Shi, më në fund!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 10 vite më parë

Edmond Tupja
Shi, më në fund!

Pas një thatësire të gjatë e të mundimshme – e kam fjalën për thatësirën si dukuri meteorologjike, pra, si mungesë rreshjesh për një kohë të gjatë – më në fund ra shi edhe në Tiranë e rreth e përqark asaj. Gjë fort e dobishme, me shumë gjasë: në fshatra, bimësia po gjallërohet e gjëja e gjallë po freskohet; në qytet vapa dhe pluhuri i madh u platitën, ndërsa Lana kutërbon shumë më pak se para disa ditësh; nga maja e Malit të Dajtit, falë tejdukshmërisë më të madhe të ajrit, shihet qartë se reja e smogut është davaritur gati plotësisht, çka do të thotë që kryeqytetasit po marrin frymë më lirisht, sidomos ata që nuk kanë kondicionerë as në shtëpi e as në punë (Po të pastrehët e të papunët?).

Pas një thatësire të gjatë e të mundimshme, shiu që porsa ra duket sikur i ka këndellur studentët e mi, që më duken më të vëmendshëm, përfshirë edhe ata që patën disa provime për të ridhënë në këtë fillimvjeshte (Po ata të rinj e ato të reja që nuk kanë mundësi të studiojnë në universitet?). Pas një thatësire të gjatë e të mundimshme, shiu që ra qe si një dhuratë për të gjallët, një dhuratë gati hyjnore (a nuk ra ai nga qielli?), një dhuratë e mezipritur, e merituar, ndaj së cilës ata, pra, të gjallët, nuk mund e nuk duhet të qëndrojnë mospërfillës (Po të vdekurit, fëmijë a të rritur qofshin – për shembull, ajo vajza të cilën e goditën me thikë vetëm për t’i rrëmbyer zinxhirin e florinjtë që mbante në qafë, ajo tjetra, së cilës i prenë kokën, ajo nëna që vrau veten se nuk kishte me çfarë t’i ushqente fëmijët e mitur, ai plaku që vdiq i vetmuar dhe u qelb i harruar nga të bijtë – po të vdekurit?).

Pas një thatësire të gjatë e të mundimshme, ra shi më në fund, por, tek po merrja frymë më lirisht, befas një pyetje më lindi që mend ma zuri frymën: a e kanë ndier sadopak këtë thatësirë të vaposur me mungesë jo vetëm uji, por edhe oksigjeni, ata që kanë me miliona e me miliarda e nuk japin asnjë qindarkë, ata që kanë me miliona e miliarda dhe bëjnë sikur japin, ata që kanë me miliona e miliarda dhe japin bujarisht një për të marrë babëzisht një mijë, super të kamurit e pamëshirshëm (të cilëve nuk u del asnjë pikë loti) dhe super të kamurit gjoja të mëshirshëm (të cilët e nxjerrin lotin hipokrit si aktorë vërtet komikë në situata vërtet tragjike). Përgjigjja nuk është hiç e vështirë: jo, nuk e kanë ndier, nuk e ndiejnë e nuk do ta ndiejnë.

Nuk do ta ndiejnë ndonjëherë thatësirën si dukuri meteorologjike, pra, si mungesë rreshjesh për një kohë të gjatë, jo vetëm sepse në shtëpi e në punë i kanë të gjitha kushtet për të mos e ndier, por edhe sepse periudhën e zgjatur e të mundimshme të thatësirës verore do ta kalojnë si përherë në hotele, motele apo bordele të freskëta e të begata brenda apo jashtë vendit. Duke mos e ndier këtë thatësirë, nuk e kanë ndier, nuk do ta ndiejnë dhe e kanë gati të pamundur ta ndiejnë thatësirën si dukuri morale – për këtë jam krejt i bindur – ku gjallojnë falë parave që ata e dinë sesi i kanë fituar.

E kanë gati të pamundur ta ndiejnë thatësirën jo vetëm si dukuri meteorologjike por edhe si dukuri morale, politikanët tanë gjithashtu, në pushtet apo në opozitë qofshin ata, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara që mund të bëjnë disa syresh ende të ndershëm ose të ndershëm përgjysmë; e kanë gati të pamundur, sepse i pengon alkimia e frikshme e lojës/luftës për pushtet, një alkimi ku u duhet të përdorin lëndë trullosëse ose, edhe më keq, helmuese të ndërgjegjes, që thatësirën morale brenda radhëve të tyre e kthejnë në thartësirë shpirtërore.

Kjo thartësirë të kujton thartësirën jo të limonit e të uthullës, por të acideve të tilla të fuqishme si acidi nitrik e ai klorhidrik, përzierja e studiuar e të cilëve gërryen e tret floririn dhe platinin. Rrjedhimisht, sado djalë flori të ketë qenë dikush (me bindje të djathta apo të majta qoftë) para se t’i dorëzohet politikës, kur i hyn lojës/luftës për pushtet, ai nuk mund të mbetet djalë flori edhe sikur, më vonë, të dalë nga kjo lojë/luftë tjetërsuese…

Ra shi, më në fund!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama