Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjak në faqe të parë

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Gjak në faqe të parë

Jemi mësuar tashmë të lexojmë lajme vrasjesh makabre që në faqen e parë të gazetave, saqë ditën kur nuk do të ketë më të tilla, nuk do t’u besojmë syve kur t’u hedhim, te kioska e mëhallës, një shikim të shpejtë gazetave pa pikë gjaku, pikërisht në faqen e parë. Atëherë, ndonjëri nga ne madje mund edhe të zhgënjehet e të mendojë se gazetat pa gjak në faqen e parë kanë nisur të mos raportojnë më aq bujshëm për krimet e kryera: Si mund të rrijë shqiptari pa u vrarë me shqiptarin jo vetëm në Shqipëri, në të njëjtin qytet, në të njëjtën lagje, në të njëjtin fshat, brenda fisit, brenda familjes e brenda çiftit, por edhe nëpër botë? Si mund të mos shkruhet për krimet qysh në faqe të parë? (Arsyetim ky prej vampirësh virtualë).

Mirëpo, ç’është e vërteta, në faqen e parë të gazetave gjaku nuk kullon natyrshëm, por si pasojë e dhunës: dhunë në shtet, dhunë në shoqëri, dhunë në familje. Të dhunshëm jemi me gjeste e me fjalë, madje deri në përkëdheljet tona: “Vdektë nëna për ty!” – i thotë e ëma fëmijës së vogël, ndërkohë që kjo fëmijë, për t’u rritur e zhvilluar normalisht ka nevojë jo që të vdesë nëna për atë, por, përkundrazi, që të jetojë për atë, për motrat e vëllezërit e tij, për babanë gjithashtu. Dhuna deri te përkëdheljet merr nganjëherë karakter kanibalesk: “Do të të ha si llokum!”; “Ta hëngsha syrin”; “O Zot, sa e/i mirë që je! – i thotë tezja apo halla mbeskës apo nipçes njëvjeçar – Ec të ta ha pak gushën, të ta nduk pak faqen, të ta kafshoj pak doçkën, të ta këpus pak këmbkën”, – i thotë asaj/atij daja ose xhaxhai etj., etj.

Të tëra këto shenja që, jo pak psikologë apo psikiatër mund t’i konsiderojnë si simptoma, dëshmojnë se ne vazhdojmë ta ruajmë e ta zhvillojmë kulturën e dhunës. Edhe në përdorimin e shqipes, gjuhës sonë amtare, ne zgjedhim jo rrallëherë mënyra të vrazhda të shprehuri; kështu, a nuk dëgjojmë rëndom të thuhet: “Hej, vrite një çikë mendjen!”; “Më mirë të më kishe vrarë, sesa ma the këtë!”; “Mos na hap barkun tani!”; “Merre librin dhe nxirr sytë po deshe!” etj., etj.? Para 23 vitesh, mbaj mend që çova një mëngjes djalin dyvjeçar në çerdhe; kur edukatorja vuri re që ai nuk donte të ndahej prej meje, e mori në krahë dhe, për ta bërë të harronte praninë time, i tha: “Hajde të kapim një zog! Ç’do t’i bëjmë ne atij, do ta vrasim, hë?”. Kam edhe të tjerë shembuj të tillë, ndoshta edhe më të frikshëm, por nuk do t’i trondit më shumë lexueset e lexuesit e mi tepër të ndjeshëm.

Por nga na vjen kjo kulturë e dhunës, madje e dhunës makabre (rasti i fundit: 80-vjeçari vret vajzën e re e njëkohësisht shtatzënë, pastaj i pret kokën)? Nga e kaluara jonë e largët dhe e afërt? Nga izolimi ynë 5550-vjeçar? Apo nga diçka tjetër? Këto pyetje po i bëja vetes një ditë kur mësova lajmin e vrasjes makabre që sapo përmenda, dhe përgjigjen ma dha të nesërmen a të pasnesërmen një mikja ime që punon në Komitetin Shqiptar të Helsinkit:

Kultura e dhunës te ne, me gjithë punën e bërë nga Legjislativi dhe Ekzekutivi, shkolla, gjykatat e shoqëria civile, me gjithë ndihmën e organizmave dhe të institucioneve ndërkombëtare, vazhdon të ekzistojë edhe sepse, ndërsa flasim dhe luftojmë për të drejtat e njeriut (e drejta e fjalës, e drejta për të qarkulluar lirshëm, e drejta e grevës, e drejta për punë, sigurim shëndetësor e pension, e drejta për të formuar shoqata, sindikata, parti etj., etj.), ne, shqiptarët e sotëm, harrojmë që e drejta themelore, e para, më universalja, është e drejta për jetën, çka do të thotë se askush, në asnjë rrethanë e për asnjë motiv, nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën dikujt tjetër (përjashto rastin e vetëmbrojtjes së ligjshme); prandaj në shumicën e shteteve demokratike në përgjithësi dhe në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës në veçanti, përfshirë Shqipërinë, është hequr dënimi me vdekje.
Kultura e dhunës te ne bën që të vritemi për një zhvendosje gardhi, për një rrënjë ulliri, për një fjalë goje. Vrasim dikë të cilit nuk ia kemi dhënë ne jetën; por edhe sikur t’ia kishim dhënë, tjetri është vetë zot i jetës së tij dhe ne nuk kemi të drejtë t’ia marrim: madje as prindi nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën fëmijës së tij, qoftë ky edhe i çmendur, sepse ai është jo thjesht një produkt biologjik, por edhe shoqëror e historik.

Si përfundim, në mënyrë që numri i krimeve të rënda, makabre, të bjerë, duhet patjetër e urgjentisht të punohet me metodat e përshtatshme në të gjitha nivelet e edukimit të brezave të rinj, qysh në sistemin parashkollor, që ata të kuptojnë se ç’është e drejta për jetën. Vetëm kështu do të nisim të shkëputemi nga kultura e dhunës në mënyrë që një ditë sa më pak të largët, të mos kullojë më gjak në Shqipëri, në imagjinaren tonë individuale apo kolektive, dhe as në faqen e parë të gazetave tona.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama