Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kush di poker?!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kush di poker?!

Ka një klishe në jetën tonë politike, e cila mbetet prej shumë kohësh e gjithëfuqishme. Kjo është klisheja e fitores së padiskutueshme të çdo procesi negociimi mes PD e PS, nga ana e Sali Berishës. Ka qenë e modës si tezë qysh në vitet ‘90, kur presidenti i asaj kohe imponohej edhe për caktimin e axhendës artistike të Teatrit të Operës. Edhe më pas, në fillim të viteve 2000, kur Berishës iu dha bonusi i propozimit të kreut të shtetit dhe të organit të akuzës, u përforcua bindja se vërtet ai qëndronte në opozitë, porse luante sikur të ishte në qeveri. Me ardhjen në pushtet në vitin 2005, kjo aureolë e Berishës s’mundej veçse të forcohej. Aq sa me kalimin e viteve, ai shihet nga përkrahësit e tij dhe mediat qeveritare, si njeriu që e drejton me një gisht jetën politike, si alkimisti që gjithçka e kthen në ar dhe si kundërshtari ndaj të cilit Edi Rama nuk ka asnjë shans të fitojë.

Pjesë të kësaj fame janë të vërteta, le ta themi qartë dhe fort. Berisha ka ditur të maksimalizojë kreditet që ka pasur, duke e bërë këtë me të gjitha mjetet dhe rrugët e imagjinueshme. Është ose jo kjo diçka etike, morale apo e këshillueshme, le ta gjykojë historia. Ai është në shumë raste njeriu i aksionit rrufe, i prerjes shkurt të druve, është politikani i faktit të kryer. Bahri Shaqiri ishte vetëm i fundit që e provoi këtë gjë.

Ky reputacion vepron me shumë gjasë edhe kur Berisha nuk sillet si i tillë. Duke e fryrë tej mase famën e “kafshës politike” që përfiton në çdo rast dhe në çdo kombinacion të mundshëm. U ndryshua Kushtetuta në vitin 2008? Menjëherë gjithçka iu faturua opozitës, paçka se dorën e kishin ngritur të dyja palët, paçka se përfitimet e llogaritura shkonin për të dyja partitë e mëdha. Edhe ato që fitoi Berisha, u tha më pas se Rama i kish votuar duke menduar se pas një viti do t’i kishte në favorin e tij.

Është e vështirë të përballesh me një strategji shumëvjeçare, e cila ka në bazën e saj konstatimin fatalist se Sali Berisha është pokeristi më i mirë në tryezën e bixhozit. Vini re çfarë po ndodh me negociatat e fundit, të cilat kishin si epiqendër imunitetin. Ndërsa pozita e luajti shpejt dhe fort kartën e heqjes së imunitetit, opozita e ndodhur me pushimet e verës (pa ironi kjo e fundit), e futi në lojë vonë dhe me drojë paketën e saj të ndryshimeve kushtetuese. Rezultati: imuniteti u hoq, paketa u rrëzua. E njëjta gjë po ndodh edhe këto orë, me draftin për Gjykatën e Lartë. Opozita po kërkon t’i japë vërtet një formë negociimi, e jo thjesht aprovimi symbyllur, procesit të bisedimeve me palën tjetër. E çfarë gjen përpara? Atë që ka gjetur gjithmonë. Një mur gome, të ngritur nga njeriu që luan përjetësisht fort. Duke fituar thuajse gjithmonë.

Megjithatë është e pakonceptueshme që arritja e konsensusit në këtë vend t’i kërkohet përherë vetëm opozitës në formë koncesioni, me justifikimin “s’kemi ç’i bëjmë Atij”! E kanë bërë dhe e bëjnë përditë këtë, të gjithë ata që në një moment të caktuar marrin përsipër të negociojnë mes palëve. E këta janë kryesisht diplomatë e zyrtarë të huaj, të cilët shpesh veprojnë në mënyrë sipërfaqësore, duke synuar fitoren e vogël personale në ndërmjetësim, apo thjesht duke kërkuar të shuajnë sherret. Pa i zgjidhur ato, natyrisht.

Ndërkaq opozita kërkon që përballë votimit të akteve të fundit me shumicë të cilësuar, të gjejë disa të drejta të mohuara në mënyrë kokëforte dhe taksative nga mazhoranca. Kërkohet balancimi i Kuvendit (i përfshirë në marrëveshjen e nëntorit), zhbllokimi i fondeve për pushtetin lokal dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave për Qarkun e Fierit. Nëse i merr të gjitha me radhë, do të duhet shumë fantazi për t’i hedhur poshtë këto kërkesa, të cilat mbeten pa u përmbushur vetëm për shkak të “pokerit të fortë” të qeverisë.

Parlamenti i Shqipërisë është prej vitesh tashmë, gjeneratori kryesor kombëtar i tensionit politik. Një tempull urrejtjeje dhe ndarjesh, më shumë sesa institucioni i bashkëpunimit dhe i sinergjisë politike në vend. Apostulli i kësaj linje përçarëse në rrafshin ideologjik e personal, është Kryetarja e Kuvendit, e cila është e vetmja zyrtare e lartë e shtetit, pas rënies së komunizmit, që ka marrë një kritikë “me emër dhe mbiemër” në një raport zyrtar të BE-së. Progres-raporti i vitit 2010 përcaktonte se posti i Kryetarit të Parlamentit është abuzuar politikisht. Përcaktim më skandaloz, për një rang kaq të lartë shtetëror, zor se gjen.

Megjithatë nuk na duhen aspak syzet apo kufjet e europianëve, për të parë dhe dëgjuar sesa shumë ka devijuar, sesa mjerisht është deformuar drejtimi i legjislativit, në duart e kësaj zonje që s’ka asnjë meritë tjetër në poltronin ku qëndron, përveçse të lëshojë kohë pas kohe pasthirrma aspak elegante hareje, sa herë që Kryeministri ironizon kundërshtarët e tij të majtë.

Por Kuvendi nuk vuan vetëm arbitraritetin qorr të një spikereje ekstremiste. Në Parlament është mpakur votimi i fshehtë, aty dhunohet rregullisht opozita për një fjalë goje, manipulohet me votat dhe deputetët prezentë apo të munguar dhe mbi të gjitha, është instaluar një gjuhë urrejtjeje nga të dyja palët, e cila tmerron rregullisht shqiptarët e shkretë që ndjekin punimet e Parlamentit, me shpresën naive se po dëgjojnë baballarët e kombit “në ushtrim të detyrës”.

Balancimi i kësaj situate, së bashku me disa të tjera situata absurde brenda dhe jashtë Tirane, përbëjnë atë listë kërkesash të opozitës, që sot qeveria nuk dëshiron as të shohë me sy. Pasi u soll në të njëjtën mënyrë edhe me paketën kushtetuese të diskutuar në mënyrë formale e joserioze pak ditë më parë. Një sjellje e tillë e palogjikshme, do të meritonte një përgjigje po kaq të palogjikshme. Gjithnjë në emër të lojës së fortë të kartave në tryezë. Paçka se retorika tashmë thellësisht e abuzuar e bllokimit të statusit, do të buçasë edhe një herë në të gjitha mediat e qeverisë. Një opozitë që hap krahun sa herë që duhet një kompromis, formëson një imazh të qullët dhe kapitullues përballë votuesve të saj dhe pjesës tjetër të shqiptarëve. Një opozitë e tillë është jashtë funksionit përfaqësues për të cilin është votuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama