Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur shpresat varen te Kushtetuesja

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Kur shpresat varen te Kushtetuesja

Ka disa ditë që shtypi dhe media kosovare po rap-ortojnë në lidhje me shqyrtimin e një ankimimi  që Presidentja e Kosovës, Jahjaga, i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ndërprerjen e mandatit të saj. Sipas raportimeve të medias, që nuk janë përgënjeshtruar asnjëherë, Presidentja është ankuar se mandati i saj nuk mund të ndërpritet; se duke e bërë këtë, shkelen disa të drejta themelore të saj, si barazia para ligjit; e drejta për t’u zgjedhur, parimi i ndarjes së pushteteve, dhe vetë neni kushtetues mbi mandatin e Presidentit, që është 5 vjet.

Në lidhje me këtë çështje mund të thuhen disa pohime. Ato ngrihen mbi premisën se me të vërtetë ka një ankimim të tillë dhe se përmbajtja e ankimimit është siç e raportojnë mediat. Me këtë premisë mund të themi disa pohime që janë me natyrë politike. Dhe disa të tjera me natyrë juridike. Pa pretendimin për të interferuar së jashtmi në një proces të tillë, por duke e marrë si rast studimi.

Në planin politik mund të themi se në këtë ankimim nuk ka diçka të ndaluar në pikëpamje politike. Presidentja, duke i pëlqyer posti i lartë ku është prej disa kohësh, e këshilluar të veprojë kështu, ka vendosur të ndryshojë qëndrimin e parë ndaj marrëveshjes politike që e solli në atë detyrë. Ndaj ka gjetur një pretekst kushtetues dhe është ankuar. Ankesa e saj ngjan se është në një gjatësi vale me qasjen e njërës nga palët e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit nga populli, më saktësisht PDK-së. Partia e Kryeministrit duket se pasi është menduar mirë, kërkon t’i ikë marrëveshjes për arsye ngushtësisht politike.

Me këto llogari, kjo parti mund ta mbështesë një ankimim të tillë, nëse nuk është mbrapa kësaj iniciative të Presidentes. Shumë shpesh – ka ndodhur dhe në Shqipëri, por dhe në Kosovë, që partitë politike në pushtet i kanë nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e Gjykatës. Në Shqipëri, për shembull, dënimi me vdekje nuk është hequr me një amendim eksplicit të Kodit Penal, por me një kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Edhe në Kosovë, në lidhje me çështjen e imunitetit ndaj krimeve të luftës, përsëri është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese për të marrë një vendim. Mund të jetë dhe Ambasada Amerikane, që gjithashtu ka konsideruar se argumentet pse u arrit në marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit nga populli, menjëherë pas amendimit të Kushtetutës, nuk janë të qëndrueshme në situatën aktuale. Por këto janë vetëm hipoteza që s’kanë asnjë lidhje me argumentet apo implikimet kushtetuese në lidhje me çështjen në fjalë.

Hymë kështu në planin kushtetues të problemit. Presidentja, sipas medias, është ankimuar kundër Amendamentit 10 të Kushtetutës, i cili ende nuk ka kaluar në Parlament, pra as në seancë plenare. Sipas këtij amendamenti me karakter kalimtar: “Organizohen zgjedhjet presidenciale, dhe Presidentes në detyrë i ndërpritet mandati në përfundim të zgjedhjeve”. Por a ka të drejtë Presidentja sipas Kushtetutës ta ankimojë një amendament kushtetues që i ndërpret mandatin?

Presidentja nuk ka asnjë të drejtë, pra nuk është e legjitimuar të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër amendamenteve, veç nëse atakojnë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, diçka që s’ka lidhje me shkurtimin e mandatit të Presidentes në ankimin në fjalë. Sipas nenit 113, paragrafi 9, vetëm kryetari i Parlamentit ka të drejtë të ankimojë amendamentet e tjera, por vetëm nëse ai dyshon se ato shkelin kapitullin 2 të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Për pasojë, Gjykata Kushtetuese duhet ta hedhë poshtë padinë e Presidentes si “të paautorizuar” apo të palegjitimuar për të atakuar në Gjykatë amendamentet, gjegjësisht amendamentin X. Me një fjalë, mediat ndoshta blofojnë kur thonë se Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë Presidentes. Edhe specialistët që i japin të drejtë Presidentes gabojnë gjithashtu.

Arsyetim absurd, por le ta bëjmë.

Por, le të supozojmë sikur “ad absurdum”, se Gjykata Kushtetuese e konsideron të autorizueshme Presidenten si palë që ka të drejtë, pra “se amendamenti 10 ka cenuar nenet 24, 45 dhe 91 të Kushtetutës së Kosovës”. Në këtë rast, edhe Presidentja, edhe Gjykata, do të gabonin në arsyetimin e tyre (gjithmonë sipas medias). Ja përse:

Nenet 24 dhe 46 janë te kapitulli i lirive dhe të drejtave themelore. Pra janë për shtetasit në përgjithësi, dhe s’janë për të drejtat e shtetasve presidentë në momentin kur bëhen presidentë.

Neni 24 flet për barazinë e shtetasve para ligjit, dhe jo për barazinë e presidentëve. Nuk ka lidhje ky nen me barazinë e mandateve të presidentëve apo diçka tjetër.

Neni 46 flet për të drejtën e zgjedhjes dhe të qenit i zgjedhur. Edhe kjo e drejtë është e lidhur me të qenit i zgjedhur nga populli – pra si deputet, i zgjedhur lokal etj. Nuk ekziston gjëkundi në doktrinën kushtetuese ndonjë “e drejtë për t’u zgjedhur president, për më shumë nga Parlamenti, siç është zgjidhur Presidentja”.

Neni 91 flet për mandatin e Presidentit. Ky mandat është caktuar 5 vjet nga Parlamenti në Kushtetutën në fuqi. Por, më vonë, po Parlamenti, nëpërmjet një rezolute të arritur me shumicë të cilësuar, ka legjitimuar një marrëveshje të 3 liderëve politikë dhe nëpërmjet amendamentit X ka vendosur t’ia shkurtojë Presidentes në detyrë. Ky amendament X nuk shkel të drejtat themelore, maksimumi shkel interesin e ligjshëm të Presidentes për moscenim të ardhurash, për vend pune të sigurt apo ruajtjen e pozitës së mëparshme, nëse lë atë detyrë etj., etj. Ndërkohë, amendamentet e miratuara prej Komisionit për ndryshime kushtetuese parashikojnë përfundimin e mandateve dhe për të huaj, që sipas planit “Ahtisaari”, kanë qenë të përfshira në Gjykatën Kushtetuese, atë të Lartë, apo në agjenci të ndryshme. Dhe këtu hyjmë në një moment specifik të kësaj Kushtetute të Kosovës. Për shkak të statusit aktual të shtetit, ky dokument themeltar ka në shumë aspekte karakter kalimtar. Pra dhe dispozita për mandatin e Presidentes ka karakter kalimtar dhe do të fitojë karakter të qëndrueshëm nëpërmjet zgjedhjes nga populli.

Gjithmonë sipas mediave, Presidentja pretendon se nëpërmjet “Amendamentit 10 cenohet parimi i ndarjes së pushteteve”. Kjo është tërësisht e gabuar. Sipas doktrinës kushtetuese, pushtetet janë tre: parlamentar; gjyqësor dhe ekzekutiv. Në disa kushtetuta mund të flitet dhe për pushtet lokal, por jo se pushteti lokal është themelor. Ndërkohë, Presidenti ka atribute të pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës ndonjëherë, por nuk është pushtet themelor, pra njeri nga tri pushtetet e lartcekur. Parlamenti është sovran dhe bën ç’të dojë me aktet e veta, mjaft që të respektojë procedurën kushtetuese të miratimit, rishikimit etj. E kundërta madje është e vërtetë: kur Presidentja kërkon të ndalojë amendimin e Kushtetutës si pjesë e pushtetit ekzekutiv që është, në njëfarë mënyre ajo po kërkon të ndërhyjë në pushtetin e Parlamentit.

Në përfundim: vetëm kryetari i Parlamentit mund të atakojë amendamentet kushtetuese para se ato të kalojnë në seancë plenare ku marrin formë përfundimtare. Ai mund ta bëjë vetëm e vetëm për ato amendamente që dhunojnë liritë dhe të drejtat e njeriut sipas kapitullit të dytë. Është kjo një dispozitë që u jep garanci shtesë lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht të pakicave, dhe kjo s’ka asnjë lidhje me Presidenten e Republikës.

Në këtë optikë, Gjykata Kushtetuese as duhet ta marrë në shqyrtim padinë e Presidentes, por duhet ta shpallë atë si palë e paautorizuar për t’u ankuar në lidhje me amendamentet. Ndaj, nëse Gjykata Kushtetuese do ta pranonte, me siguri do ta bënte për të marrë vendim pro kësaj padie. Epo atëherë, me siguri ky do të ishte një gabim i rëndë i Gjykatës, një arbitraritet i pashembullt në botën demokratike. Gjykatat Kushtetuese s’duhet të bëjnë arbitraritete, duhet t’i korrigjojnë ato.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama