Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përdorimi politik i historisë…

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Nazarko
Përdorimi politik i historisë…

Njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë e ka shtuar përdorimin politik të historisë, të figurave të saj. Ai ka nxitur, domosdo, dhe gjykime të reja mbi figurat që e kanë shënjuar këtë periudhë historike të shqiptarëve, qoftë mbi fakte të reja, qoftë dhe mbi faktet e vjetra. Shoqëria, mendimi publik mbetet kryesisht dhe vetëm te të vjetrat sa kohë që nuk kemi realisht ndonjë nxitje kushedi çfarë të kërkimit historik, me gjithë thirrjet e Kryeministrit nga foltore publike pro rishikimit të historisë pa akordim fondesh për kërkime të reja.

Përdorimi politik i historisë, d.m.th. për interesa elektorale, mbetet të jetë optika kryesore me të cilën duhet parë qoftë rikonvertimi i Kryeministrit Sali Berisha nga fanolist në zogist, qoftë dhe deklarimet e fundit të ish-kryeministrit socialist Majko në lidhje me qëndrimin e Zogut më 7 prill 1939. Sali Berisha, që vlerëson mbi gjithçka pasojat elektorale të gjykimeve të veta, ka kuptuar se kohët kanë ndryshuar. Në vitin 1994, kur shfaqi qëndrimet e forta fanoliste, siç bëri deri para pak kohësh, Berisha nuk ishte thjesht në ndikimin e historiografisë komuniste të cilën ai e kishte përtypur me lexime të shumta. Ai ndiente kërcënimin që ushtronte për pushtetin trashëgimtari i fronit mbretëror, të cilin e përzuri në një mënyrë të shëmtuar pa mbushur 24 orë, njëlloj me kohën që kaloi kur lindi.

Në këtë perspektivë, kreu i qeverisë ishte tërësisht pragmatik me rreshtimin e tij kah Fan Nolit, siç na rezulton nga një fjalim i Berishës në simpoziumin për Revolucionin nolist të vitit 9124, që ai sot e quan grusht shteti. Prej asaj periudhe, Kryeministri Berisha ka kuptuar se kjo shoqëri, pjesa e djathtë e saj, e ka ende të fortë nostalgjinë për Mbretërinë, të paktën në atë masë sa të kushtëzojë fitoren e tij elektorale. Ndërkohë, me rezultatin me shumë gjasë të manipuluar të referendumit për formën e regjimit dhe rrënimin shëndetësor të trashëgimtarit të fronit, i cili sot nuk është më, Berisha nuk sheh më të njëjtin rrezik për pushtetin e vet si në vitin 1994 apo deri disa vite më vonë. Në përpjekje për t’i bërë shërbim çdo vote, Berisha i 2012-s nuk ka asnjë problem të ndryshojë pikëpamjet e veta mbi figurat e historisë, sa kohë që e bën pa asnjë pikë turpi për figurat e së sotmes.

Me këtë optikë pragmatike duhet parë dhe qëndrimi i zotit Majko brenda një reflektimi më madhor, që është ai në lidhje me zhvendosjen ideologjike të PS-së drejt qendrës. Ajo është sa kuturisje në lëmin e historisë, aq dhe grishje elektorale. Partia Socialiste e zotit Majko e ka me detyrim një sforcim kah qendra. Kjo do të thotë një shkëputje prej pozicioneve të ngurta të së majtës partiake, e cila në një shikim tërësor, asnjëherë nuk e ka goditur fort Enver Hoxhën, duke mbetur peng i gjykimeve të tij personale mbi figurat historike, aq më tepër mbi Zogun, si paraardhësin e tij. PS-ja jo vetëm që ka mbetur (me përjashtime individuale si Nano dhe Majko, ndër figurat kryesore) besnike e gjykimeve të regjimit mbi figurat e së shkuarës, madje dhe mbi ato që kanë qenë themeluesit realë të së majtës në Shqipëri si Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Zai Fundo, Hasan Reçi etj. Nuk ka asnjë lloj aktiviteti përkujtues apo studimor rreth tyre, dhe jo rastësisht fondacioni kërkimor i harruar sot u pagëzua “Qemal Stafa”.

Pse kjo varësi, pse kjo inerci, kjo frikë nga ndryshimi? Sot, pensionistët, dikur pjesë e regjimit, votues besnikë të së majtës, po largohen nga jeta, dhe ata që jetojnë do të votojnë për të majtën në të gjitha rastet. Ata s’kanë kohë për të ndryshuar, as votën. Me gjithë një lloj varësie të PS-së prej tyre (edhe të shtypit me fashikujt e bollshëm të kujtimeve për periudhën komuniste), e majta duhet të ketë zhvendosje të fortë ideologjike nga qendra. Kjo nënkupton dhe gjykime të tjera për figurat historike të 100 viteve pavarësi. Për hir të saktësisë, një zhvendosje të tillë ideologjike e kishte iniciuar Fatos Nano jo në formën e akteve simbolike, siç ishte peticioni për rikthimin e familjes mbretërore.

Fatos Nano bëri thirrje për rishikim të historisë së Mbretërisë, duke vendosur madje lidhje publike miqësie me familjen mbretërore. Pasardhësi i tij, Rama, mjerisht s’ka akte apo gjykime të forta publike mbi këtë periudhë, me përjashtim të ndonjë metafore banale për Mbretin Zog në editorialet e veta. Në këtë koniunkturë, Majko, me intuitë politike dhe ekzibicionizmin e vet karakteristik që sot po prodhon numër të madh editorialesh, u shfaq me një qëndrim vlerësues për Mbretin Zog. Për të qenë korrekt, Majko ka ruajtur gjithsesi një lloj koherence me disa gjykime të mëparshme të tijat për Mbretërinë.

A ka ndonjë faktor tjetër që përcakton frikën e së majtës nga kjo zhvendosje, nga ky rishikim realist i figurave të historisë? Po, është dhe ekzistenca në tregun e ideve, të studimeve, të historianëve që vijnë nga e majta, që e kanë dominuar këtë treg idesh, botimesh me studimet e tyre. Këta historianë, edhe sipas një paradigme të shoqërive kontinentale europiane që dominohen kulturalisht nga e majta, kanë në favorin e tyre tirazhin e madh të botimit të veprave të tyre. Këta historianë nuk duan të zhbëjnë rezultatet e veprave të tyre të dikurshme, të cilat kanë qenë të diktuara nga regjimi, nga Enver Hoxha personalisht, i cili kishte pasion për historinë. Nëse Hoxha imponoi shndërrimin 180 gradë të gjykimeve mbi Haxhi Qamilin, si mund të pranonte gjykime realiste mbi Zogun, paraardhësin e tij, me kohën e të cilit bëheshin tërë ballafaqimet për përparimet e regjimit komunist? Është ky dominim kulturor apo dhe shkencor kah e majta, që e bën mëdyshëse të majtën për t’u zhvendosur më në qendër, çka nënkupton rishikimin e historisë së shekullit të 20-të jo me syzet e Enver Hoxhës, por me shikim realist.

Ky shikim realist do të thotë si pasojë dhe qasje pragmatike elektorale kah votat e pjesës gri të elektoratit, tek ish-pronarë të zhgënjyer nga qeverisja e PD-së, apo ish-të persekutuar. Nëse Rama që dikur thoshte se nuk merrej me kthimin e pronave apo me të persekutuarit, po fillon ta bëjë këtë, pse vallë PS duhet mbetur peng i gjykimeve enveriste të historisë?

Pra, në këtë përplasje të sotme politike mbi Zogun apo figurat historike, debati kryesor ka frymëzim elektoral. Kjo është politika dhe kështu ka qenë gjithë kohën ajo: në kërkim, në gjah të votave të nostalgjikëve në moshë të shkuar apo të votave të brezit të ri që mund t’i duket trendi Mbretëria, princi Lekë dhe historitë e tij rozë etj., etj. Por, që shtrohet në mënyrë dilematike, është pyetja: çfarë vendi real ka Mbreti Zog në historinë e shqiptarëve…?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama