Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shit(et)!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Shit(et)!

Gjatë udhëtimeve të mia të shkurtra në fundjavë nëpër Shqipëri, fjala e shkruar që më ka rënë, më bie e do të më bjerë në sy ende për shumë kohë, është pa pikë dyshimi folja “shitet”. Kudo, shpesh e shoqëruar me një apo dy numra celulari ajo ta tërheq vështrimin teksa ti e sheh të shkruar pas xhamit të makinave, te vitrinat e dyqaneve, në fasadat e pallateve që sapo kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër së ndërtuari etj., etj.

Pikërisht te fasadat e disa pallateve fringo të reja në një qytet bregdetar, buzë detit, para dy javësh, pasi lexova që apartamentet e atyre pallateve shiteshin, i shpreha habinë një të njohuri të atjeshëm, ish-emigrant, që flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht e italisht, duke e pyetur se si ishte e mundur që, ndonëse shumë apartamente të reja, por edhe të vjetra që janë nxjerrë në shitje, nuk po gjejnë blerës (për shkak të raportit të pavolitshëm kërkesë/ofertë apo për shkak të krizës botërore?), firmat e ndërtimit nuk po reshtin së ndërtuari pallate shumëkatëshe, apartamentet e të cilave, me gjasë, nuk do të shiten për aq kohë sa do të vazhdojë kriza; njëkohësisht, shpreha druajtjen se mos jo vetëm në atë qytet, por edhe në qytete të tjera të vendit, do të përsëritej ajo që ndodhi në Spanjë, ku u ndërtuan shumë apartamente, por që nuk po shiten, duke e thelluar kështu krizën gjithëpërfshirëse. Përgjigjja e të njohurit tim m’u duk interesante dhe unë po e riprodhoj këtu për lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të përjavshme:

“Në veprimet tona, ne, shqiptarët, dukemi nganjëherë si të rrëmujshëm deri në absurditet, madje diku kam lexuar se të parët tanë ilirë, luftëtarë e piratë të paepur, kështu vepronin në përgjithësi: fillimisht e sulmonin armikun, pastaj bënin planin e sulmit. Në pamje të parë duket sikur ne po veprojmë si spanjollët, por, në fakt, gjithçka më duket e studiuar më së miri.

Së pari, në këto kohëra dyndjesh të emigrantëve nga vendet e botës së tretë e, sidomos të katërt, drejt vendeve të Bashkimit Europian, detyrimisht një pjesë e mirë e atyre që do të vijnë nga Azia do të kalojnë nga vendi ynë, në veçanti nga qyteti ynë heroik, ku me siguri do të kenë nevojë për strehim të përkohshëm, kështu që, ne, banorët e tij bujarë, do t’u japim me qira apartamentet e reja që nuk shiten, madje ne urojmë që të mos shiten ose, më saktë, ne po i ndërtojmë ato që të mos shiten, çka shpjegon çmimet e tyre të larta. Emigrantët në fjalë qiranë do të mund ta paguajnë me para në dorë (nëse kanë), në mos me punë vullnetare aspak të zezë (oh, vetëm një çikë gri ndoshta, sa për variacion) që të kenë një strehë për të futur kokën, që të ushqehen, të pastrohen e, pse jo, të çlodhen e të zbaviten pas pune (nëse u mbetet kohë, ta pret mendja).

Së dyti, edhe sikur fluksi i këtyre emigrantëve të ndërpritet, duke konstatuar tendencën në rritje të përhapjes së kinezëve në botë, sidomos drejt vendeve të Bashkimit Europian, kemi shpresë që këta do të vijnë përherë e më të shumtë edhe në Shqipëri, veçanërisht në qytetin tonë heroik. Falë këtij pushtimi paqësor (të cilit, me shumë gjasë, nuk ka për t’i shpëtuar asnjë vend i zhvilluar në botë), ne do t’ia dalim mbanë t’i shesim jo vetëm tërë apartamentet e reja që të zë syri rreth e rrotull, por edhe ato që janë në ndërtim e sipër, madje edhe ato që do të ndërtohen së shpejti apo më vonë, edhe ato që presin të projektohen e të ndërtohen pas vdekjes sate e vdekjes sime”.

Ky arsyetim më la përnjëmend pa gojë dhe m’u desh ta mblidhja veten për t’i drejtuar, disi me qesëndi, një pyetje tjetër të njohurit tim: “Si shpjegohet – i thashë – që në qytetin tuaj kaq bujar ju nuk keni nxjerrë ndonjë tabelë ku të shkruhet ‘Apartamenti falet’, qoftë thjesht për publicitet, në mënyrë që të tërhiqni: varianti A: sa më shumë emigrantë pakistanezë, indonezianë, filipinas, koreanoveriorë, kurdë, irakianë etj. etj; varianti B: sa më pushtues paqësorë kinezë?”. I njohuri im më dha një përgjigje fare të thjeshtë, por që dëshmoi se ai ishte fort mirë i informuar: “Bëjeni ju nga Tirana njëherë, pastaj shohim e bëjmë ne këtu”. Pastaj i hodhi një vështrim kuptimplotë pallatit të sapondërtuar me apartamente në shitje dhe lexoi: “Shitet etj., etj.”. Apo ndoshta, tha, në një anglishte të përzier me shqipe: “Shit! etj., etj!”?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama