Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Diplomania

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Diplomania

Jo, ky titull nuk përmban as një gabim shtypi, nuk e kam fjalën për “diplomacinë”, por tamam e fiks fare për “diplomaninë”, pra, për maninë përherë e më të theksuar të shqiptarëve për t’u pajisur me diploma. Mani e vjetër kjo, që në kohën  e monizmit hoxhist, kur një diplomë (sigurisht për ata që nuk kishin “njolla” në biografi) të siguronte në mos një pozitë shoqërore të lakmueshme, të paktën një rrogë më pak mjerane sesa ajo e punëtorit apo e fshatarit kooperativist. Meqë asokohe kam qenë, ashtu siç vazhdoj të jem edhe sot, pedagog në Universitetin e Tiranës, përshtypja, për të mos thënë bindja ime, ka qenë, është dhe, mjerisht, do të jetë se, pikërisht asokohe, diploma universitare, në shumicën e rasteve, merrej nga studentët me më shumë punë e përkushtim sesa sot.

Për hir të së vërtetës së vërtetë, d.m.th. asaj lakuriq, duhet pranuar se tani në universitetet publike, por sidomos, kryesisht dhe veçanërisht në ato private (me ndonjë përjashtim të rrallë) diplomat merren me shumë më pak mund e përpjekje sesa asokohe. Arsyet që e shpjegojnë këtë dukuri janë të shumta, objektive dhe/ose subjektive; unë nuk do t’i rendis ato, as nuk do t’i analizoj hollësisht, sepse të tjerë e kanë bërë tashmë një punë të tillë, por do të shpreh keqardhjen time lidhur me disa fakte:

Së pari, vërej që në universitetet tona – publike e private – një numër fakultetesh janë kthyer pjesërisht (me përjashtime të rralla) në institucione bamirësie ku një numër i konsiderueshëm studentësh, shpesh të pamotivuar, vijnë sa për të kaluar kohën (“Më mirë në auditor sesa në bilardo e te lojërat e fatit”, më thoshte dikur një prind studenti). Në sondazhet që kam bërë me studentët e mi, vërej se asnjëri prej tyre nuk punon më shumë se tri orë në ditë (përveç leksioneve e seminareve) dhe mua vetja më duket krejt pa kuptim kur mendoj se, në moshën e tyre, studioja deri në tetë orë në ditë përveç orëve të leksioneve e të seminareve në fakultet. Madje, kur ua thashë këtë disa studentëve, njëri syresh, në formë shakaje, sigurisht, ma ktheu: “N’kohën tate, o pr’esor, s’ka pas kompjutra, as internet, as celular, as telebingo, as disko e as vene qejfi t’tjera; masnej, sot brezi i ri osht’ mo i zgjut’ se i vjetri, i kap gjonat mo shpejt”.

Kur unë e pyeta përse i duhej diploma, ai m’u përgjigj: “Sa me pas n’shpi nji her, se, ku i dihet, mund t’na hyj’ n’pun’ noi dit’!”. Një miku im zanatçi, para disa vitesh, donte që ta ndihmoja të birin të merrte një diplomë universitare duke e paguar me para nën dorë. Sigurisht që i thashë se kishte gjetur personin e gabuar për këtë kërkesë, pastaj desha të dija përse i duhej vërtet diploma të birit. “I duhet se i vjen turp nga shokët, të cilët i ka të gjithë me diploma universitare, ndonëse pa punë” – “Po vetë, a është në punë?” – vazhdova unë. “Po, m’u përgjigj, është pastiçer dhe fiton 5000 lekë (të rinj, kuptohet) në ditë”. Dhe unë ia ktheva: “Thuaj tët biri ta harrojë diplomën se nuk ka ç’i duhet! Po ta marrë ashtu siç kërkon ai ta marrë, pra, me para nën dorë dhe për t’u ndier i barabartë me shokët, atij do t’i duhet ta braktisë edhe punën”.

Së dyti, diplomanisë sonë kombëtare do t’i dalë tymi pas disa vitesh, kur brezi i 50-vjeçarëve të diplomuar brenda e jashtë shtetit do të ketë dalë në pension. Kur të vijë ky moment fatkeq, ata që do të drejtojnë tek ne ekonominë, shëndetësinë, arsimin, ushtrinë e gjyqësorin, do të jenë diplomaniakë të niveleve të larta, d.m.th. kuadro të niveleve të ulëta, dhe atëherë do të rivlerësohet ky varg (i Fan Nolit më duket): “Vaj vatani e mjerë mileti!”, sepse inteligjenca shqiptare do të ketë marrë fund kokë e këmbë dhe kryekëput. Njëkohësisht, do të tingëllojnë shumë aktuale fjalët e mikut dhe kolegut tim Françesk Armadhi thënë një studenti që ishte prekur rëndë nga diplomania më e përkryer: “Merre atë diplomë, zieje dhe piji lëngun, pastaj fshi by…rekun me të!”.

Së treti e së fundi, diplomania, ky epsh skandaloz për diploma të pamerituara, po përfshin edhe një kategori individësh që grumbullojnë me babëzi certifikata, vërtetime e dëshmi brenda e jashtë shtetit për të arritur të emërohen në këtë apo atë institucion të kryeqytetit shqiptar. Para disa vitesh, dikush nga këta diplomaniakë kishte paraqitur, bashkë me CV-në, edhe një shuk certifikatash, vërtetimesh e dëshmish, njëra nga të cilat provonte – me vulë e firmë – se kishte frekuentuar gjatë një muaji një bibliotekë lagjeje në një qytet të Bashkimit Europian. Për ta mbyllur, do të përmend rastin kuptimplotë të një politikani diplomaniak shqiptar që, kur kreu studimet në aksh fakultet, u tha disa miqve, tek festonte këtë “event” madhor për fatet e minipartisë së tij: “Ta kisha ditur se ishte kaq e lehtë për të marrë një diplomë universitare, do të isha regjistruar edhe në shkollën e mesme”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama