Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krimi, nje emergjence kombetare

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Krimi, nje emergjence kombetare

Një grua 26-vjeçare është gjetur dje e plagosur rëndë në një kazan plehrash, në lagjen numër 8 të Korçës. Mediat njoftuan se ka dyshime se i shoqi e kishte keqtrajtuar dhe më pas e kishte hedhur në një pikë mbeturinash. Ky është vetëm lajmi i fundit i listës së gjatë të akteve të dhunës dhe krimit që ka pushtuar Shqipërinë në muajt e fundit. Statistikat i ngjajnë një buletini lufte: Qendra për Çështjet Europiane dhe të Sigurisë, pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thotë se në tre muajt që lamë pas, ka pasur 158 të vrarë dhe 220 të plagosur në gjithë vendin. Vrasjet, plagosjet, grabitjet, aktet e gjakmarrjes apo krimet me sfond banal, kanë bërë që Shqipëria të zërë tashmë vendin e parë për krimin e vrasjes në Ballkan. Sipas qendrës në fjalë, përballë 4 vrasjeve për 100 mijë banorë që ka vendi ynë, Serbia ka vetëm 1.2 vrasje për 100 mijë banorë, kurse Maqedonia ndalet në shifrën 1.9. Për ta plotësuar këtë statistikë të frikshme, mjafton të vëresh se krimi i vrasjes është rritur me 40% në vitet 2010-2011, krahasuar me periudhën paraardhëse.

Për cilindo që ndjek sadopak lajmet në këtë vend, kronika e zezë është kthyer në një rubrikë që dominon titujt e mediave. Kurrë si në këtë moment, “spektakli” makabër i kronikës së zezë nuk ka eklipsuar, në vitrinën mediatike, aktivitetin politik, krizën ekonomike apo fusha të tjera si shëndetësia, arsimi, kultura apo aktualiteti ndërkombëtar. Nëse shfleton faqet e gazetave, nëse ndjek edicionet informative në radio e televizion, nëse shëtit nëpër faqet apo blogjet e internetit, do të shohësh sesi një buletin i vërtetë i përditshëm lufte u shpaloset para syve tre milionë shqiptarëve të shokuar nga përmasat dhe nga egërsia që fenomenet kriminale kanë marrë në muajt e fundit.

Historitë e dhunshme pasojnë njëra-tjetrën dhe ngjajnë si të rreshtuara në një garë të padukshme, për të marrë çmimin e krimit më ekstrem. Një “konkurs” i padukshëm gjaku, një turravrap drejt vdekjes dhe fatalitetit si kurrë më parë. Vrasje në mes të Pogradecit, kufoma që gjenden anash rrugëve kombëtare, krime ngjethëse për gjakmarrje në zonat e thella të Veriut, goditje me armë në rrugët e Shkodrës, luftë në lagjet e Vlorës apo episode të tjera makabër në fshatrat më të humbur e që nuk di askush që ekzistojnë – kjo është një kronikë që rinovon përditë veten, pa i lënë kohë opinionit publik të mësojë dinamikën e një krimi të caktuar.

Ka të drejtë Mustafa Nano në shkrimin e tij të djeshëm për “Shqip”, që thotë se mes krimit dhe politikës është vendosur një simbiozë e një bashkëpunim, që ka disa herë përmasat e një ndërmarrjeje të përbashkët biznesi. Kjo është më se e vërtetë, ashtu siç duket e vërtetë edhe tjetra: ashtu siç e shohim këto orë, duket se ka marrë revan edhe krimi i rrugës, ai i palidhuri me ndonjë fije të dukshme a të padukshme me shtetin dhe politikën. Ka policë të lidhur me krimin, ka padyshim edhe politikanë që krimin e përdorin si “grup shoqërimi” apo edhe si detashment manipulimi votash, kur vijnë zgjedhjet. Por ndërkaq, fenomeni i kriminalitetit po zgjerohet me shpejtësi, duke e zgjeruar nga poshtë bazën e tij. Me fjalë të tjera, krimi ordiner dhe krimi në familje po marrin dimensione të frikshme dita-ditës. Dhe këtu politika ka të bëjë sërish, por jo direkt. Është e vërtetë që një vrasje mes dy bashkëshortësh, në një fshat të Pukës, është diçka që s’ka të bëjë asfare me partitë politike të Tiranës, Ministrinë e Brendshme apo gjykatat e burgjet. Gjithashtu edhe një larje gjaku në një skutë të Alpeve të Veriut, sërish nuk ka ngjyrim politik dhe teserë partie.

Por, si shumë krime të tjera ordinere, edhe këto episode të palidhura mes tyre me ndonjë logjikë të caktuar, pasqyrojnë në fund të fundit një dukuri shumë më të gjerë dhe shqetësuese. Atë të rënies de facto të shtetit, të dobësimit të institucioneve të tij, të efektivitetit të ulur në parandalimin, zbulimin e dënimin e krimit. Banditi anonim që vret një kambist për t’i marrë lekët, vjedhësi ordiner që plagos rëndë shoferin e taksisë në mesnatë, bashkëshorti i dhunshëm që i vendos në kokë armën të shoqes për një grindje banale, gjakësi që pret pas një ferre hasmin për t’i marrë jetën pa hezitimin më të vogël, të gjithë këta shkelës të ligjit dhe marrës të jetës, do të kishin ku e ku më shumë frikë për të vrarë, nëse shteti, qeveria që drejton punët në këtë vend, do të ishin në funksionin e tyre institucional e ligjor, e jo në pozitën e mjeruar të sehirxhiut e të sazexhiut që këndon vetëm suksese.

Krimi është pasqyra e pamëshirshme e dobësisë dhe çoroditjes totale që ka kapur shtetin. Dhe do të jetë, me gjasë, në javët e ardhshme, një ndër motivet kryesore që do të rrënojë autoritetin, imazhin dhe të drejtën morale të mësaj maxhorance, për të kërkuar sërish votat e shqiptarëve. Në një aspekt më të gjerë, kriminaliteti është “ena” që akumulon pakënaqësinë, krizën dhe amullinë sociale, ekonomike e kulturore të të gjithë shoqërisë shqiptare.

Kriminaliteti ka marrë tashmë përmasat e një emergjence kombëtare. Ashtu siç e kanë, në pozita dhe dimensione të tjera, edhe vende si Meksika me trafikantët e dhunshëm të drogës apo Brazili në zonat sub-urbane. Në ndryshim nga këto shoqëri, që kalojnë situata specifike, te ne krimi shfaqet si një paaftësi e pastër e autoritetit shtetëror, për të imponuar ligjin dhe rregullin. Vrasja e komisarit të Shijakut është vetëm episodi i fundit i kësaj paaftësie, për të vënë në kontroll dhe për të neutralizuar një vatër krimi të organizuar, e cila për më tepër, ka qenë e njohur prej kohësh nga organet e imponimit të ligjit, të cilat i kanë hapur edhe rrugë në një moment të caktuar. Nëse shteti nuk kontrollon dot territorin (e kriminaliteti është një simptomë e pamundësisë së kontrollit mbi territorin), vakumi i krijuar prej tij do t’i lerë vend riciklimit të të tjera valëve të kriminalitetit. Sepse çdo njeri që tërheq këmbëzën e një arme, e ka më të lehtë ta bëjë këtë, sa herë që ka një qetësi relative se do të shpëtojë pa u dënuar. E përse tjetër e duam shtetin atëherë?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama