Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gabimi i PS-së me bojkotin ndaj Mbretit

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Gabimi i PS-së me bojkotin ndaj Mbretit

Mund të ketë shumë diskutime për Komisionin që administroi festimet e 100-vjetorit, për përbërjen e tij – a duhet të kishte brenda tij dhe nga opozita -, për vendimet që ai mori, mes të cilave përkujtimin e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve, por vendimet ishin shtetërore. Domethënë, edhe vendimet për këtë përkujtim, mes të cilave ndërtimi i mauzoleut, riatdhesimi i eshtrave etj., kishin karakter institucional dhe jo partiak. Ndaj duket e çuditshme se pse në ceremonitë e organizuara lidhur me këtë figurë mungoi thuajse tërësisht opozita.

A ishte e drejtë qasja e opozitës?

Mbreti Zog, pa hyrë shumë në analizën e veprës së tij historike, duket se ka krijuar një simpati mjaft të fortë në popull, trashëgimi të pashlyeshme, e cila u duk qoftë në rezultatin zyrtar të referendumit pro monarkisë (diku te 36%), qoftë dhe në homazhet e organizuara ditët e fundit. A është inteligjencë prej forcës më të madhe të opozitës të injorojë ndjeshmërinë e kësaj pjese të popullsisë? Deputeti i PS për zonën e Matit, zoti Minxhozi, në respekt të kësaj ndjeshmërie, mori pjesë në ceremoni, por nuk kuptohet se pse drejtues të lartë të PS-së zgjodhën të theksonin qasjen e refuzimit në bllok, të thellimit të ndarjes ideologjike apo politike që ekziston në popullsi.

Mbërritëm këtu te një moment i rëndësishëm – qasja pajtuese. Nuk ka moment më të rëndësishëm pajtues për një komb, për një klasë politike, sesa një jubile i rrallë si 100-vjetori i pavarësisë, ngjarje për të cilën gjithë populli ka mendim të njëjtë. Mbreti Zog mund të gjykohet në tri mënyra kryesore. Ose si politikan që ka 100% kontribute të mëdha në ndërtimin e shtetit shqiptar, ose 50/50, ose më pak se 50%. Natyrisht, jo sipas shkollës kineze së cilës iu referua një historian dhe politikan i së majtës, që foli për dy të këqija dhe 100 të mira të Zogut. Jashtë kësaj shkolle, madje për të thyer pak skrupujt elektoralë të drejtuesve të opozitës, bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija, në një intervistë të fundit fliste për nevojën e vlerësimit të disa veprave të mira të Mbretit.

Por edhe sikur ta konsideronim Zogun si njeri që ka bërë më shumë dëme sesa të mira, 100-vjetori është rasti më i mirë për pajtim mes asaj pjese të popullsisë që e do Zogun dhe asaj që nuk e do, që nuk dihet se sa është. Nuk mund t’i marrim për referencë ata që votojnë për Legalitetin, sepse me siguri ndjeshmëria pro-monarkiste në Shqipëri është më e madhe sesa numri i votave zyrtare që merr kjo parti. Zogu ishte antifashist, edhe vetë Enver Hoxha e ka pranuar këtë, ndërsa në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë thirri Abaz Kupin apo oficerë të tjerë të lartë, përfshi Spiro Moisiun, komandantin e Shtabit, dikur oficer i Ushtrisë Mbretërore.

Dikur, në fund të viteve ‘80, duke dëgjuar Radio Beogradin në gjuhën shqipe, mësova për një aktivitet që organizohej në mënyrë të përvitshme, një lloj tubimi pajtues midis veteranëve partizanë dhe veteranëve çetnikë. Duke iu referuar Jugosllavisë së atëhershme, lëvizja partizane e saj ishte shumë e fortë, ashtu si dhe përbërësja e kolaboracionistëve. Por, me sa duket, pajtimi ishte bërë, dhe flasim për dhjetëra vite më parë. Pse nuk duhet të ndodhte te ne ky pajtim mes pjesëve të popullsisë shqiptare që ndahen për një figurë historike si Zogu? Në fund të fundit, ky nuk iku prej Shqipërisë si fashist, sepse nëse do të ishte i tillë si Metaksai për shembull, do të rrinte në fron, pavarësisht si do të shkonin punët në fund të luftës.

Në një këndvështrim pragmatik, ky akt pajtimi do të kishte dhe vlerë elektorale. Nëse PS-ja, në emër të këtij interesi elektoral, përveçse për ndjenjë drejtësie, ka përfaqësuar kauzën e ish-të persekutuarve, pse vallë duhet të mbajë këtë qëndrim refuzues ndaj një figure historike si ajo e Mbretit Zog? Një pjesë e mirë e ish-të persekutuarve kanë vuajtur pikërisht për shkak të simpative monarkiste. A e vret mendjen dikush në PS për një inkoherencë si kjo?

Me një veprim të tillë kah pajtimi, apo thjesht respekti institucional për një kryetar shteti të dikurshëm, PS-ja do të tregonte respekt dhe ndaj Fatos Nanos, paraardhësit të kryetarit aktual. Jo thjesht për ekstravagancë, Fatos Nano si Kryeministër në 2003-shin jo vetëm toleroi votimin në Parlament të PS-së pro kthimit të familjes mbretërore në atdhe, por dhe foli për nevojën e rishkrimit të historisë. Madje kultivoi marrëdhënie miqësore familjare me Mbretëreshën Geraldinë derisa ajo vdiq, jo thjesht nga nevoja për vanitet aristokratik. Ç’kuptim ka që një parti të ecë mbrapsht në gjykimin e historisë, për më shumë ndaj një figure si ajo e Mbretit?

Partia Socialiste, në fakt, ngjan si një parti me shumë shpirtra, por që mjerisht në gjykimin e historisë dominohet nga shpirti i pjesës më të vjetër, jo thjesht të shoqërisë shqiptare. Është kjo pjesë që realisht provokon dhe mediat e shkruara, sidomos t’u kushtojnë hapësira të mëdha historive të figurave të diktaturës, ku ka brenda shumë nostalgji. Nuk janë domosdoshmërisht veteranë të luftës, të cilët koha biologjike i ka rralluar, por pjesë e administratës së dikurshme komuniste, individët që peshuakan në këtë shikim inert të PS-së, ndaj historisë së afërt të shekullit të 20-të.

Kjo inerci në gjykime e ka frenuar PS-në të shikojë në mënyrë analoge me partitë e majta perëndimore dhe themeluesit e vet, që s’janë domosdoshmërisht Enver Hoxha dhe grupi i tij, i spastruar pa mëshirë deri në 1985-n, por Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Nako Spiru, Zai Fundo apo të tjerë, të cilët kishin dhe kapacitete të larta ideologjike të njohura madje jashtë Shqipërisë. Kur një parti e madhe e majtë, me trashëgimi historike kaq të larmishme, nuk nderon rrënjët e veta, atëherë është e shpjegueshme pse nuk shkon të bëjë një nderim minimal institucional ndaj një figure si Zogu.

Dikush brenda kampit të majtë, me pretendime akademike, e frymëzon këtë qasje duke thënë se Berisha, me nderimin ndaj Zogut, don të vendosë paralele midis tij dhe Mbretit. Kjo është tërësisht e gabuar për shkak të diferencës shumë të madhe mes këtyre figurave, por kjo është një temë tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama