Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hidhni plehra!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Hidhni plehra!

Sigurisht, titullit të shkrimit tim sot i mungon ndajfolja mohuese “mos”, aq më tepër që në tabelën modeste të sapongulur përtokë në skaj të pallatit përballë të cilit banoj unë (nja dhjetë minuta më këmbë nga sheshi “Skënderbe”), lexohet dallueshëm “Mos hidhni plehra”. Po, i nderuar lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm, një banor i pallatit sapo e ka vënë tabelën në fjalë nën dritaret e tij sepse shumëkush prirej të hidhte atje plehrat e veta. Lind pyetja: Tani që ai e ka vënë këtë tabelë, a do të hidhen më plehra? Në vend që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, po përpiqem të arsyetoj:

- Një mendje më thotë se atje nuk duhet të hidhen më plehra, me kusht që ai/ajo që i hidhte më parë të dijë shkrim e këndim ose, më saktë, të paktën këndim. Por, një mendje tjetër më thotë se, edhe po të dijë (shkrim e këndim), personi në fjalë ka rrezik t’i hedhë atje në raste të veçanta, për të mos thënë të jashtëzakonshme, kur nuk ka kohë të shkojë rreth njëzet e tre metra më tutje, në anën e kundërt të rrugës “Mine Peza”, për t’i hedhur ato në kazanët e bashkisë: sidomos kur mendon se koha është flori, pra, para (time is money, siç shprehen anglo-amerikanët), si mundet njeriu ta harxhojë atë për një qese me plehra? Kësaj do t’i thoshin të harxhosh floririn, pra, paratë për plehrat, pra, t’i llastosh plehrat shumë më tepër sesa e meritojnë.

- Një mendje krejt tjetër më bën të hamendësoj se ndonjë banor i së njëjtës shkallë, me arsim të pamjaftueshëm, mund t’i hedhë plehrat nga katet e sipërme ose ngaqë ende nuk e di se komshiu i katit të parë apo të dytë ka vënë poshtë dritareve të tij tabelën e lartpërmendur, ose ngaqë, si tifoz i çmendur basketbolli që mund të jetë, kërkon të bëjë, me tabelë a pa tabelë, një kosh për tri, tridhjetë, treqind apo treqind e tridhjetë e tri pikë!

- Një mendje pothuajse tjetër më sugjeron se një gjysmanalfabet do të tregohej ndoshta më delikat: ai nuk do t’i hidhte plehrat e tij përtokë, por do t’i varte te cepi i tabelës ose te dega e pemës (e tipit nektarinë) dy metra më tej, pemë që ka mbirë prej vitesh në saje, pikërisht, të hedhjes së plehrave atje, dhe frutat e së cilës i hanë zogjtë ose fëmijët e mëhallës (i kam provuar edhe unë: ishin të shijshme, sepse bio!). Përfundimi: nga plehu mbin trëndafili, nga plehrat mbin nektarina!

Ndoshta mendje të tjera, njëra më e ndryshme se tjetra, do të më kishin mundësuar të bëja edhe disa variacione më shumë për të njëjtën temë në qoftë se dje në mëngjes, tek zbrisja për të blerë qumësht, bukë, ujë etj., etj., sytë nuk do të më kishin zënë spektaklin që vijon:

Fare pranë tabelës me mbishkrimin “Mos hidhni plehra”, një qen rrugësh, por i mëhallës gjithsesi, sapo ishte ulur mbi këmbët e pasme, i gatshëm të plehëronte tokën me jashtëqitjen e tij (bio). Tek matesha të kthehesha në shtëpi për të marrë aparatin fotografik, dikush doli në dritaren e katit të dytë dhe e përzuri duke i bërtitur, kështu që qeni nuk arriti të lehtësohej. Në çast, përjetova dy mendime kontradiktore, natyrisht, njëri pas tjetrit:

Fillimisht, mua m’u dhimbs ajo kafshë e gjorë. M’u dhimbs sepse ishte e pafajshme ngaqë, ngaqë… ngaqë nuk dinte as shkrim, as lexim! Jam i bindur që po të kishte ditur shkrim e këndim ose, të paktën, këndim, nuk do të kishte zgjedhur pikërisht atë vend për t’u lehtësuar biologjikisht, aq më tepër që atypari nuk kishte asnjë gjurmë jashtëqitjeje qeni pararendës.

Nga ana tjetër, keqardhja ime për qenin në fjalë erdhi e u zbeh derisa avulloi plotësisht: Sikur ai të kishte arritur të kryente detyrën biologjike që i impononte organizmi, do të ishte krijuar një precedent krejt i padëshirueshëm: në ditët në vijim, ai dhe shokët e tij katërkëmbësh do të vinin atje, rrëze tabelës së famshme, për t’u lehtësuar njëri pas tjetrit për javë të tëra.

Si përfundim përmbyllës, le të më lejohet propozimi që vijon: Meqë kur shkruajmë “Mos hidhni plehra”, prapë, sërish e përsëri, si njerëzit (me shkollë apo pa shkollë) hedhin që hedhin plehra, meqë edhe qentë ndjekin besnikërisht, por vetëm biologjikisht, shembullin e tyre, atëherë në tabela duhet shkruar “Hidhni plehra!” që të mos hidhen më plehra!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama