ana tjetër, është burim i një handikapi që mund të jetë i shëndetshëm në të ardhmen, ashtu si mund dhe të jetë problem i përhershëm. A do ta heqë zoti Topi pa problem kostumin e ish-presidentit, apo do të ngjajë tërë kohën sikur e ka veshur atë? A do të dijë ai të na japë shembull suksesi të të parit President, që pasi mbaron mandatin, krijon subjektin e vet politik dhe ia mbërrin? Është ky një precedent unik në historinë e pluralizmit shqiptar, diçka që shton pikëpyetjet rreth kësaj dukurie, e stimuluar veçanërisht prej mungesës së një statusi ligjor për ish-presidentët. Me një fjalë, a do të përveshë mëngët ditë-natë zoti Topi të shfrytëzojë kohën e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhjet parlamentare, për të ndërtuar një alternativë të vërtetë politike të së djathtës? Kemi parë një politikan si Topi, që nën hijen e madhe të Berishës kryetar ka ditur të ruajë një profil të respektuar, por sot ai duhet të jetë zoti i punës në krijimin e një alternative jo thjesht figurash, por kauzash.

Mbërritëm këtu te çështja e alternativës që duhet të ndërtojë zoti Topi. Në pikëpamje zgjedhore, në masën e votuesve ekziston një potencial i tillë i djathtë që pret përfaqësim. Edhe sikur ushtritë e votuesve të palëve ekzistuese të mos ndryshojnë, ka boll abstenues, ka boll votues të rinj, të cilët, nëse kapitalizohen, krijojnë një forcë politike të respektueshme. Ka dhe kauza të papërfaqësuara të së djathtës. Së pari, zgjidhja e çështjes së pronës, e cila deri më sot ka qenë katastrofike, duke e lënë Shqipërinë në tranzicion, duke krijuar tragjedi të rënda dhe duke bllokuar kapitalizmin shqiptar. Së dyti, trajtimi dinjitoz i të persekutuarve dhe nderimi i viktimave. Ka 20 vjet që sistemi komunist ka rënë, por Shqipëria ka desaparecidos-ët e vet. Ka të burgosurit dhe të pushkatuarit pa varre, për të cilët askush s’ka dhënë llogari, por as koordinata për varret. Së treti, mbrojtjen e interesit kombëtar, e cila nën këtë qeverisje është goditur rëndë – rasti i Marrëveshjes së Detit me Greqinë, shtimi i pranisë serbe në sektorë strategjikë etj., etj.

Të kesh potencial votues, të kesh kauza, është gjysma e punës, por rruga te suksesi elektoral është e gjatë. FRD e zotit Topi është në mes të sanduiçit të dy partive të mëdha që grinden fort, disa partive të tjera që kanë profil të qartë si LSI dhe PDIU ; aktivizmit vizual dhe agresiv të forcës tjetër të re, Aleancës Kuqezi. Ajo duhet të vendosë rrënjë në territor, ndërsa sistemi zgjedhor e defavorizon që në start. Këto janë sfida të mëdha dhe jo të lehta për një rishtar politik, që nuk është dhe aq rishtar. Çfarë duhet të thotë FRD për privatizime si ai i Albpetrolit, për negociatat për një marrëveshje të re deti, për imunitetet, për reformën kushtetuese etj., qëndrime që duhet të jenë origjinale, autentike dhe të mbajnë stampën e djathtë?

Nuk është koha e shkurtër deri në zgjedhjet problemi më i madh për FRD-në e zotit Topi, por krijimi i hapësirave në realitetin politik ekzistues. Ato dominohen nga dy dinozaurë si Berisha, që nuk ka lëvizur vendit prej disa dekadash, duke i përngjitur pushtetit politik dhe pushtetin ekonomik, dhe Rama, që e ka këtë ballafaqim zgjedhor, ballafaqim për jetë a vdekje. Por, për të krijuar hapësira politike mes tyre, duhen hapësira mediatike, që edhe ato janë të ngushta, siç u duk nga mënyra e ndrojtur, e kursyer se si mediat e mbuluan rikthimin e zotit Topi në politikën aktive. Partitë e mëdha kontrollojnë mediat gjerësisht dhe zoti Topi e di mirë këtë; edhe nëse ke para, s’ka shumë hapësira për t’u blerë. Atëherë?

Fjala kyçe është ajo që me të drejtë nuni i kësaj partie e ka zgjedhur si emër të saj: FRYMA. A do të dijë, në pak muaj që na ndajnë nga zgjedhjet, kreu i kësaj partie të re të punojë për krijimin e kësaj fryme të re, për konsolidimin e saj, për shndërrimin e saj në numër votash që të sjellë ndryshimin? Nëse krijohet kjo frymë, ajo e fshin të vjetrën, e zapton me forcë hapësirën mediatike dhe elektorale, dhe imponohet në skenë si padrone e saj. Për të krijuar frymën, duhet punë, punë, punë. Punë ditë e natë! Puna e madhe të sjell fitim në kohë dhe në hapësirë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama