Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkim kombëtar? Po, por në kohën e duhur

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Bashkim kombëtar? Po, por në kohën e duhur

Eshtë krejt e qartë se tema e bashkimit kombëtar do të jetë një temë kryesore e kësaj fushate elektorale. E kanë lëvruar në periudhën midis dy palë zgjedhjeve parlamentare PDIU dhe AK, dhe më së fundi edhe Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha. Retorika pro bashkimit arriti një kulm cilësor ku dy kryeministra shqiptarë gjendeshin me mirëkuptimin e një Kryeministri sllav, i cili, megjithatë, është në marrëdhënie normale me ta.

Ishte pikërisht përfshirja e Kryeministrit, që nisi në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, veçanërisht në një tubim në Shkup dhe vazhdon edhe sot, ndryshimi cilësor në retorikën politike shqiptare, i cili krijoi reagimin ndërkombëtar, që vazhdoi edhe dje në Bruksel me një prononcim të zyrtarit të lartë amerikan, Filip Riker. Në krye të herës duhet thënë se nuk ka dyshim se kjo retorikë ka një aspekt pozitiv të rëndësishëm. Ajo forcon ndjenjën kombëtare te brezat e rinj, ajo rrit ndjeshmërinë për interesin kombëtar në shoqëritë dhe politikën tonë, ajo shton presionin për ta mbrojtur këtë interes në çdo rast, por siç e theksuam më sipër, ne jetojmë në një botë globale, ku hipoteza apo dëshira për bashkim nuk ka reflekse vetëm të brendshme, por dhe të jashtme. Pra ajo mund të prekë stabilitetin rajonal apo dhe koniunkturën ndërkombëtare, siç do të tregojmë më poshtë.

Mbërritëm këtu te një moment i parë për t’u analizuar. Dihet veçanërisht në rastin e politikës shqiptare, se midis së thënës dhe së bërës, pra asaj që deklarohet propagandistikisht dhe asaj që bëhet në realitet, ka një det të madh. Por, siç duket, retorika institucionale ngjan se ka bezdisur atë që sot dhe 100 vjet të tjerë është aleati kryesor i shqiptarëve – SHBA-të. Nëse ne si komb, falë këtij aleati dhe Perëndimit në përgjithësi, arritëm dy objektiva madhorë: pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin në NATO, mos vallë këtë objektiv tjetër duhet ta arrijmë në kundërshtim me ta? Dakord, parashikimet ruse dhe amerikane e japin se në vitin 2030 shqiptarët do jetojnë në një shtet, por ç’do të thotë ta kërkosh atë bashkim sot në 2013-n, kur perëndimorët të paktën publikisht janë kundër? Do të thotë se nuk je sinkronizuar me ta në rastin më të mirë, pa llogaritur problemet që mund t’i krijohen falë nesh aleatit tonë në koniunkturën globale. Retorika e një Kryeministri nuk është lehtësisht e tretshme në shkallë globale, e njëjtë sikur retorika e një partie politike në opozitë. Kjo retorikë është baras me përfshirje institucionale në angazhimin për bashkim kombëtar, ndaj ky është shkaku pse reagimi ndërkombëtar, veçanërisht i SHBA-ve, vazhdon të jetë kundërshtues.

Megjithatë, risia që krijon probleme në rrafsh ndërkombëtar nuk është vetëm kjo përfshirje e Kryeministrit në retorikën pro bashkim, ndoshta e frymëzuar nga nevoja elektorale për të asnjanësuar retorikën e partive të tjera, veçanërisht atyre opozitare. Kjo retorikë, veçanërisht kur ka brenda përfshirje institucionesh apo kërkon këtë përfshirje, ka potencialin të krijojë probleme për integrimin e kombit shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare. Fjala është dhe për një iniciativë të një subjekti të opozitës për referendum pro bashkimit.

Janë disa problemet që krijohen nga përfshirja masive, edhe institucionale në këtë iniciativë. Janë dhe disa arsye që këtë iniciativë e bëjnë tërësisht të pamundshme dhe, si pasojë dhe pa asnjë rrjedhim praktik, duke e lënë atë në rrafshin propagandistik.

Së pari, një referendum i tillë s’mund të mbahet në Shqipëri, sepse Kushtetuta e Shqipërisë i ndalon referendumet për çështje që lidhen me tërësinë territoriale të saj. (Shikoni nenin 151, paragrafin 2 të kësaj Kushtetute.)

Për të njëjtat arsye-kushtetuese, referendumi me këtë subjekt s’mund të mbahet as në Kosovë. Që në nenin 1, pra në parimet themelore, Kosova shpall se s’mund të kërkojë t’i bashkohet një shteti tjetër. Është ky një parim i fiksuar nga Grupi i Kontaktit, gjegjësisht disa prej vendeve më të rëndësishme në botë, përfshi Rusinë, që ish-presidenti Ahtisari e përfshiu në Kushtetutën e re të Kosovës.

Të kërkosh një referendum, do të thotë të kërkosh përfshirje institucionale në fatin e tij. Në rast të një përfshirjeje institucionale me natyrë pozitive, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, atëherë do të kemi menjëherë reagimin kundërshtues të Perëndimit.

Reflekset e një kërkese të tillë në planin global

Qoftë në përfshirjen e Kryeministrit në retorikën pro bashkimit, megjithëse tani me tone të qeta dhe e orientuar në rrafshin sportiv dhe kulturor, qoftë në përfshirjen eventuale të institucioneve për çështjen e referendumit, kemi implikim shtetëror. Ky implikim shtetëror është serioz dhe mund të sjellë disa pasoja.

Së pari, krijon probleme me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ky është objektivi kryesor strategjik i Kosovës dhe i kombit shqiptar aktualisht. Nëse fuqitë e mëdha bien dakord (dhe ka shumë gjasa që po bien dakord siç e tregon oferta e Daçiçit – por kjo do të analizohet në një shkrim tjetër) kërkesa për bashkim komplikon procesin në nivelin e fuqive të mëdha. Siç u përmend më sipër, ndalimi i bashkimit me Shqipërinë apo me çdo vend tjetër ishte emëruesi më i lartë i përbashkët arritur midis SHBA-ve dhe Rusisë. Nëse shqiptarët kërkojnë bashkim, atëherë humbet kuptimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB. Tjetër dinamikë pro bashkimit mund të lëvizte pas anëtarësimit të Kosovës në OKB, sepse dy shtete anëtare të saj mund të bëjnë ç’të duan, megjithëse bllokimet kushtetuese respektive mbeten akoma në fuqi. Duhet durim dhe një kohë tjetër. Nuk po përmend problemet që u krijohen ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Së dyti, retorika pro bashkimit, kur merr karakter institucional, rezonon me kërkesën serbe për ndarjen e Kosovës. Më saktë, ajo e fuqizon atë. Në momentin kur shqiptarët jo thjesht si aspiratë, por institucionalisht duan bashkimin, atëherë serbët do të kalonin nga kërkesa për autonomi të veriut, në kërkesën për ndarje të Kosovës. Ngjan se është kjo arsyeja që Daçiçi për herë të parë e artikuloi paksa më qartë kërkesën pro ndarjes, madje dhe jashtë platformës zyrtare serbe, siç e “qortoi” Presidenti Nikoliç. Me pak fjalë, Daçiç tha se nëse shqiptarët duan karrigen në OKB, atëherë duhet të na japin që tani diçka.

Me fjalë të tjera, në përfundim, shqiptarët mund të punojnë pro objektivit të bashkimit kombëtar për atë që është tërësisht e lejueshme – edhe për kampionatet e sporteve, edhe për mediat, edhe për ekonominë. Ta përgatisin veten. Të zhvillojnë disa hapa të procesit që nuk na vënë në konflikt me Perëndimin. Por jo të përfshihen në një proces për bashkimin institucional, i cili na krijon aq shumë probleme, sa nuk mund të imagjinohet. Na largon nga aleati ynë perëndimor kryesor, falë të cilit arritëm dy objektiva kryesorë kombëtarë. A mund ta arrijmë vetëm të tretin, bashkimin kombëtar??!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama