Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha: “Overcome!”

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 12 vite më parë

Artur Zheji
Berisha: “Overcome!”

“Overcome” është një term i fortë i gjuhës angleze, që do të thotë të fitosh, të tejkalosh, të kapërcesh. Përdorur në mënyrë të famshme nga Presidenti amerikan Lyndon Johnson në vitin e largët por të rëndësishëm 1965, duke folur përpara. Kongresit Amerikan për zhdukjen përfundimtare të çdo diskriminimi racial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një kthesë e madhe në politikën amerikane dhe një kthesë e madhe në vendosjen e një standardi të ri botëror në të drejtat njerëzore. Në këtë 100-vjetor të kritikueshëm në shumë aspekte dhe detaje të dorës së dytë, Kryeministri Berisha pati guximin politik të vendosë një standard të ri në konsiderimin e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Deklarata e tij më e fundit në lidhje me nënshtetësinë zyrtare të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, është një “Overcome!” shqiptar, në lidhje me diskriminimin historik që populli ynë ka pësuar në këta shekuj të fundit.

Është kjo e rrezikshme?

Si të gjitha gjërat e guximshme, sigurisht që do të ketë reagime, qoftë edhe kërcënuese. Është një lapsus dhe një akt i ngutur të mendosh se ky është një veprim i gabuar politik.

Personalisht mendoj se është gjëja e duhur në kohën e duhur, për të vendosur një demarkacion të ri, të peshës reale dhe substanciale, të faktorit shqiptar në Ballkan dhe në Europë.

Politika shqiptare duhet të dalë nga shqiptimi me zë të hollë dhe të tredhur të së drejtës së vet gjeopolitike, të së drejtës së vet historike, të së drejtës së vet të ekzistencës.
Sali Berisha e bëri këtë në disa akte të njëpasnjëshme, në kornizën solemne të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Një kornizë e qëlluar mirë, ku sfumaturat emocionale të momentit japin “leje” për të thënë ca të vërteta të vonuara historike dhe gjeopolitike. Ca të vërteta të konsideruara “tabu” dhe të “varrosura”nën peshën e një kompleksi inferioriteti, që tanimë duhet “tejkaluar” dhe “kapërcyer”!

Shkakton habi që shumë nga ne, që qëndrojmë me kaq pasion në pritë dhe diskutojmë me tërsëllëm kur Kryeministri hedh hapa të diskutueshëm, stepemi, nuk dihet pse, kur hapi i tij politik, sërish i diskutueshëm, ka nevojë të diskutohet dhe kësaj radhe edhe të mbështetet.

Të ngresh nivelin e diskutimit të Çështjes Shqiptare në këtë standard të ri, të shpallësh oponencën e hapur dhe me zë të lartë ndaj albanofobisë reale dhe të kudondodhur që na ka persekutuar për shekuj, është pa dyshim një hap dhe një hop. Është një artikulim i shumëpritur dhe një konsiderim serioz.

Për të qëndruar në dimensionin racional të profesionit tonë, mund dhe duhet të shtrojmë pyetjen se “përse” e bëri kryeministri këtë veprim dhe cila është prapavija elektorale e këtyre akteve dhe deklaratave?

Sigurisht që argumentet edhe në këtë lëmë nuk mungojnë.

Fushata ka filluar, liderët provojnë në këtë arenë edhe “kuajt e betejës”. Ndër të tjera, edhe Berisha, si një “kafshë politike” e sprovuar, ndien dhe percepton si pakkush erërat identitare që parapëlqejnë sot, më shumë se dje, shumica e shqiptarëve. Sepse sot, më shumë se sa dje, shqiptarët e kanë shëtitur mirë, anë e mbanë botën, dikur të ndaluar. Dhe e kanë ndjerë, thellë e më thellë, se “guri rëndon më shumë në vendin tënd”. Sot shqiptarët janë më të pasur se sa dje.

Sot Shqipëria e 1001 mëkateve dhe 1001 defekteve, është më mikpritëse, më e jetueshme dhe më Shqipëri, sesa ishte dje. Kjo ka prodhuar ndjeshmëri të reja dhe ka “tejkaluar” shumë iluzione të vjetra.

Janë tashmë miliona shqiptarët që me naivitetin dhe shpresën e rreme të të “dëshpëruarit”, kaluan arramara kufijtë dhe mbollën mijëra varre të pangushëllueshme në Otranto, nëpër hone dhe djerrina kufijsh të ashpër.

Dhe i fituan më të shumtat e betejave ekzistenciale në mbarë botën. Dhe triumfuan nëpër skena të famshme, në konkurime të pamundura dhe tash e shohin veten në një pasqyrë tjetër. Miliona shqiptarë tashmë kanë rifituar besim dhe respekt për gjenet e tyre, për barqet që i pollën, për farën, pinjollë të të cilës ata janë.

Të jesh shqiptar, nuk do të thotë më për “tjerët” si dhe për shqiptarët, shpesh vetë persekutues të vetvetes, që janë një racë e kategorisë së dytë.

Dhe këtë Berisha nuk mund ta anashkalojë. As mund ta përjashtojë nga ekuacionet e veta politike apo elektorale. Dhe askush nuk mund ta paragjykojë se është në rezonancë me shumicën e shqiptarëve.

Mentaliteti kombëtar reformohet ose nga poshtë, ose nga lart. Italinë do ta bashkonte ose Garibaldi, ose Savoia. Kur përputhen të dyja, vullneti nga poshtë dhe vullneti nga lart, atëherë Akti i Pritshëm është thjesht çështje kohe dhe çështje koniunkture.

Termi “Rilindja Kombëtare” për shembull, e zotit Rama, nuk është një rastësi.

Është pra ky, një term entuziazmues, domethënës dhe stimulues. Dhe askush nuk mund t’i thotë liderit të opozitës se “Rilindja” është një huazim nacionalist apo një rievokim i vjetruar, pasi rilindësit shqiptarë, në kohën e diktaturës, konsideroheshin rëndom edhe si “nacionalistë” edhe si “utopistë”. Nacionalistë në kohën e triumfit të rremë të internacionalizmit proletar, që do të thoshte de facto zhdukjen graduale dhe reale të kombit shqiptar.

Mirëpo pavarësia e Kosovës, ky korrigjim i vetëdijshëm historik i një padrejtësie gjeopolitike, sigluar në vitet e mugëta 1913 në Londër dhe në vitin 1919 në Paris, është një kthesë ndaj së cilës jo vetëm që duhet të jemi të kujdesshëm, por edhe “administrues” virtuozë.

Me një reflektim të rëndësishëm. Nuk kërkojmë asgjë të askujt.

Kërkojmë, pra, barazinë rajonale të munguar për shekuj.
Pa komplekse dhe pa druajtje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama